LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shqetësime për rrjedhjet misterioze në dy gazsjellësit rusë

27 Shtator 2022, 16:07, Kosova & Bota CNA
Shqetësime për rrjedhjet misterioze në dy gazsjellësit
Foto ilustruese

Vendet europiane po përpiqen të identifikojnë shkakun e rrjedhjeve të pashpjegueshme në dy gazsjellës rusë që kalojnë nën Detin Baltik pranë Suedisë dhe Danimarkës.

Rusia, që e ka ndërtuar rrjetin e tubacioneve, tha se nuk mund të përjashtohet mundësia e sabotimit, por Komisioni Europian tha të martën se është e parakohshme të spekulohet mbi shkakun.

"Natyrisht, çdo akt sabotimi në çdo infrastrukturë është diçka që ne do ta dënonim," tha Eric Mamer, zëdhënësi i shefit të Komisionit të BE-së në një konferencë për shtyp.

Autoriteti Detar i Suedisë lëshoi një paralajmërim për dy rrjedhje në gazsjellësin Nord Stream 1, pak pasi u zbulua një rrjedhje në Nord Stream 2 gjë që e bëri Danimarkën të kufizonte transportin në një rreze prej pesë miljesh detare.

Të dy gazjellësit kanë qenë në qendër të një luftë të përshkallëzuar energjetike midis kryeqyteteve europiane dhe Moskës, e cila ka dëmtuar ekonomitë kryesore perëndimore, ka rritur çmimet e gazit dhe ka nxitur përpjekjet për gjetjen e burimeve alternative të energjisë.

"Ka disa shenja se mund të bëhet fjalë për dëmtim të qëllimshëm," tha një burim europian i sigurisë, ndërsa shtoi se ishte ende herët për të nxjerrë përfundime. "Duhet të shtroni pyetjen se kush do të përfitonte nga kjo?"

Edhe Rusia tha se rrjedhja në rrjetin rus ishte shqetësuese dhe sabotimi ishte një shkak i mundshëm. "Asnjë alternativë nuk mund të përjashtohet në këtë moment," u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Asnjë nga gazsjellësit nuk po dërgonte gaz në Evropë në kohën kur u zbuluan rrjedhjet, por incidentet fashisin plotësisht shpresën se Europa mund të marrë gaz nëpërmjet Nord Stream 1 përpara dimrit.

"Dëmi që ndodhi në të njëjtën ditë në tri segmente të tubacioneve Nord Stream është i paprecedentë dhe tani për tani është e pamundur të vlerësohet se sa kohë duhet për të riparuar infrastrukturën e transportit të gazit, " tha operatori i rrjetit Nord Stream.

Megjithëse asnjë prej tubacioneve nuk po transportonte gas, ato përmbanin gaz nën presion.

Ministri i Energjisë i Danimarkës, Dan Jorgensen tha të hënën ishte zbuluar rrjedhje gazi në tubacionin Nord Stream 2 midis Rusisë dhe Danimarkës.

Gazpromi, kompania e kontrolluar nga Kremlini me monopol mbi eksportet e gazit rus, nuk pranoi të komentojë.

Rusia pakësoi furnizimet me gaz në Evropë përpara se t’i pezullonte plotësisht ato, duke thënë se sanksionet perëndimore kishin shkaktuar vështirësi teknike. Politikanët evropianë thonë se ky ishte një pretekst për të ndaluar furnizimin me gaz.

Nord Stream 2 nuk u vu asnjëherë në punë. Gjermania e bllokoi projektin disa ditë para se Rusia të fillonte agresionin ndaj Ukrainës./voa

Lajmet e fundit nga