LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Shqetësim nga BE e SHBA për forcimin e bashkëpunimit Serbi-Rusi

27 Shtator 2022, 09:59, Kosova & Bota CNA
Shqetësim nga BE e SHBA për forcimin e bashkëpunimit Serbi-Rusi
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësim dhe i kërkojnë shpjegim Serbisë për nënshkrimin e marrëveshjes me Rusinë në Nju Jork. Marrëveshja që u nënshkrua ndërmjet ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe ministrit të Jashtëm serb, Selakoviq, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka të bëjë me bashkëpunimin në sferën e politikës së jashtme ndërmjet dy vendeve.

Stano: Shqetësime serioze të BE ndaj Serbisë

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, shprehu shqetësim për forcimin e raporteve midis Serbisë dhe Rusisë, dhe tha se "kjo marrëveshje erdhi në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin ndaj Ukrainës dhe çdo ditë”. "Rusia po e shkel të drejtën ndërkombëtare, forcat e saj po kryejnë krime ndaj civilëve e në pjesë të okupuara të Ukrainës po organizon referendume ilegale. Nëse në këto rrethana shohim se ministri i Jashtëm i Serbisë nënshkruan marrëveshje, me të cilën pajtohet për konsultime me shtetin që kryen akte të tilla, atëherë kjo është shenjë se Serbia po i forcon raportet me Rusinë. Dhe kjo ngreh shqetësime serioze. Raportet me Rusinë në këtë fazë nuk mund të jenë sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Këto ne i marrim shumë seriozisht”, tha Stano në një konferencë për medie në Bruksel.

Shqetësim nga BE e SHBA për forcimin e bashkëpunimit Serbi-Rusi
Peter Stano

Sipas tij, Serbia tashmë ka deklaruar se qëllim strategjik ka integrimin në bllokun europian, prandaj sipas zëdhënësit Stano, "ky vendim i Serbisë do të duhej të nënkuptonte edhe bashkëpunimin dhe përafrimin me BE-në në çështje të politikës së jashtme”. "BE-ja ka qenë krejtësisht e qartë me të gjitha vendet anëtare dhe partnerët, përfshirë edhe vendin kandidat, Serbinë. Raportet me Rusinë nuk mund të jenë punë e zakonshme nën hijen e pushtimit të paprovokuar dhe të paarsyeshëm në Ukrainë”, tha Peter Stano, i cili e ftoi udhëheqjen serbe që të sigurojë, si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, "një koherencë më të fuqishme mes nismave të saj në politikën e jashtme dhe mbështetjen për vlerat ndërkombëtare dhe pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

Hill: "Askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë në këtë moment"

Marrëveshja e bashkëpunimit në politikën e jashtme ndërmjet Serbisë dhe Rusisë është kritikuar edhe nga SHBA, përmes ambasadorit të saj në Serbi, Christofer Hill. Ky i fundit, siç shkruajnë mediet në Serbi, i kërkoi autoriteteve serbe një shpjegim për atë që u nënshkrua si marrëveshje me Rusinë në Nju Jork. "Askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë në këtë moment", është shprehur Hill.  "Prandaj është shumë e vështirë për ne të kuptojmë ekzistencën e një dokumenti apo protokolli të tillë, por shpresojmë dhe presim që të dëgjojmë më shumë për të dhe të shpjegohet në një farë mënyre”, citohet të ketë thënë ambasadori amerikan, duke shtuar se "SHBA pret  nga Serbia që të bëjë diçka për të diversifikuar energjinë e saj dhe të zvogëlojë varësinë e saj nga Rusia, e cila bazohet kryesisht në masat e shantazhit dhe presionit”.

Shqetësim nga BE e SHBA për forcimin e bashkëpunimit Serbi-Rusi
Ministri i jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviç

Serbia mbrohet

Ministri i jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviç, ndërkaq, i pyetur nga gazetarët se çfarë përfshin plani me Rusinë dhe çfarë mesazhi i dërgon BE-së, Sellakoviq tha: "Gjithçka që ka të bëjë me kritikat dhe çështjet lidhur me këtë plan, janë kërkim i arsyeve për të sulmuar Serbinë dhe për ta qortuar”. Ai deklaroi se "plani i Konsultimeve me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë është nënshkruar që nga viti 1996, pra çdo dy vjet. Bëhet fjalë për çështje teknike siç janë marrëdhëniet dypalëshe dhe aktivitetet shumëpalëshe”, tha Selakoviq.

Për marrëveshjen dhe afrimin e saj me Federatën Ruse, Serbia u kritikua edhe nga deputetë të Parlamentit Evropian. Vladimir Bilçik, raportues për Serbinë dhe Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, të cilët nënshkrimin e marrëveshjes e shohin si një goditje të madhe për procesin e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Reagim pati edhe nga presidenca e Kosovës.  Blerim Vela shefi i kabinetit të presidentes, Vjosa Osmani, shkroi në Twitter se "procesi i aderimit të Serbisë drejt Bashkimit Evropian duhet të ndalet dhe Serbia nuk arrin të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në dhe shtetet e saj anëtare për Ukrainën”. Serbia ndërkaq, në disa nisma në OKB, ka votuar disa rezoluta në Këshill të Sigurimit që e dënojnë pushtimin rus të Ukrainës. Por megjithëse e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ajo refuzon të harmonizojë politikën e saj me atë të bllokut evropian dhe t'i vendosë sanksione Rusisë./ DW

Lajmet e fundit nga