LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tkurret buxheti për mbështetjen e fermerëve me 36%/ Ulet pagesa për sipërfaqe, krerë

17 Mars 2023, 18:38, Opinione Prof.Gjok Vuksani
Tkurret buxheti për mbështetjen e fermerëve me 36%/ Ulet pagesa
Profesor Gjok Vuksani

Çdo fillimviti gjysma e shqiptarëve që jetojnë në zonat rurale presin me padurim fondin që buxheti i shtetit i ka alokuar bujqësisë dhe zhvillimit rural. Është pikërisht ky momenti, që dëshmon se cilat janë politikat agrare që do të aplikojë qeveria për mbështetjen e fermerëve përgjatë ciklit të prodhimit bujqësor. Megjithëse me shumë vonesë, miratimi i VKM Nr. 125, datë 1.3.2023, nuk solli lajme të mira për fermerët shqiptarë.

Konkretisht:

Së pari fondet e akorduara nga buxheti i shtetit për mbështetjen e fermerëve janë vetëm 33 miliardë lekë, ose 36 % më pak se fondi i dhënë gjatë vitit 2023, që kapte shifrën e 51miliardë lekëve.

Bujqësia shqiptare vazhdon te jetë e diskriminuar, pasi mbështetet vetëm me 27 milionë euro, krahasuar me Kosovën, që e mbështet këtë sektor me rreth 100 milionë euro, pa folur pastaj për Maqedoninë e Veriut që i mbështet fermerët me 150 milionë euro.

Pikërisht kjo është një nga arsyet kryesore që produktet bujqësore të rajonit janë më konkuruese se prodhimet shqiptare.

Nuk mund të ketë asnjë shpjegim të arsyeshëm për uljen drastike të buxhetit në mbështetjen për fermerët edhe pse nga Ministria e Bujqësisë mundohen të justifikohet me injektimin e fondeve të IPARD III, të cilat nuk janë disponibël akoma.

Për më tepër destinacioni i tyre është për fermat e mëdha dhe me kapacitete  financiare të fuqishme, pasi qëllimi i këtyre fondeve është për të arritur “standardet më të larta” në bujqësinë shqiptare.

Gjithashtu “Raport Progresi” 2022 e ka shprehur qartë kritikën e tij se “buxheti kombëtar i bujqësisë vazhdon të jetë i ulët dhe IPARD nuk duhet të përdoret si zëvendësim për mbështetjen kombëtare.”

Një nga zëvendësministrat, duke u përpjekur të justifikojë financimin e ulët, është shprehur se financimet do të shtohen herë pas here në varësi të buxhetit të shtetit.

Ministria dhe drejtuesit e saj nuk e kuptojnë se fermerët duhet të planifikojnë mbjelljet e pranverës apo të vjeshtës, duke pasur parasysh edhe mbështetjen që mund të përfitojnë  nga shteti, prandaj në këto kushte rrezikohet që toka të lihet djerrë, duke parë sasinë e pamjaftueshme të financimit për skemat kombëtare.

Lajmi i dytë i keq që sjell VKM tashmë e miratuar, është se ky fond i pamjaftueshëm që është destinuar për fermerët, nuk shkon i gjithi për ata, pasi një pjesë e konsiderueshme e tij do të investohet për ndërmarrje shtetërore.

Në pikën 2.2 të VKM parashikohet:“Mbështetje për ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore, tregjeve të kafshëve të gjalla ose thertoreve për shoqëritë tregtare, me kapital 100% shtetëror, në vlerën jo më shumë se 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë për subjekt”.

Pra, paratë nuk u jepen fermerëve, por shkojnë për ndërmarrjet shtetërore, duke u maskuar si fonde për fermerët vetëm për faktin që transferimi i këtij fondi realizohet nëpërmjet AZHBR-së, në numrin e llogarisë 604 të buxhetit të shoqërive tregtare shtetërore. Pra, e thënë ndryshe, shteti financon shtetin.

Mund të ishte më e thjesht që ky fond të transferohej direkt në fondin e bashkive, apo ndërmarrjeve shtetërore, pa qenë e nevojshme të llogaritet si fond që shkon për fermerët.

Së treti, problem vazhdon të jetë reduktimi i numrit të skemave mbështetëse, duke sjellë reduktimin e mbështetjes në sektorë të caktuar të bujqësisë.

Është  hequr pa asnjë studim, pa asnjë arsyetim profesional, skema për mbështetjen e mbjelljes së grurit, e cila u trumbetua fuqishëm vitin e kaluar si një nga sukseset më të mëdha të qeverisë.

Gjithashtu,është hequr në mënyrë absurde skema e mbështetjes për ndërtimin e serave diellore, të cilat shërbejnë si strukturë bazë për garantimin e rritjes së prodhimit të hershëm dhe rritjen e eksportit të perimeve.

Është eliminuar pa asnjë studim paraprak të thelluar, skema për mbështetjen e mbjelljes se bimëve mjekësore dhe aromatike, kur rreth 95% e tyre shkojnë për eksport.

Në kushtet kur kemi zona të tëra rurale te shpopulluara, kur mungon krahu i punës dhe ku e vetmja mënyrë për të zëvendësuar këtë mungesë, është përdorimi i teknologjive të reja dhe mekanizimi i bujqësisë.

“Mendjedriturit” e kësaj ministrie e kanë zhdukur fare skemën mbështetëse të automatizimit dhe digjitalizimit të proceseve të punës, në kundërshtim me politikat evropiane të CAP.

Eksporti i produkteve bujqësore nuk mbështetet me asnjë lekë, pavarësisht se  ministrja Krifca ka premtuar se eksportet do të kapin shifrën 1(një) miliardë dollarë, gjë e cila mund të realizohet vetëm me mbështetje financiare dhe jo me fjalime dhe propagandë.

Gjithashtu nuk ka asnjë mbështetje për ruajtjen, përpunimin dhe tregtimin e vajit të ullirit, këtë eleksir që prodhon toka shqiptare, ndërkohë që me qindra tonë të këtij produkti prishen në shtëpitë e fermerëve.

Nuk jepet asnjë lek për pemëtarinë, një nga sektorët me potencial të jashtëzakonshëm, veçanërisht në zonat kodrinore të vendit tonë.

Nuk është parashikuar asnjë mbështetje për kreditimin e bujqësisë apo të siguracioneve në rast të dëmtimeve të prodhimit bujqësor nga fatkeqësitë natyrore.

Tkurret buxheti për mbështetjen e fermerëve me 36%/ Ulet pagesa

Pra, skemat mbështetëse të vitit 2023 janë shumë më pak të financuara dhe vetëm një spektër i ngushtë i fermave mbështetet nëpërmjet buxhetit të shtetit.

Ndërkohë që Kosova, financon të gjithë sektorët, nga prodhimi i fidanëve frutorë, blegtorinë,prodhimin e vezëve, prodhimin e mishit, grumbullimin e produkteve,prodhimin e grurit,misrit, vreshtit deri tek pagesa e 75% e primit të sigurimit nga fatkeqsitë natyrore.

Për më tepër, masa e financimit për çdo skemë, është  dyfishi i mbështetjes që jepet  në Shqipëri përkatësisht: skema për mbështetjen e të imtave është 25 euro/krerë, në vendin tonë është 10euro/krerë.

Bletët mbështeten në Kosovë me 20euro/koshere, tek ne mbështeten me rreth 8 euro/koshere.

Në vendin tonë skemat mbështetëse janë ndërtuar në mënyrë amatoreske, duke mos pasur parasysh efektin që shkaktojnë ato në sektorë të caktuar.

Vendosja e kufijve të poshtëm për mbështetjen e fermerëve me të paktën 10 lopë dhe mbi 100 dele e dhi, eleminon me një të rënë të lapsit pothuajse 80% të fermerëve të vendit tonë.

Kjo skemë e gabuar është një nga shkaktarët kryesorë që ka çuar në përgjysmimin e  numrit të bagëtive në 10 vitet e fundit, duke eleminiar fermat e vogla me më pak se 10 krerë lopë. 

Nga ana tjetër, vendosja e kufijve të sipërm të financimit jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për fermë tek skema e mbështetjes për lopët e qumështit dhe jo më shumë se 360 000 (treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë për fermat me bagëti të imta, është absurde.

Tkurret buxheti për mbështetjen e fermerëve me 36%/ Ulet pagesa

Kjo ndërhyrje arbitrare pa asnjë logjikë ekonomike, kufizon mbështetjen e komplekseve të mëdha  me mbi 50 krerë lopë, që aktualisht po mbajnë peshën kryesore të prodhimit të qumështit në vendin tonë.

Skema për mbështetjen e fermerëve me naftë është një tjetër dështim i qeverisë në disa aspekte, dhe  konkretisht:

Për këtë skemë është përcaktuar një fond limit rreth 1.3 miliardë lekë, vlerë e cila mbulon vetëm 1/5 e sasisë së naftës që përdoret nga fermerët gjatë një viti bujqësor.

Pra, që në krye të herës qeveria niset me premisën që do të plotësohen rreth 20% e nevojave të fermerëve, pavarësisht se për çfarë sasie ata aplikojnë, apo çfarë ata mbjellin.

Kjo skemë menaxhohet nga pikat e karburanteve “furnizues të kontraktuar në bazë të përzgjedhjes”, që nuk kanë asnjë lidhje me strukturat e bujqësisë dhe si qëllim kryesor kanë fitimin dhe jo mbarëvatjen e bujqësisë.

Gjithashtu, një zhvillim mjaft regresiv për këtë skemë, është rritja e sipërfaqes minimale për të përfituar këtë mbështetje nga 0.4 ha në 2022 ne 1 ha në 2023, gjë e cila redukton në maksimum numrin e fermerëve që financohen.

Për më tepër, “fermerët paraqiten me kartën individuale në pikën e karburantit, në të cilën është hedhur informacioni për sasinë e naftës…” Kur ai nuk ka traktorë për të furnizuar, e merr naftën me bidonë që përfundon në automjetet private dhe jo në traktorët bujqësor.

Shpërndarja e naftës pa akcizë është një skeme mjaft abuzive, sepse nafta duhet të shpërndahet bazuar në sipërfaqen e tokës së punuar dhe të verifikuar direkt tek fermeri në numrin e llogarisë, pa hallka ndërmjetëse të “furnizueseve të kontraktuar”, njësitë vendore dhe bashkitë.

Specialistët e bujqësisë janë kthyer në plotësues të letrave fiktive të detyruar nga eprorët, duke lënë pas dore këshillimin e fermerëve dhe hartimin e projekteve teknike. 

Ky përshkrim me nota negative mund të paragjykohet nga lexuesit si i njëanshëm, apo i nxitur nga këndvështrime të ndryshme politike.

Por, gati në të njëjtat konkluzione ka arritur edhe  FAO nëpërmjet studimit: “Analysis of agriculture and rural development policy in Albania , Budapest 2022” ku konkludohet se:

Në nivel politikash, Ministria e Bujqësisë ka kapacitete të kufizuara për të kryer studime të situatës dhe për të kuptuar perspektivën e sektorit.

Zakonisht, skemat kombëtare të mbështetjes janë bazuar në analiza të thjeshta,duke i dhënë përparësi problemit por duke mos identifikuar prioritetin.

Skemat mbështetëse për blegtorinë kanë ndikuar negativisht duke reduktuar numrin e bagëtive në fermat me më pak se 10 krerë lopë dhe numrin e të imtave në fermat që zotërojnë  më pak se 100 krerë dele/dhi.

Një fakt skandaloz që evidenton ky studim është se, 64% e stafit të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, ka formim profesional që nuk përputhet me vendin e punës. Kjo gjë që ka ndikuar negativisht në proceset e seleksionimit të projekteve, kontrollit dhe monitorimit të tyre dhe ka bërë që këto projekte të mos jenë efiçente.

Afërsisht 6 në 10 fermerë nuk kanë besim tek Ministria e Bujqësisë shqiptare për menaxhimin e subvencioneve.

Tkurret buxheti për mbështetjen e fermerëve me 36%/ Ulet pagesa 

Së fundmi, më vrastarja është se, tarifat nominale fikse të përcaktura për hektar, për krerë bagëti apo për zgjua blete, “kur fondi në dispozicion rezulton më i vogël se totali i kërkesës së aplikimeve”, vlera e financimit që përfitohet për njësi  reduktohet në përputhje me fondin në dispozicion për çdo skemë.

E shprehur më thjeshtë, kur kemi më shumë aplikantë se para në dispozicion për një skemë të caktuar, nuk do të shtohet financimi nga buxheti i shtetit. por bëhet një ndarje propocionale e fondit ekzistues, duke reduktuar në fakt financimin për njësi.

Pra, qeveria e rilindur, edhe sasinë e parave për njësi të parashikuara në VKM nuk e disburson, por në fund do të bëjë një rishpërndarje sipas stilit ‘alla’ socialist nga një thërrime për secilin aplikant.

Politikat mbështetësë të planifikuara për vitin 2023 janë amatoreske dhe nuk sjellin asnjë zhvillim pozitiv, përkundrazi, do të vazhdojë degradimi i blegtorisë dhe shpopullimi i zonave rurale.

Por, me sa duket, për Ministrinë e Bujqësisë më të rëndësishme janë ‘selfie’, ‘like’ dhe ‘share’, që bëhen për ministren, duke krijuar një realitet virtual, pavarësisht degradimit të bujqësisë shqiptare.

 

 

19:47 Opinione Ermal Mulosmani

Komedia e zezë e PD-së

Lëvizja e fundit të grupit të Alibeajt, që fton përfaq...

15:48 Opinione Ardi Stefa

Mësuesit mjeranë!

Mjeranë? Po vërtet mjeranë! Pa personalitet, pa dinji...

Lajmet e fundit nga