web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

U nda nga jeta në moshën 89-vjeçare/ Jeta dhe vepra e akademikut Rexhep Qosja

23 Prill 2026, 13:09, Kulturë CNA

U nda nga jeta në moshën 89-vjeçare/ Jeta dhe vepra e

Rexhep Qosja u lind në Vuthaj, në krahinën e Malësisë, asokohe nën Mbretërinë Jugosllave. Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku u diplomua më 1964. Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/'68 specializoi shkencën e le­tërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit me punimin "Asdreni, jeta dhe vepra e tij" në studimet e tij pasuniversitare në Universitetin e Beogradit. Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. U pranua në Partinë Komuniste të Jugosllavisë në vitet '70. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare "Jeta e Re". Më 1989 iu propozua që të bëhej kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, por Qosja refuzoi.

Pas ndryshimeve politike më 1990 në Shqipëri, Qosja u bë ndër kritikët më të zëshëm të kulturës dhe elitës politike si derivat gjenealogjik i nomenklaturës komuniste.

Dhjetëvjeçarin para Luftës së Kosovës mori emër si figurë e realitetit kombëtar shqiptar. Politikisht organizoi Forumin Demokratik të Intelektualëve Shqiptarë si kundërpeshë ndaj LDK-së së Ibrahim Rugovës, më 1998 shkoi edhe më tej, duke e themeluar Lëvizjen Demokratike të Bashkuar (LDB). Në këtë cilësi mori pjesë në bisedimet në Rambuje në shkurtin e vitit 1999 si anëtar i delegacionit shqiptar. Pas luftës Qosja mori pjesë në Këshillin Administrativ Interim vendosur më 15 dhjetor 1999. Pas një viti, më 16 dhjetor, dha dorëheqjen nga kryetarësia e LDB-së pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e 28 tetorit të atij viti.

Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

Në vitin 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi kompletin e veprave në 29 vëllime.

Prozë

Rexhep Qosja ka botuar disa romane: "Vdekja më vjen prej syve të tillë" (1974), "Një dashuri dhe shtatë faje" (2003), "Nata është dita jonë" (2007), "Bijtë e askujt" (2010) dhe Të fshehtat e treguara (2020).

Përveç në Prishtinë romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” është botuar në vitin 1987 edhe në Tiranë, me iniciativë të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili kishte lexuar botimin e Shtëpisë Botuese “Rilindja” të Prishtinës dhe e kishte pëlqyer. Më vonë Kadare e rekomandoi romanin e Qosjes edhe në Francë dhe ai u botua atje, në vitin 1994 me parathënie të Kadaresë.[9]

Nga proza Qosja ka botuar edhe tregimin “I ringjalluri i penduar”, i cili mund të quhet edhe novelë ose roman. Ky tregim është satirë që fshikullon politikanët kosovarë të pasluftës.[11] Të fshehtat e treguara është romani i parë omnibus në letërsinë shqipe.

Ese

Eseja “Çështja Shqiptare” e Qosjes në vitin 1995 u përkthye dhe u botua në Francë nga shtëpia botuese "Fayard".

Drama

Rexhep Qosja është një ndër autorët që kanë pasur një ndikim të madh në modernitetin letrar të dramës shqipe, në dimensionin e saj filozofik dhe thellësinë psikologjike në vitet '70, bashkë me Teki Dervishin dhe Beqir Musliun. Qosja ka shkruar dramat "Beselam" pse po më flijojnë, "Sfinga e gjallë" dhe "Vdekja e një mbretëreshe", botuar në vitin 1978 nën titullin e përbashkët "Mite të zhveshura". Dramën e parë, "Sfinga e gjallë", e nisi po atë vit që përfundoi romanin e parë, “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), dhe e inskenoi në vitin 1976.





09:13 Kulturë Boris Miska

Migjeni, ky misionar!

(Shkruar më 18 prill, 89 vjet nga dita e mbërritjes në Puk...

Lajmet e fundit nga