LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Në klasën e parë të baletit shkova me pantallona xhudoje”/ Koreografi franko-shqiptar: Më tallnin në lagje

30 Shtator 2023, 09:21, Lifestyle CNA
“Në klasën e parë të baletit shkova me pantallona
Angjelin Preljocaj, balerini dhe koreografi franko-shqiptar

Angjelin Preljocaj, balerini dhe koreografi franko-shqiptar famë ndërkombëtare, ishte i ftuari i radhës në podcastin e kryeministrit Edi Rama.

Kreu i qeverisë i kujtoi një nga intervistat që koreografi ka bërë më parë, ku ka thënë se e ka “marrë rrugën e kërcimit në barkun e nënës, kur prindërit u arratisën nëpër male”.

Preljocaj pohoi edhe njëherë këtë thënie dhe deklaroi se largimi I prindërve nga vendlindja e ka bërë që të jetë më patriot.

“Ëhë, është e vërtetë. Është gjithashtu ideja se rruga e mërgimit është një rrugë pothuaj artistike, gjë që na jep mundësinë të reflektojmë se ç’është mërgimi, çfarë është emigracioni, të gjithë këto çështje që përshkojnë epokën tonë dhe në mënyrë të tmerrshme në këtë moment. Por do t’i kthehem çështjes sime personale, kjo më ka dhënë mundësinë të jem pak si me dy krena, pak si shqiponja shqiptare. Një kokë që vjen nga babai, nga Vermoshi, etj, dhe koka tjetër që vjen nga Franca, që më ka pritur, që ka pritur prindërit e mi më saktë, dhe që më ka bërë ky që jam sot, domethënë njeri i pasionuar pas artit, pas baletit dhe është diçka që më ka ndërtuar dhe më bën të mundur sot të ekzistoj ndryshe, falë mërgimit. Pra po i kthehem serish mërgimit”, u shpreh ai.

Artisti franko-shqiptar rrëfeu fillimet e tij në balet, kur nuk kishte as geta për të kërcyer dhe kishte veshur pantallonat e xhudos.

“Është e vërtetë që bëja xhudo, kur shkova herën e parë nuk kisha geta baleti. Kështu që vesha pantallonat e xhudos dhe një bluzë të bardhë, dhe ja kështu e bëra mësimin e parë të baletit. Dhe ishte si zbulim sepse më pëlqente shumë muzika, por nga ana tjetër isha dhe shumë fizik, bëja xhudo, më pëlqente kontakti me partnerin, edhe pse ishte sport luftimi, xhudo mund të jetë edhe shumë i hijshëm. Pra këto dy gjërat lëvizja dhe muzika, bashkoheshin për herë të parë për mua, dhe ishte diçka që nuk e kisha provuar më parë. Pra ishte diçka e çuditshme…”, deklaroi koreografi, i cili zbuloi se nëna e tij nuk ishte dakord që të merrej me balet, ndërsa babai e mbështeti në këtë rrugëtim.

Gjithashtu, ai tregoi se kur babai i tij tregoi në lagjen ku jetonin se djali donte të bëhej balerin, djemtë dhe vajzat e tallnin.

“Unë kam mbrojtur gjithmonë idenë që dua të vallëzoj, duhet të vallëzoj, e mbroja këtë ide para babait tim, para mamasë, mamaja ishte pak si e pavendosur, siç e the dhe ti, por ajo punonte në uzinë. Dhe pyeti atje: djali im do të bëhet kërcimtar, çfarë mendoni? Si ju duket? Dhe atje dëgjoi gjëra vërtet të tmerrshme çka bëri që edhe ajo të ishte kundër. Pra rrëshqiti edhe ajo në kampin e babait. Por ishin edhe djemtë dhe vajzat e lagjes periferike ku jetoja, sepse prindërit e mi ishin të varfër, nuk jetonim në lagje rezidenciale, por në periferinë e varfër. Dhe atje sigurisht hip-popi nuk ekzistonte, ky kërcimi urban, që është më mashkullor, më i afirmuar, që është edhe moda, epoka  e hip-popit. Dhe për djemtë dhe vajzat e lagjes sime, vallëzimi do të thoshte ky djali vesh geta dhe bën ca gjëra të çuditshme. Dhe ata talleshin mua. Kështu që mu desh të luftoja dhe të afirmohesha. Mendoj se mjedisi kundërshtar ndonjëherë ta përforcon akoma më shumë dëshirën. Mendoj se sikur të ishin dakord të gjithë, ndoshta do të isha marrë me gjë tjetër, ndoshta pikturë, muzikë, nuk e di. Por kundërshtimin ndaj baletit dhe ndaj meje, e shndërrova në luftë, dhe kjo shprehu një formë vullneti, mprehu një formë rezistence”, theksoi Angjelin Preljocaj./ CNA

Lajmet e fundit nga