LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse toka “pulson” çdo 26 sekonda?

26 Janar 2023, 08:33, Kuriozitete CNA

Pse toka “pulson” çdo 26 sekonda?

Çdo 26 sekonda, Toka “pulson” m’u nën këmbët tona. Ky puls nuk është aq i fortë sa ne ta ndiejmë atë, por sizmologët në mbarë botën kanë qenë në gjendje që ta dokumentojnë atë me instrumentet e tyre. Në fakt, njohuritë për këtë puls kanë ekzistuar prej dekadash. Por çfarë dimë realisht për këtë fenomen të çuditshëm?

Gjatë fillimit të viteve 1960, Xhek Oliver ishte studiues në Observatorin Gjeologjik të Universitetit të Kolumbias në Nju Jork. Në atë kohë, ai publikoi një studim për një “stuhi mikrosizmike” me periudha rreth 26-27 sekonda, dhe u bë i pari që dokumentoi këtë puls misterioz.

Në studimin e tij, Oliver thoshte se pulsi dukej se e kishte origjinën në “Oqeanin Atlantik Jugor ose Ekuatorial”, dhe hodhi 2 hipoteza në lidhje me mekanizmin e burimit të tij. Hipoteza më e mundshme ishte që pulsi u krijua nga valët e shpërndara të oqeanit që përplaseshin në bregun e Gjirit të Guinesë. Por një hipotezë e dytë, sugjeronte se pulsi ishte një lloj “dridhjeje harmonike” që lidhej me aktivitetin magmatik nën Oqeanin Atlantik Jugor.

Madje Oliver e kuptoi se pulsi ishte më i fortë gjatë muajve të verës në Hemisferën Veriore, kur në Hemisferën Jugore është dimër. Në atë kohë, ai nuk kishte në dispozicion instrumente të avancuara si sizmometrat dixhitalë. Ndaj Oliver bënte regjistrime në letër, të cilat mund të kenë kufizuar aftësinë e tij për ta studiuar pulsin me më shumë detaje.

Pse toka “pulson” çdo 26 sekonda?

Rreth 20 vjet më vonë, një studiues me Shërbimin Gjeologjik të SHBA-së e analizoi më tej mikrosizmikën e çuditshme. Geri Holkomb, zbuloi se pulsi ishte më i fortë në periudha të caktuara, gjë që duket se mundësoi kërkime më të hollësishme mbi natyrën e tij.

Mjerisht, pavarësisht përpjekjeve të Holkomb dhe Oliver, veprat e tyre mbetën pothuajse të panjohura. Por në vitin 2005, studenti i sapodiplomuar, Greg Bensen, e ringjalli interesin për pulsin e Tokës. Në atë kohë, Bensen po punonte me të dhënat sizmike në Universitetin e Kolorados.

Një ditë, mentori i tij shkencor i kërkoi atij të paraqiste atë që po punonte dhe ai nxori disa të dhëna. Në atë moment zbuloi një sinjal të fortë që vinte nga diku larg. Majk Ricuoler, sizmolog në Universitetin e Kolorados, e përshkroi përvojën e tij me pulsin në një intervistë për “Discover”. Kur ai dhe studiuesi i atëhershëm postdoktoral, Nikolai Shapiro, nisën vëzhgimin e pulsit, ata kuptuan se po ndodhte diçka e çuditshme.

Por ata nuk e kishin idenë se çfarë ishte. I hutuar, ekipi ekzaminoi sinjalet, analizoi të dhënat dhe kontrolloi instrumentet e tyre përpara se të arrinte në përfundimin se ajo lëkundje mikrosizmike ishte e vërtetë. Më pas ata e lokalizuan origjinën e pulsit në një vend të vetëm në Gjirin e Guinesë, në brigjet perëndimore të Afrikës.

Pse toka “pulson” çdo 26 sekonda?

Më pas iu rikthyen studimeve të Oliver dhe Holkomb dhe e botuan studimin e tyre në 2006. Ndërkohë, në vitet 2010, një student tjetër i sapodiplomuar arriti të analizonte pulsin në detaje. Garret Oler, punonte në anë kohë në laboratorin e sizmologut Dag Viens në Universitetin e Uashingtonit.

Edhe studimi i tij zbuloi se burimi i pulsit ishte në Gjirin e Guinesë. Edhe kur nuk ka tërmete apo vullkane që shpërthejnë, zhurma sizmike ekziston në sfond. Sipas Ricuoler, arsyeja kryesore është Dielli. Ai e ngroh ekuatorin më shumë se polet, dhe kjo gjë gjeneron erëra, stuhi, rryma dhe valë oqeanike.

Pastaj, kur një valë godet një vijë bregdetare, energjia transferohet në Tokë. Kjo thotë ai, është e ngjashme me mënyrën se si trokitja mbi një tavolinë e deformon zonën pranë kyçit të dorës. Por energjia nga trokitja transmetohet ende nëpër tryezë dhe mund të ndihet në skajin e kundërt.

Kur valët udhëtojnë përtej oqeanit, ndryshimi i presionit në ujë mund të mos ketë shumë ndikim në fundin e oqeanit. Por kur dallga godet shelfin kontinental, ku toka e fortë është më afër sipërfaqes, presioni e deformon fundin e oqeanit (ashtu si goditja në një tavolinë deformon sipërfaqen e saj) dhe shkakton impulse sizmike që pasqyrojnë aktivitetin e valës.

Në vitin 2013, Oler i prezantoi gjetjet e tij në konferencën e Shoqërisë Amerikan të Sizmologjisë. Megjithatë, jo të gjithë dukej se ishin dakord. Në një studim tjetër të publikuar në vitin 2013 nga një ekip i udhëhequr nga Yingjie Xia nga Instituti i Gjeodezisë dhe Gjeofizikës në Vuhan, Kinë, u prezantua një shpjegim i ndryshëm: vullkanet.

Dhe në fakt, ekziston të paktën një vullkan në Tokë (Vullkani Aso në Japoni), që prodhon një mikrosizmikë me disa ngjashmëri me këtë që regjistrohet çdo 26 sekonda. Por nuk është debati i vetëm. Mbetet ende pa përgjigje pyetje tjetër: Pse pulsi e ka origjinën në Gjirin e Guinesë? Çfarë e bën atë unik? Fatkeqësisht, studiuesit nuk i kanë dhënë ende përgjigje.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga