LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sot shënohen 556 vite nga vdekja e Gjergj Kastriot Skënderbeut

17 Janar 2024, 08:54, Kulturë CNA
Sot shënohen 556 vite nga vdekja e Gjergj Kastriot Skënderbeut

Sot shënohen 556 vite nga vdekja e herorit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ai lindi më 6 maj të 1405 dhe u nda nga jeta në 17 janar të 1468.

Si një anëtar i familjes fisnike të Kastriotëve, ai u dërgua si peng në oborrin perandorak osman, ku u arsimua dhe hyri në shërbim të sulltanit për njëzet vitet e ardhshme.

U ngrit sipas gradave duke u bërë deri sanxhakbej i Sanxhakut të Dibrës në vitin 1440. Më 1443 dezertoi nga ushtria osmane gjatë betejës së Nishit dhe u bë sundimtar i Krujës, në një territor nga Petrela dhe Modriçi. Në vitin 1444 themeloi Lidhjen e Lezhës me mbështetjen e fisnikërisë bashkëkohëse.

Në vitin 1451 nënshkroi traktatin e Gaetës, ku njohu sovranitetin de jure të Mbretërisë së Napolit mbi Arbërinë, duke siguruar një aleancë mbrojtëse, edhe pse mbeti një sundimtar de facto i pavarur.

Në vitet 1460–'61 mbështeti Ferdinandin I të Napolit në luftërat kundër Gjonit II të Anzhuinëve. Në vitin 1463 u bë komandanti kryesor i forcave kryqtare të papa Piut II, por papa vdiq ndërsa ushtritë ende po mblidheshin. Së bashku me venedikasit luftoi kundër osmanëve gjatë Luftës osmano–venedikase të viteve 1463–'79, deri në vdekjen e tij në janar të vitit 1468.

Mbahet ndër komandantët më të rëndësishëm të historisë ushtarake të kohës së tij, si më këmbëngulësi dhe përherë fitimtari kundër Perandorisë Osmane në kulmin e saj.

Figura e tij nuk dihet nëse vijoi të celebrohej ndër trevat shqiptare përveçse me ndonjë këngë, por u bë një figurë qëndrore e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë shekullit XIX, si pasojë nderohet nga shqiptarët me monumente dhe vepra kulturore në të gjitha trevat shqiptare. Aftësitë ushtarake të Skënderbeut përbënin një pengesë të madhe për zgjerimin osman, dhe u konsiderua nga shumë njerëz në Evropën Perëndimore si një model i rezistencës së krishterë ndaj myslimanëve.

Familja e Skënderbeut

Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Ka shumë teori mbi vendlindjen e tij. Një ndër biografët e shumtë të tij, Frashëri, duke analizuar gjenealogjitë e kronikës së Muzakës, burimet e Raffaele Mattei-t, si dhe defterët osmanë të 1467, e ka vendosur vendlindjen e tij në Sinë, një nga tri fshatrat, zotërime të të gjyshit Pal Kastrioti.

Vendosja e datëlindjes më 1405 nga Noli ka gjetur mbështetje të gjerë tanimë, pas kundërshtive fillestare, si dhe mungesa e dokumentacionit të lindjes së tij apo vëllezërve e motrave të tij.

I ati, Gjoni, kishte në zotërim një territor mes Shufadasë dhe Prizrenit, përmes Matit dhe Dibrës. E ëma Vojsava, origjina e së cilës është diskutuar, nëse ka qenë bijë Brankoviçësh, e një familjeje fisnike bullgare apo bijë Muzakajsh. Gjergji pati tre vëllezër më të mëdhenj, Stanishën, Reposhin dhe Kostantinin, si dhe pesë motra, Marën, Jelenën, Angjelinën, Vlajkën dhe Mamicën./CNA 

Lajmet e fundit nga