web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Sekretet e rrezikshme të Kinës

21 Gusht 2023, 18:26, Blog CNA

Sekretet e rrezikshme të Kinës

Dihet mirë se Kina ka Marinën dhe Rojën Bregdetare më të madhe sot në botë. Kjo është rrjedhojë e 10-fishimit të shpenzimeve ushtarake që nga viti 1995, të cilat ajo i ka përdorur për të çuar përpara qasjen e saj revizioniste tejet agresive.

Por nga ana tjetër ekzistojnë shumë politika, projekte dhe aktivitete më pak të njohura - në të vërtetë shumë të errëta - të cilat po e mbështesin ekspansionizmin kinez, dhe që po e vënë në rrezik të gjithë botën. Kina ka një rekord të gjatë të zgjerimit të ndikimit së saj strategjik përmes manovrave të fshehta, të cilat ajo i mohon në  një mënyrë të paturpshme.

Për shembull në vitin 2017, ajo ndërtoi bazën e saj të parë ushtarake jashtë shtetit në Xhibuti, një vend i vogël në lindje të Afrikës, që “rastis” të jetë i mbytur në borxhe ndaj Kinës, teksa këmbëngul se nuk e kishte një plan të tillë. Sot, Kina po ndërton një bazë detare në Kamboxhia, e cila i ka dhënë Kinës me qira 1/5 e vijës së saj bregdetare si dhe disa ishuj.

Baza detare Ream e financuar nga Kina, është dukshëm e ngjashme në madhësi dhe dizajn me bazën kineze në Xhibuti. Kina e pranon se ka investuar në atë bazë, por pretendon se në të do të ketë qasje vetëm marina e Kamboxhias. Në fakt, ka shumë gjasa që marina e Kinës ta përdorë bazën të paktën për logjistikën e saj ushtarake.

Kjo do ta forconte më tej pozicionin e saj në Detin e Kinës Jugore, ku ajo tashmë ka ndërtuar 7 ishuj artificialë si baza ushtarake, gjë që i ka dhënë kontrollin efektiv të këtij korridori shumë të rëndësishëm midis Paqësorit dhe Oqeanit Indian.

Ndërkaq Kina ka një qasje shumë të fshehtë ndaj projekteve të saj masive të digave në lumenjtë ndërkombëtarë që rrjedhin edhe në vende të tjera nga Rrafshnalta Tibetiane e aneksuar nga Kina. Ndërsa bota e di se Kongresi Kombëtar Popullor miratoi ndërtimin e digës më të madhe në botë pranë kufirit shumë të militarizuar të Kinës me Indinë në vitin 2021, që atëherë nuk ka pasur asnjë përditësim publik të të dhënave mbi ecurinë e këtij projekti.

Diga supozohet se do të prodhojë 3 herë më shumë energji elektrike sesa Diga e Tre Grykave, aktualisht hidrocentrali më i madh në botë. Në këtë kuadër, Kina ka ndërtuar një hekurudhë dhe autostradë të re për të transportuar pajisjet e rënda, materiale dhe punëtorë në vendin e projektit.

Ne do të mësojmë më shumë për të, vetëm kur ndërtimi të jetë në atë fazë aq të përparuar, sa që diga të mos mund të fshihet më nga imazhet satelitore të disponueshme në treg. Në atë pikë, ajo do të jetë një fakt i kryer.

Kina e ka përdorur këtë strategji për të ndërtuar 11 diga gjigante në Mekong, jo vetëm duke fituar një ndikim gjeopolitik shtesë mbi fqinjët e saj, por edhe duke shkaktuar shumë dëme mjedisore. Kina është sot jo vetëm vendi me më shumë diga në botë, por me më shumë diga të mëdha në funksion sesa pjesa tjetër e botës e marrë bashku.

Për me tepër, ajo po ndërton ose planifikon të ndërtojë të paktën 8 diga të tjera vetëm në lumin Mekong. Nga ana tjetër, sjellja e paqartë ka qenë një tipar përcaktues i huadhënies problematike, e cila e ka bërë Kinën kreditoren më të madhe sovrane në botë për vendet në zhvillim.

Gati çdo kredi kineze e dhënë dekadën e fundit për këto të fundit, ka përfshirë një klauzolë gjithëpërfshirëse konfidencialiteti, e cila e detyron vendin huamarrës të mos zbulojë kushtet e kredisë. Shumë vende afrikane, aziatike dhe të Amerikës Latine, janë mbërthyer kësisoj në “grackën” e borxhit, duke i lënë ato shumë të cenueshme ndaj presionit kinez, duke ndjekur politika që çojnë përpara interesat ekonomike dhe gjeopolitike të Kinës.

Sipas një studimi, kontratat e huave i japin Kinës një “liri të madhe për të anuluar kreditë ose për të përshpejtuar shlyerjen nëse nuk pajtohet me politikat e një huamarrësi”. Por nuk mund të ketë një ilustrim më të mirë të kostove globale të sekreteve kineze sesa pandemia e Covid-19.

Nëse qeveria e Kinës do të reagonte shpejt pas provave se një koronavirus i ri vdekjeprurës ishte shfaqur në Vuhan, duke e paralajmëruar publikun dhe duke vënë në zbatim masat e kontrollit të virusit, dëmi që pamë mund të ishte frenuar.

Përkundrazi, Partia Komuniste e Kinës (PKK) nxitoi që të shtypë dhe diskreditojë informacionin në lidhje me shpërthimin epidemik, duke i hapur rrugën një pandemie të furishme mbarëbotërore, e cila i mori jetën thuajse 7 milionë njerëzve dhe ndërpreu jetën normale për miliarda të tjerë.

Deri më sot, sjellja e autoriteteve kineze i ka penguar shkencëtarët të konfirmojnë origjinën e vërtetë të Covid-19, i cili të mos harrojmë, u shfaq në qendrën kryesore të Kinës për kërkimin mbi super-viruset. Gatishmëria e Kinës për të shkelur ligjet, rregullat dhe normat ndërkombëtare e thellon më tej problemin e paqartësisë në lidhje me këtë çështje.

Qeveria kineze, ka refuzuar në mënyrë të përsëritur angazhimet e saj ndërkombëtare, premtimet për të mbrojtur autonominë e Hong Kongut, si dhe për të mos militarizuar ishujt në Detin e Kinës Jugore. Po ashtu, ishte shkelja e fshehtë nga Kinës e angazhimit të saj zyrtar për të mos ndryshuar në mënyrë të njëanshme status quo- në e kufirit të saj të diskutueshëm në Himalaja me Indinë, ajo që shkaktoi një përplasje ushtarake 3-vjeçare midis 2 vendeve.

Nuk ka asnjë arsye të pritet që Kina të braktisë së shpejti thyerjen e rregullave, shantazhet e saj bazuar në borxhe apo aktivitetet e tjera keqdashëse. Presidenti kinez Xi Jinping - që e ka forcuar kontrollin e Partisë Komuniste Kineze mbi informacionin, duke ua ndërprerë qasjen analistëve të huaj tek të dhënat ekonomike - po shkon drejt qëndrimit të përjetshëm në pushtet.

Ai mbetet i etur ta riformojë rendin ndërkombëtar në një mënyrë të tillë që të jetë dobi të Kinës. Natyrisht, oreksi i Xi për të ndërmarrë veprime të rrezikshme duket se po rritet. Kjo sjellje reflekton pjesërisht presionin e kohës:Xi beson se Kina ka pak kohë dhe shanse në dispozicion për të arritur epërsinë globale përpara se tendencat e pafavorshme demografike , ekonomike dhe gjeopolitike t’i japin fund kësaj mundësie.

Por nga ana tjetër, Xi është i inkurajuar edhe nga dështimi i plotë i komunitetit ndërkombëtar për t’i imponuar pasoja domethënëse mbi Kinën për shkak të sjelljes së saj të keqe. Ndërsa Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës, Kina preferon zgjerimin gradual, të mundësuar nga vjedhja dhe mashtrimi, për të çuar përpara axhendën e saj revizioniste.

Kjo së bashku me ndikimin e jashtëzakonshëm ekonomik, e mbron Pekinin nga një përgjigje vendimtare e Perëndimit. Dhe është pikërisht kjo arsyeja pse duke përjashtuar një gabim të madh strategjik nga ana e Xi Jinping, ka të ngjarë që të vazhdojë hap pa hapi ekspansionizmi global i Kinës.

Shënim:Brahma Chellaney, profesor i studimeve strategjike në Qendrën për Kërkime Politike me bazë në Nju Delhi, dhe bashkëpunëtor në Akademinë Robert Bosch në Berlin./ Pershtatur nga CNA





Lajmet e fundit nga