LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tregimi i së dielës/ Dajë Simoni…

11 Shkurt 2024, 10:11, Kulturë Agim Xhafka
Tregimi i së dielës/ Dajë Simoni…
Gazetari Agim Xhafka

Beci, kështu i thërras Besnikut, shokut tim të zyrës, erdhi në lokal kur isha gati duke u ngritur. E kishim lënë të pinim kafe në orën dhjetë. Si e shtunë donim të bënim biseda të ndryshme nga ato të zyrës. Sa erdhi as kërkoi falje, as tha mirëmëngjes, por ia nisi:

-Isha te dajë Simoni.

Unë ngrita vetullat, ai e mori vesh që nuk po kuptoja ç’po fliste.

-Dy pallate më tutje nga këtu ka shtëpinë. Simoni, daja im. Tani është shumë i moshuar. Me zor lëviz. Mbështetet te shkopi se gruaja e la para ca vitesh. Eh, ç’grua qe Sofika!

U qetësua pak, gjerbi kafen me zhurmë dhe vazhdoi:

-Simoni në Tiranë ka jetuar tërë jetën e tij. Shtëpinë e ka pasur si hotel non-stop. Vinin nga Korça varganë-varganë. Për vizita te mjeku, për sebepe, për shërbime, për studime. Nuk kishte ditë që ajo hyrje dy dhoma e një kuzhinë të mos mbante në barkun e vet të paktën 6 mysafirë në natë. Shto dhe katër që ishin vetë të zotët, plot dhjetë frymë ishte normalja atje. Daja kishte një djalë. Atëherë jetonte dhe e ëma e dajës, të dashur e të pritur të gjithë. Buzagaz sa trokisnim te dera. Atje mbaj mend që vija verës kur isha fëmijë, madje çdo vit. Jo vetëm unë, por edhe vëllai, edhe motra. Kështu si ne dhe fëmijët e xhaxhallarëve e të tezeve. Konvikt i madh kthehej verës ai apartament.

Mbaj mend kur edhi Nesti, kushëriri ynë. I sëmurë me një gjëndër në grykë. Ia shtynë dy muaj operacionin dhe ato dy muaj rrinte shtrirë te krevati martesor i dajë Simonit. Dhe i shërbente e shoqja me dy vajzat. Daja me Sofinë flinin kruspull në divanet e dhomë së ndenjës. Daja ka bërë shumë për të gjithë. Edhe kur dajat e tjerë apo xhaxhallarët zbrisnin për shërbim në ministri atje flinin dhe hanin. Dietat i harxhonin për blerje këpucësh apo ushqimesh. Ktheheshin me çanta plot në Korçë. Edhe ne kur ishim studentë të shtunë e të diel te daja shkonim. Atje laheshim, atje flinim dhe atje ushqeheshim. Shisnim latat e mensës të atyre ditëve dhe me ato lekë pinim ndonjë birrë me dashnoret që kishim si studentë. Ej, se m’u kujtua. U sëmura nga një grip i egër një vit. Nuk e beson, por vrapuan te Qyteti Studenti daja me Sofikën. Mbaj mend mirë që në dorë mbanin një tenxhere të vogël me supë pule. Një javë rresht erdhën të më shihnin. Si prindër ore. Si prindër e shkuar prindërve është më saktë.

-Të thashë që kishte një djalë? - më pyeti.

Pasi tunda kokën vazhdoi:

-Djali i vdiq para shumë viteve. Doli anemik, kishte mungesë hekuri. Duhej të ushqehej më mirë, i thanë mjekët. Po si do ushqehej ai më shëndetshëm kur ne me kuç e me maç fusnim lugët te tenxherja e tyre?! Dhe më vjen plasje dhe inati më rrëmben kur nga gjithë ata nipër, mbesa, kushërinj e fis që jemi shtrirë e kemi ngrënë atje askush nuk i sjell dajë Simonit qoftë dhe një paketë kafe. E di sa veta kemi qenë një natë vetëm në një dhomë? Plot trembëdhjetë. Në krevat, në kolltuk, përtokë. Më shumë se një ekip futbolli. Ja pra ajo zemër e madhe tani ecën mbështetur mbi një bastun. E nuk ka jo vetëm ndonjë njeri pranë, por merr dhe gjysmë pensioni. Se nuk iu gjendën disa vite punë e kur na kërkoi ndihmë i thamë, s’kemi kohë, jemi nëpër punëra. Por nuk e kapërdij dot që askush jo vetëm nuk e ndihmon, por nuk i fal as dhe dy lekë. Koprraci e tmerrshme, mosmirënjohje e pakufi. Ama daja qesh gjithmonë. Sa hyra që e pashë më tha, do një mollë? Ia kishte falur komshiu. Tërë jetën kështu, vetëm jepte dhe jep. Nuk ndryshon i miri, jo. Nuk ndryshon.

U preka dhe e pyeta:

-A i le ndonjë lekë tani që ishe atje?

Më pa në sy, sikur u mendua dhe:

-Më shkoi ndër mend. Doja me zemër, por...

-Por, por çfarë? - e nxita.

-Por nuk kisha të thyera, o njeri. Kisha veç një dhjetëmijëshe. Me ato do ble katër birra se pres për drekë një shoqe të gruas me burrin. E qortova veten, e bëra helaq. Po mbaj të thyera, o Besnik. Mbaj se ia ke borxh dajë Simonit. Kurrë nuk shlyesh dot me të.

Bëra sikur më kërkoi njeri në celular. Gjoja po flisja, dola jashtë. U largova me telefon te veshi dhe nuk u ktheva më. Sa më dhimbsej Simoni po aq po urreja Becin. Dhe ku më mbiu në zyrë një monstër si ky! M’u prish e shtuna, por fat që kishte diell. Po iki jashtë Tirane, mendova se ndryshe do më merrte stresi me vete kush e di se ku do më përplaste.

Simonit nuk ia di as zoti, jo më zorrzopët e fisit të tij të dhjerë, flisja me vete rrugëve. Flisja e flisja. Nuk pushoja…

Lajmet e fundit nga