LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Agim Xhafka/ KREVATI DOPIO…

24 Mars 2024, 09:01, Kulturë Agim Xhafka

Nga Agim Xhafka/ KREVATI DOPIO…

Berti ka qënë shoku im më i mirë. Edhe më i ngushtë paçka se qe nja 6 vite më i madh. U rritëm bashkë te i njëjti pallat. Aty lindëm të dy. Kur të polli Valka ty unë e urova të té rrojë,bënte shaka me mua. Asnjëherë nuk u suall më i madh,gjithnjë si moshatar.

Në fakt në të njëjtën shkollë nuk u puqëm kurrë. Kur ai iku nga fillorja unë e nisa filloren. Kur ai hyri në të mesmen unë fillova tetëvjeçaren. Dhe kur Berti u bë student atëhere  unë nisa gjimnazin. Bash nga ajo kohë mbaj mend që sa vinte me pushime na mblidhte te bashta e “Lendinës së Lotëve” dhe na tregonte një foto. Një gocë me gérsheta,imcake në fytyrë,por me sy shumë të bukur.

-Kjo është e dashura,-na thoshte.

Calja qeshte e ia priste:

-Ik,ore pirdhu,kjo është artiste ruse,e kam parë në gjithë ato filma.

Por Berti nuk nxehej. Qeshte dhe na tregonte se ajo çupka quhej Drita,ishte nga Lushnja,studionin bashkë pér letërsi. Kur tregonte për të na shfaqej i dalldisur. I ndriste surrati si maçokut të Neranxës kur i vendosnin qumështin para. Mësuam se ajo çmendej për Bertin.

-Eh,kush nuk marroset pas teje!- i vinte kapak Nesti.

Dhe nuk e kishte keq. Berti dukej si artist filmi. Qe zeshkan,i gjatë,elegant. Tamam si Raxh Kapuri thoshin në pallat. E mbi të gjitha Berti ishte si kujdestari i të gjithëve. Nga që qe më i madh,por edhe pse na trajtonte me dashuri e respekt dhe çdo qaravitjen tonën e dëgjonte me vëmendje. Mbaj mend që unë kur bëja fjalë me vëllain te Berti e gjeja gjyqtarin. Herë më jepte të drejtë,herë më thoshte,e ke dhjerë sot,shko pérqafoje! E nisesha me vrap,hapja krahët,puthja vëllain e i thoja disa herë,më fal,më fal.

Shkurt,Bertit i shkonte përkufizimi:”Floriri i pallatit” Nëna e babai kishin shumë respekt. Si Berti të bëhesh,lutej mamaja dhe bënte kryqin.

Kur ai po mbaronte universitetin erdhi një verë me Dritën. Të fejuar atë mot. Bënin bujë qysh larg,sikur zoti i kishte bashkuar. Po prisnin emérimin e do bënin dasmën para se të fillonin punën. Nga që ishte djalë i vetëm mendohej që do e caktonin në Korçë,ose në fshatrat aty rrotull. Me ëndërra të tilla erdhi gushti e  Bertin me Dritën i caktuan mësues të letërsisë në…fshatrat e Pukës. Ne si pallat na u duk sikur na ra térmeti i vitit 1960 që na shkundi shtëpitë dhe zemrat. Tamam sikur na vdiq dikush. Heshtje në shkallë e asnjë zhurmë fëmije. Por Berti na ftoi në shtëpi të gjithëve. Bashkë me Dritën. Qeshnin e na e bënë të lehtë largimin. Po dasmën? Do e bëjmë në Pukë,thanë në një gojë.

Ikën me një valixhe dërrase drejt agjencisë së autobuzëve. I pércollëm ne shokët,por edhe prindérit. Do flinin në Tiranë e më pas në Pukë. Ditën e tretë në Arrës-Miliska. Kështu quhej fshati.

Pritëm e pritëm një javë dhe ja,nga Andrea,i vetmi që kishte telefon në pallat erdhi lajmi,arritën mirë. Kjo vonesë ka krijuar në mendjen time një distancë aq të madhe me Pukën sa Amerika më vjen më pranë,nga që shkoj brenda ditës.

Më tej nuk morëm lajm. Kur pyesnim babain e Bertit na thoshte,është mirë,por në sy i lexohej trishtim dhe dhimbje.

-Po pse i degdisin deri në Pukë xhanëm?- pyesja me habi babain.

-Do e mbyllësh gojën ti,-më kércënonte nëna.

Në dhjetor gëzimit të vitit të ri iu shtua dhe ardhja e Bertit. Bashkë me Dritën. Ajo me bark rrumbullak. Berti qe hequr në fytyrë,por i gjallë në sy. E pyetëm pér fshatin e na tha se ia kalonin kaq mirë,si tek filmi “Dhe në malet me borë ka jetë” Pastaj na tregoi per deborën si në Korçë,pér pyjet e bukur,pér pejzazhin,pér nxënësit. Sikur na tregonte film. Ia thashë babait e më tha:

-Ashtu duhet folur. Bravo.

Nuk kuptova hiç këtë gjuhë të dyfishtë. Më pas erdhi rrallë,thuajse humbi. Mësuam se u bë me dy vajza dhe vazhdonte të jepte mësim atje larg. Ndérkohë unë nisa studimet e për fat më pranuan gazetar me part time në Radio Tirana. Fat se merrja honorare e kështu kisha ca lekë nëpër xhepa. Në një nga shérbimet shefi më dërgoi në Pukë. U gëzova se doja të shkoja dhe te fshati i Bertit. Kur u thashë në komitet emrin e tij më thanë se për atje nuk ka rrugë,por tani edhe po të kishte ka shumë borë. Këmbëngula dhe më dhanë si udhërrëfyes një çun të zonës që punonte në gjeologji. Pasi bëmë dy orë me makinë ia nisëm hypjes së malit me këmbë. Mes pyjeve dhe borës arritëm pas gjashtë orësh. Bertin e njihnin të gjithë. Më çuan deri afër e më thanë,ja atje banon. Nata sapo kishte zbritur dhe banesa e tij qe thjesht një kasolle pupuliti,nga ato që i lenë pa i prishur sondat e kromit kur largohen. Trokita te dera dhe doli një vajzë e bukur,bjonde. I thashë kérkoj Bertin. E pas pak u shfaq shoku im. I drobitur,i lodhur,i dobësuar dhe me sy që nuk kuptoheshin nga drejtoheshin. U pérqafuam dhe hyra brenda. Kaq e dobët qe llampa sa m’u duk se kisha hyrë në ndonjë galeri miniere. Në mes digjej një zjarr i fortë e anash në tavolinë shkruanin Drita dhe goca tjetér. Pas tre minutash Berti më térhoqi pér mënge e dolëm jashtë. U pérqafuam prapë dhe po qanim. Unë me dhimbjen e tij,ai me fatin e vet. Më tha se i mbushi 12 vjet atyre anëve. Se ishte plot vuajtje dhe mungesa. Se nuk kishte as qumësht për vajzat. Se nuk e lejonin të ikte në Korçë nga që asaj ane kishte mungesa me mësues.

-Mbaj mend se hiqeshe si i lumtur?- e ngacmova.

-Ashtu vértet. Nga që mendova se kujtdo i takon pér vendin të sakrifikojë 3-5 vjet,të japë nga eksperienca dhe dituria e tij në këto zona të egra. Por kur kalojnë vitet dhe kur mbi kurriz ndjen veç kamzhikë atëhere të mbyt pasiguria dhe nis e tmerrohesh me pyetjen,ore ç’do bëhet me fëmijët e mij. Kjo zonë nuk ka asnjë zhvillim. Fshatarët gati po vdesin,nuk kanë as ushqim bazë. Fëmijët hanë lëvore peme. Na rroftë rroga që marrim se asnjë ushqim nuk ke ku e ble.

Më ra mbi kokë ai mal me dëborë. U kthyem te kasollja që pa atë zjarr do ishte më akull se frigoriferi. Deri afër mëngjesit folëm e folëm. Folëm e u shmallëm. Zbritjen e bëra pa çunin që më tregoi rrugën. Doja të arrija sa më shpejt në komitet. Unë isha student gazetar,por në zyrën e shefit të arsimit u hoqa si kushéri,mik,koleg,nip i kujdo gazetari me ëmër që më vinte ndér mend. Iu pérula,gati i putha këmbën veç Berti të lejohej të ikte në Korçë. Pastaj e inçizova sikur kishte arritur suksese e m’u duk se ia arrita.

Kaluan muaj,dhashë provimet,mora emérimin tim në Tiranë dhe ika i lumtur për ca ditë pushimesh në Korçë. Sa po pija dy gota raki moskat me babain,më thotë nëna:

-E transferuan Bertin,e sollën nga Puka.

Nuk prita më dhe zbrita poshtë te shtëpia e tij. Derën ma hapi e ëma dhe më tregoi dhomën. U sula dhe pashë në një krevat dopjo Bertin,Dritën bashkë me dy vajzat. Flisnin e dukej se ashtu ndjeheshin mirë. Qenë të gëzuar. Më erdhi ndér mend një dokumentar ku kishin gjetur një vajzë që qe rritur mes ujqërve. Për një kohë të gjatë ajo kërcente dhe hidhej si ujk. Dhe Berti pér aq vite në krevat mblidheshin e  ngroheshin. Atje qenë më të sigurt nga e ftohta jashtë dhe uria që u kanosej. Mbledhur bëheshin më trima e u ngrohej gjaku. I lashë në sjelljen e tyre disa vjeçare e u lumturova që jeta e familjes së tij do ndryshonte disi.

Fati më pas na e përmbysi jetën të gjithëve. U sulën shqiptarët  mbi anije,nëpër ambasada,në monopate kufijsh veç të largoheshin nga murtaja. E në ato çaste Berti hezitoi. U mblodh sërish te krevati i tij,të kater shtrënguar. Dukej se fati i dënoi sërish. Por ja që dhimbjeve të tyre iu tha boll një gjysh në Amerikë. I larguar shumë herët atje u krijoi mundësinë të shkonin ashtu bashkë,pa krevatin e madh,në USA. Si qytetarë të atij vendi të madh. Nuk e kam takuar këto vite se ai banon në perëndim,Kaliforni. Por flasim,shmallemi. I ka kaluar të shtatëdhjetat,por punon. Se ndjehem i dobishëm,thotë. Po mos u ndjeve i tillë të është bërë gati shpallja që vendoset në shtylla. Kur e pyes për Pukën,shprehet,atje kam depozituar vitet e arta të rinisë dhe kam kyçur dramën time. Mbase shkoj ndonjë ditë ta shoh si film. Them se rolin tim në dobi të atdheut e kam luajtur bukur. Do e kap një OSCAR prej bronxi. Do e kap patjetër…/ CNA

14:42 Kulturë Jonida Xhyra

Rrugët e ballokumes

Lulet e portokalleve janë pjesë e pandashme e çdo oborri t...

09:35 Kulturë Astrit Çerma

Gëzuar Ceke...

Tek prisnim unë dhe Spiro Duni "pagatorin" e Kinostudios t...

Lajmet e fundit nga