LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tregimi i së dielës/ Ola bën “gola”

10 Mars 2024, 15:51, Kulturë Agim Xhafka
Tregimi i së dielës/ Ola bën “gola”
Gazetari Agim Xhafka

Ola e mori vesh rastësisht dramën që sa i kish trokitur. Burri i saj, Gjergji, qe zhdukur matanë kufirit me stjuardesën, me atë bukuroshen e gjatë.

-Juli e quajnë, -i tha Vjosa, shoqja e saj.

Vjosa e dinte mirë se punonte te kompania ku Gjergji qe pilot.

-Ka dy ditë e do vazhdojnë një muaj larg Tiranës, do punojnë e fluturojnë në një linjë që niset nga Moldavia drejt Rusisë. Kanë pavarësi nga dega jonë, -e mbylli ajo lajmin e kobshëm.

Ola u nguros. I erdhi ndër mend porosia që i tha e ëma sa mësoi para ca vitesh që ajo dashuronte Gjergjin.

-Mos u marto o gocë me djelmosha kaq të pashëm! Do vuash orë e çast. Ata janë gjah për femrat e ditës. Shumë herë bëhen vetë gjahtarë. Do të të tronditet familja. Mblidh mendjen!

Ola qeshi atëherë, e neglizhoi. Ngaqë dhe ajo është perri. Më e bukur dhe më e zgjuar ka veç veten në qytet. Por ja që burrat janë si qentë, i kujtohej që ia thoshte shpesh e ëma. Madje e shqiptonte; qante, siç duket ndiente keqardhje për këto kafshë. Dhe ja Gjergji i saj sa hap e mbyll sytë qe bërë Gjergji i asaj. I stjuardesës pra që ishte ku e ku më e re dhe ku e ku më rrëzëllitëse. Të dy shkonin aq shumë sa nuk do qe çudi që ndonjë revistë e Evropës t’u propozonte për t’i shfaqur në kopertinë. I pashmi Gjergj, i mençuri Gjergj, jo femrat, por dhe burrat binin në dashuri me të, i shkoi ndër mend një frazë e dëgjuar diku për burrin e saj.

E ndërsa po përtypte këtë lajm kujtoi se duhej të merrej me fëmijët. Kishin dy çuna, Gregun 9 vjeç dhe Drinin 5 vjeç. Ata me të atin qenë si mishi me thoin. Nuk kishte ditë që mos luanin e përqafoheshin. Edhe kur i ati ishte në fluturim ose mungonte disa ditë nga grafiku i ngjeshur ai u çonte video pambarim. Me atë gazin e tij ua ndriçonte krejt ditën.

-Duhet të mos mësojnë gjë. Janë të vegjël e një dramë në familje do t’i traumatizojë. Do t’i mbyllë në guaskën e tyre, do t’u shtojë melankolinë dhe do t’u edukojë karakter pasiv, -foli me vete.

Kujtoi familjen e Nestit, fqinjit të saj te shtëpia e prindërve. Kështu pati një tronditje atje dhe katër fëmijët nuk e mblodhën mendjen edhe pasi u martuan vetë. Ishin dhe ngelën si manekinë dyqani. Pa iniciativë, pa miq e shokë. Pa gjallëri, hare, gaz e optimizëm. Sa hyri në shtëpi u shfaqi fëmijëve në cel një nga videot që kishte çuar Gjergji javën që shkoi.

-Babi do punojë larg këtë muaj e sapo ju përshëndet me këtë.

Ai qe mjeshtër për video. Qe si grip, të ngjiste menjëherë gjallërinë dhe dashurinë. Djemtë u kënaqën. Më pas sikur u fashit lajmi. Dhe Ola ngaqë po merrej me gatimin dhe shtëpinë iu duk se nuk kishte ndryshuar gjë. Por deri në darkën e thellë. Më pas kur u shtri te shtrati i gjerë fjeti nga ana e të shoqit. Sikur donte të mbulonte boshllëkun atje. Sikur i thoshte vetes, ja ku është, brenda meje. Jemi njësh, si më përpara. Ashtu copa-copa erdhi mëngjesi. Shkoi në punë jo me sy nga kompjuteri, por nga celulari. Por s’pipëtiu i ziu. Sikur ishte bërë shok me Gjergjin. Mbasdite erdhi e ëma. E kishte mësuar gjëmën. Nuk foli, u mor me fëmijët. Por kur iku i tha:

-A të thashë, o vajzë?

Ola nisi të vinte në zbatim planet e saj. Tani më e rëndësishme ishte që fëmijët ta jetonin ditën sikur nuk mungonte asnjë pazëll te korniza e familjes së tyre.

-Babi dërgoi tani një përshëndetje me e-mail. T’ua lexoj?

-Pooo.

Dhe Ola, pasi kishte hapur një adresë me emrin e Gjergjit niste letra sikur i bënte ai tek e-mail i Olës. Dhe në fund, pasi Gjergji e mbyllte letrën me përqafime e puthje, Ola kinse linte hapur tabletin që Drini të lexonte adresën e Gjergjit. Kështu ca ditë. Më pas trokiti dera. Ishte ditëlindja e Gregut. Dhe sa e hapën para u shfaq një biçikletë e kuqe. Dhe mbi shalën e zezë një letër “Biri im të bëhesh 100 vjeç. Babi”.

Dita-ditës nuk reshtnin rripat që lidhnin fëmijët me babain. Një të premte Ola u tha:

-Babi ka nisur ca para për një ekskursion në Sarandë. Shkojmë t’i marrim.

Të tre u paraqitën te banka. Ajo ia kishte nisur vetes, por sikur i kishte arkëtuar Gjergji.

-Kush i dërgon?-pyeti me gjasme arkëtaren që ta dëgjonin çunat.

-Gjergj Mani.-tha goca matanë xhamit.

Jeta për fëmijët ecte si më parë. Herë pas here Ola u nxirrte video të vjetra. Ata nuk i kuptonin që s’ishin të freskëta ngaqë Gjergji thuajse në të gjitha dashurinë e shfaqte njësoj. Me të njëjtat fjalë e gjeste. Kështu po mbyllej muaji derisa një mbasdite ra zilja. Shkoi Gregu ta hapte e u dëgjua:

-Babi, erdhi babi.

Ola ngriu, por lëvizi nga kolltuku. Shkoi dhe ajo andej. U sul dhe Drini. Gjergji përfshiu të dy fëmijët. I mori hopa e nuk po u ngopej duke i puthur e duke u marrë erë. Ata në delir, të lumtur.

-Mirë se rdhe, u lodhe, -i foli dhe e përqafoi Ola.

Gjergji ngeli pa lëvizur. Nuk po kuptonte në kishte ardhur te shtëpia nga qe arratisur apo kishte hyrë në ndonjë familje tjetër. Apo jam në ëndërr, po mendonte. Por Ola ia shtoi më shumë dyshimin. Qeshte dhe shprehte gëzim që ai u kthye. Sa do thoshte diçka filluan të flisnin djemtë.

-Më gëzove me biçikletën, - tha Gregu.

-Me lekët që na dërgove shkuam në Sarandë, -i tha Drini.

Më tej tregonin për videot, për letrat që shkroi i ati. Gjergji ra në boshllëk. Nga që Ola atë muaj nuk la asnjë boshllëk te fëmijët. Nisi ta gërryejë turpi. Si ai ndryshku, më mirë si ai myku që e kapi vjet në pishinë e me zor e largoi. Pasi fëmijët shkuan të flenë ai bëri një sprovë të fliste.

-Ola..

-Më mirë hesht, -i tha ajo.

Këtë skenë ajo e dinte majë gishtave. Do ia niste ai me fjalët, asgjë nuk është ashtu siç flitet, kam menduar ditë e natë për ty e fëmijët, të dua e s’të ndërroj me askënd në botë, kam mall për aromën tënde. Tërci e vërci burrash që hardallosen pas çdo femre që i ndjell me një shikim. Shkuan te krevati i madh. Por me kurriz nga njëri-tjetri. Nuk po gërhet nga që nuk po fle, tha Ola. Asnjëherë s’ka fjetur pa më përqafuar, tha Gjergji. E ashtu me monologje i gjeti mëngjesi. Shkuan në punë veç e veç, jo si atëherë të përqafuar. Në darkë i kapi rutina. Ajo me gatim, ai me fëmijët. Kështu një javë, me kurriz në krevat ndaj njëri-tjetrit. Deri sa një mbasdite Gregu kur po bënte detyrat pyeti të atin:

-Më thuaj një fjalë të urtë të popullit!

-Buka e thyer nuk ngjitet, -i tha shpejt ai.

-Thuaje të plotë, -e këshilloi Ola.

-Si është e plotë? -pyeti Gjergji.

-Shkruaj bir, -foli Ola. -Buka e thyer nuk ngjitet, ama hahet.

Gjergji nuk foli. U afrua te Ola. Guxoi t’i prekë dorën. Kaq. Në sy shfaqi pendim të qartë. Gati t’i rrëshqiste ndonjë lot.

-Mos u marto me burrë kaq të pashëm, -iu kujtua e ëma.

Por ja që ajo u martua e asnjë çast nuk u bashkua që të behej roja i tij. Se ajo qe gruaja e tij. Gjergjin nga gjahtarët e ditës apo natës mund ta ruante veç Gjergji. Askush tjetër. Edhe ajo kishte ngasje, pëlqente plot meshkuj të punës a të rastit. Se bota është mbushur me bukuri e ndjellje. Por kemi ferrota të forta ne femrat, frenojmë fort, i vinte në vesh një humor i Jolës, shoqes së ngushtë. Ndërsa burrat…Eh, burrat s’kanë as frena dore. Gruaja dhe burri e mësojnë të fundit në se tradhtohen, i erdhi ndër mend sërish një thënie e një filmi italian. Po kaloj kohën me aforizma, talli veten. E pas kaq ditësh vuri buzën në gaz.

Në darkë veç mamasë së Olës erdhi dhe i ati, Gëzimi.

-O ba, -i tha Ola.-Të thirra se Gregu e theu trupin e biçikletës. Ja shihe!

E i tregoi tubin që qe shkalafitur.

-Pa merak, o gocë, e rregulloj nesër. Një saldim do dhe bëhet e re fringo.

-Dhe mban veç me një saldim?-pyeti me çudi Gjergji.

-Po, po. Biçikleta më pas mund të thyhet kudo, por kurrë te saldimi, sado ta dëmtosh a ta godasësh. Atje te ngjitja forcohet shumë, shumë bëhet ja si këto dy duart kur i lidh bashkë, -tha ai e gërshetoi gishtat e një dore me gishtat e dorës tjetër.

Gjergji pas këtyre fjalëve hodhi sytë tek Ola. Ajo shihte duart e babait të saj. Mbase na duhet dhe ne një saldim, i shkrepi atë çast në mendje e për herë të parë pas kaq e kaq ditësh vështroi, por me pakëz ngrohtësi sytë e bukur jeshilë të burrit që edhe pse i bëri sa një mal fajet ia drithëron ende zemrën. Më parë thuhej, më jep një shans të dytë. Tani të themi, eja bëjmë një saldim. Olës kjo iu duk komike, por edhe pak erotike. Një i kuq ia përshkoi fytyrën atë çast dhe ca flutura nisën t’i lëvrinin në trup. I ndiente dhe gëzohej. Se ishin flutura që i njihte, flutura me sinjale të ngrohta që lajmëronin mot me diell.

09:35 Kulturë Astrit Çerma

Gëzuar Ceke...

Tek prisnim unë dhe Spiro Duni "pagatorin" e Kinostudios t...

Lajmet e fundit nga