web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Jeta misterioze e Ponc Pilatit, guvernatorit romak që urdhëroi kryqëzimin e Jezusit

18 Gusht 2023, 08:37, Blog CNA

Jeta misterioze e Ponc Pilatit, guvernatorit romak që urdhëroi

Ponc Pilati ishte për afro 10 vite guvernatori romak i Judesë, pra i Palestinës dhe Izraelit të sotëm. I kujtuar më së miri nga historia për rolin e tij në kryqëzimin e Jezu Krishtit, Pilati është një figurë historike kryesisht misterioze.

Rrëfimet kontradiktore historike dhe biblike, e përshkruajnë atë ose si një tiran të pamëshirshëm të pa interesuar për ligjet dhe të pandjeshëm për fatin e nënshtetasve të tij, ose si një udhëheqës të pasigurt dhe të frustruar. Madje edhe rrethanat e dënimit të Jezu Krishtit janë disi të turbullta.

Ponc Pilati ishte guvernatori i pestë i Judesë në vitet 26-36 të Erës Sonë nën sundimin e perandorit romak Tiberit. Por të dhënat historike mbi jetën e tij para se të bëhej guvernator janë të pakta. Disa studiues besojnë se ai ka lindur në Itali dhe vinte nga një familje fisnike. Ai besohet se mund t’i jetë bashkuar ushtrisë me emrin Pilat, që në latinisht do të thotë “i armatosur me shtizë”. Kjo nofkën sugjeron se Pilati mund të ketë shërbyer në ushtrinë romake si një gjuajtës i aftë më shtizë.

“Bazuar tek informacioni që kemi sot për guvernatorët e tjerë por edhe tek mënyra sesi sistemi perandorak romak e ruante kontrollin e pushtetit, mund të hamendësojmë në mënyrë të arsyeshme se Pilati ka pasur me gjasë një lloj karriere ushtarake, në të cilën ai mund të jetë dalluar në një farë mënyre si oficer. Po ashtu jemi të sigurt se ai i përkiste shtresës së lartë të shoqërisë romake, dhe se familja e tij ishte e pasur”- shkuan studiuesi i Dhiatës së Re Uorren Karter në librin e tij “Ponc Pilati: Portreti i një guvernatori romak”.

Ndërkohë historianit Daniel R.Shvarc shkruan se Pilati u emërua prefekt. Ky ishte një rol i rangut të lartë, që përfshinte mbikëqyrjen e financave dhe ushtrisë së një rajoni. Po ashtu ai kryente rolin e kryegjyqtarit dhe kreut të administratës civile.

Për shkak se ai ishte përfaqësuesi romak i një zone me shumicë hebreje, Pilati ndau detyrat me një këshill elitar hebre të quajtur Sinedri. Gjatë 10 viteve të tij në këtë rol, Pilati mblodhi taksa dhe mbikëqyri projektet e ndërtimit të Judesë. Megjithatë, ai është më i famshëm për rolin e tij në ruajtjen e rendit dhe ligjit në rajon.

Edhe pse Ponc Pilati e mbante pushtetin duke pasur formalisht në krah një këshill hebrenjsh, historianët bien dakord se ai kishte një marrëdhënie të turbullt me ??ata që qeveriste. Sipas Flavio ??Jozefuit, një historian romako-hebre i shekullit I, në librin e tij “Luftërat e Judenjve”, Pilati e zemëroi në një rast popullsinë lokale hebreje duke urdhëruar vendosjen e imazheve të Çezarit.

Siç citohet nga Pol Majer në librin “Guvernatorët romakë”, Jozefi shkroi se Pilati “kishte ndërmend të përmbyste zakonet judaike, duke futur në qytet bustet e perandorit që vinin nga standardet ushtarake, pikërisht në një kohë kur ligji ynë hebraik e ndalon bërjen e shëmbëlltyrave të njerëzve”.

Kur njerëzit protestuan për 5 ditë me radhë kundër përmendoreve, thuhet se Pilati i urdhëroi ushtarët e tij që t’i rrethonin dhe t'i kërcënonin me vdekje nëse nuk pushonin së protestuari. Kur hebrenjtë thanë se më mirë të vdisnin sesa të shihnin shkeljen e ligjeve të tyre, ai u pendua dhe i tërhoqi imazhet.

Përveç kësaj, Jozefi shkruan se Pilati i ofendoi judenjtë sërish duke përdorur fondet e Tempullit për të ndërtuar ujësjellësa në Jerusalem. Kur u mblodh një turmë e revoltuar që u nis të përballej me Pilatin, dyshohet se ai i rrahu brutalisht ata derisa u shpërndanë ose vdiqën.

Jeta misterioze e Ponc Pilatit, guvernatorit romak që urdhëroi

Ungjilli i Lukës kujton gjithashtu një rast tjetër brutaliteti në sundimin e Pilatit, duke thënë:

“Disa nga ata në turmë e njoftuan Jezusin se Pilati kishte therur disa judenj galileas në kohën kur ata po ofronin flijime në tempull, duke përzier gjakun e tyre me flijimet që po ofronin”.

Pra me sa duket, rrëfimet historike e përshkruajnë Pilatin si një sundimtar të ashpër dhe ndonjëherë mizor, i gatshëm të përdorte forcën për ta mbajtur nën kontroll popullin e Judesë. Por shumë tekste biblike e tregojnë Pilatin në një dritë më simpatike, pavarësisht nga fakti se ishte Pilati ai që e dënoi Jezusin me vdekje.

Madje disa kisha të krishtera e njohin si një shenjtor prefektin romak. Sipas Ungjillit, Sinedri e kishte arrestuar Jezusin pasi ndihej i kërcënuar nga mësimet e tij, për shkak të pretendimeve se ai ishte “Mbreti i Judenjve”, gjë që do të konsiderohej si blasfemi por edhe tradhti.

Ushtarët e çuan Jezusin te Ponc Pilati për gjykim, por ky i fundit hezitoi ta dënonte. Ungjijtë e përshkruajnë Pilatin si në dilemë dhe të pavendosur në lidhje me fatin e Jezusit. “Çfarë akuze po ngrini kundër këtij njeriu?”- e pyeti ai Sinedrin.

“Nëse ai nuk do të ishte një kriminel, ne nuk do ta kishim dorëzuar atë tek ju”- u përgjigj këshilli hebre. Por duke mos parë asnjë bazë ligjore për ta dënuar Jezusin me vdekje, Pilati u përpoq t’ia linte përgjegjësinë, pleqve judenj: “Merreni vetë dhe gjykojeni sipas ligjeve tuaja!”.

Por ata refuzuan. Dhe tek e fundit, Pilati ishte i vetmi që gëzonte autoritetin për të urdhëruar dënimin me vdekje, dhe ata donin që Jezusi të ekzekutohej. Sipas Testamentit të Ri, i lodhur nga këmbëngulja e tyre, Pilati iu dorëzua kërkesave të autoriteteve judaike dhe urdhëroi që Jezusi të kryqëzohej.

Thuhet se në atë moment, Pilati lau duart para këshillit hebre, duke mohuar përgjegjësinë e tij dhe duke fajësuar hebrenjtë. Siç shkruan Mateu: “Kur Pilati pa se nuk po fitonte asgjë ndërsa ishte gati të niste një trazirë, ai mori një kovë me ujë dhe lau duart përpara turmës, duke thënë: “Unë jam i pafajshëm për gjakun e këtij njeriu; me të merruni vetë!”.

Më vonë, thuhet se Pilati urdhëroi që në kryqin e tij të shkruhej “Jezusi i Nazaretit, Mbreti i Judenjve”. Disa mendojnë se kjo ishte një tallje për Jezusin, por të tjerë besojnë se ai arriti ta shohë realisht Jezusin si Mbretin e Judenjve. Sipas Letrave të Herodit dhe Pilatit, për të cilat disa besojnë se janë korrespondenca e vërtetë midis Ponc Pilatit dhe mbretit Herod, Pilati u mundua nga faji pas kryqëzimit të Jezusit.

Jeta misterioze e Ponc Pilatit, guvernatorit romak që urdhëroi

Në një letër, Pilati flet për takimin me një Jezus të ringjallur dhe për pendimin për rolin e tij në vdekjen e tij. “Por kur e pamë, të gjithë ramë me fytyrë për tokë para këmbëve të tij. Dhe unë thashë me zë të lartë: Kam mëkatuar, o Zot. Unë e di se ti je Perëndia, Biri i Perëndisë, dhe unë pashë pjesën tënde njerëzore dhe jo atë hyjnore. Por Herodi me bijtë e Izraelit më detyroi të të bëj të keqen. Ki mëshirë, pra, për mua, o Perëndi i Izraelit!”.

Dhe ndonëse shumë studiues dyshojnë në vërtetësinë e këtyre letrave, këto tekste mbështesin një teori rreth asaj që ndodhi me guvernatorin pas kryqëzimit të Jezusit: që ai u konvertua në Krishterim dhe u bë një ndjekës i devotshëm i Jezusit.

Ndërkohë sipas tregimeve të tjera historike më të besueshme, Pilati e humbi postin e tij pasi thuhet se masakroi një grup samaritanësh që po përpiqeshin të ngjiteshin në një mal në kërkim të relikteve të shenjta që besonin se i përkisnin varrit të Moisiut.

Samaritanët e tjerë u ankuan për përdorimin e tepërt të forcës nga Pilati tek Viteliusi, guvernatori romak i Sirisë, që mbante një pozicion politik më të lartë. Viteliusi e ktheu Ponc Pilatin në Romë për të diskutuar veprimet e tij me vetë perandorin romak. Rrëfimet mbi jetën e Pilatit përfundojnë në përgjithësi këtu, dhe historianët nuk janë të sigurt nëse ai u kthye nga Roma në Jude.

Nëse kjo ka ndodhur, perandori ka të ngjarë ta ketë larguar nga posti i tij. Pra ai nuk u kthye më për të sunduar mbi Judenë. Ndërsa disa burime thonë se Ponc Pilati u konvertua në krishterim, të tjera sugjerojnë se fundi i tij ishte më i errët. Disa besojnë se perandori romak Kaligula e ekzekutoi me vdekje, apo se Pilati u internua dhe më vonë vrau veten./ Pershtatur nga CNA





Lajmet e fundit nga