LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Trump paditet lidhur me rastin e dokumenteve të klasifikuara

9 Qershor 2023, 07:32, Kosova & Bota CNA
Trump paditet lidhur me rastin e dokumenteve të klasifikuara
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është paditur për mënyrën se si i ka menaxhuar dokumentet e klasifikuara, pasi është larguar nga Shtëpia e Bardhë.

Trump, 76-vjeçar, përballet me shtatë akuza, përfshirë mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara, kanë thënë mediat amerikane.

Padia ndaj tij nuk është bërë ende publike.

Kjo është padia e dytë që rëndon ndaj Trump-it, dhe e para padi federale ndonjëherë për ish-president të SHBA-së.

Aktualisht Trump është duke bërë fushatë me synimin për të fituar edhe një mandat presidencial në Shtëpinë e Bardhë.

Ekspertë ligjorë besojnë se padia nuk do ta kufizojë mundësinë e Trump-it për të garuar sërish për president.

Në një postim në platformën e tij sociale, "Truth Social", Trump ka thënë se është i pafajshëm dhe se i është kërkuar të dalë para një gjykate federale në Majami të Floridës, në pasditen e së martës, kur do të arrestohet dhe do t’i lexohen akuzat.

“Nuk e kam menduar kurrë që mund t’i ndodhë diçka e tillë një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë ai.

“Kjo është ditë e zezë për Shtetet e Bashkuara. Ne jemi shtet në rënie të shpejtë dhe serioze, mirëpo së bashku do ta bëjmë Amerikën të mrekullueshme sërish”.

Avokati i Trumpit, Jim Trusky, ka thënë për rrjetin televiziv, "CNN", se, ish-presidenti i ka pranuar hollësitë e akuzave, përmes një dokumenti.

Ai ka thënë se aty përfshihen akuza për komplot, deklarata të rreme, pengim të drejtësisë, dhe posedim të paligjshëm të dokumenteve të klasifikuara, sipas Aktit të Spiunazhit.

Departamenti amerikan i Drejtësisë, nuk ka pranuar të komentojë këtë rast, dhe padia nuk është bërë publike.

Padia është dokument që përbëhet nga akuzat kundër një personi.

Shërbimi Sekret do të takohet me stafin e Trump-it dhe zyrtarët e tij të sigurisë, për të planifikuar udhëtimin në gjykatën në Majami.

Prokurori Special, Jack Smith, ka qenë duke analizuar të dhënat në rastin me dokumente, prej kur është emëruar në këtë pozitë nga Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Merrick Garland, në nëntor të vitit të kaluar.

Vitin e kaluar resorti i Trump-it në Florida, Mar-a-Lago, është bastisur dhe janë konfiskuar 11.000 dokumente, përfshirë 100 të shënjuara si të klasifikuara.

Disa prej tyre kanë qenë edhe të kategorisë “top sekret”.

Ka pasur raportime prej javës së kaluar se prokurorët kanë siguruar një audio-incizim të Trump-it, në të cilin ai e pranon se posedon dokumente të klasifikuara, edhe pasi është larguar nga Shtëpia e Bardhë, në janar të vitit 2021.

Ligji amerikan për zyrtarët federalë ua pamundëson të gjithë zyrtarëve, përfshirë presidentit, që të mbajë dokumente të klasifikuara në një lokacion të paautorizuar.

Por, ekspertët ligjorë besojnë se Trump, ende ka mundësi të garojë për president.

“Ai mund të paditet disa herë, dhe kjo mund e parandalon atë që të garojë”, ka thënë David Super, profesor në Universitetin Georgetown.

Super ka theksuar se Trump mund të vazhdojë garën, edhe nëse dënohet për këtë rast që është paditur.

Sondazhet publike tregojnë se Trump është në krye të garës, në mesin e republikanëve, për ta fituar nominimin e partisë, për të garuar për president.

Teksa Trump e ka nisur një email për mbledhje të fondeve me titullin “Lajm i fundit: I akuzuar”, disa republikanë me ndikim i kanë ofruar mbështetje.

Kevin McCarthy nga Dhoma e Përfaqësuesve, ka thënë se është “e pandërgjegjshme që një president të padisë kandidatin kyç, që e kundërshton”.

Rivali i Trumpit në garën për zgjedhjet e ardhshme, guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, ka thënë se “ne jemi dëshmitarë që disa vjet të zbatimit të ligjit, në varësi të përkatësisë partiake”.

Vivek Ramaswamy, i cili është, po ashtu, në garë, ka thënë se do ta falte Trump-in, në ditën e parë që do ta merrte pushtetin, dhe do ta rregullonte sundimin e ligjit në SHBA.

Mirëpo kandidati tjetër, Asa Hutchinson, ka thënë se veprimet e dyshimta të Trump-it, “nuk duhet të definojnë shtetin tonë, apo Partinë Republikane”.

Një tjetër rast rëndon ndaj Trump-it, i cili po ashtu po hetohet nga Jack Smith.

Ai ka të bëjë me përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat Trump i ka humbur.

Trump është bërë ish-presidenti i parë amerikan që është akuzuar në prill të këtij viti për falsifikim të të dhënave biznesore, pas kryerjes së pagesës për një yll të pornografisë, në këmbim të heshtjes së saj./ Rel 

Lajmet e fundit nga