web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një histori tradhtie/ Ekipi i Xho Bajden po vazhdon të negociojë për Ukrainën pa Ukrainën

16 Gusht 2023, 11:50, Blog Garry Kasparov

Një histori tradhtie/ Ekipi i Xho Bajden po vazhdon të negociojë

Tetëmbëdhjetë muaj pas pushtimit të plotë të kombit të tyre nga Rusia, populli ukrainas vazhdon të rezistojë. Përgjigjja e botës së lirë në mbrojtjen e Ukrainës, e udhëhequr nga vendet e NATO-s, ka qenë e fortë, sidomos nëse krahasohet me qëndrimin e squllur që pasoi pushtimin e parë të Putinit në Ukrainë në vitin 2014.

Evropa Lindore dhe Veriore, të cilat e kuptojnë shumë më mirë kërcënimin që vjen nga Rusia, kryesojnë në ndihmën që kanë dhënë në raport me PBB-në e tyre. Por ndihma ushtarake dhe ekonomike që bën diferencën ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë armët që i duhen Ukrainës për të mbrojtur popullin e saj dhe dëbuar pushtuesit po mbahen ende peng nga aleatët e tyre me në krye Shtetet e Bashkuara. Pa asnjë shpjegim, administrata e Xho Bajden ka pasur një qasje neglizhente ndaj të vetmes gjë që ka më shumë rëndësi: dhënies fund të kësaj lufte.

Diktatori rus Vladimir Putin e ka bërë të qartë se lufta do të përfundojë vetëm me humbjen e tij dhe çlirimin e të gjitha territoreve të Ukrainës me forcën e armëve. Dhe unë kam dyshimet e mia përse SHBA-ja e ka vonuar qëllimisht atë fund të dëshirueshëm.

Frika ime është se administrata Bajden ëndërron të negociojë një marrëveshje imorale sipas formulës “tokë në këmbim të paqes” me kriminelin e luftës Putin, në vend se t’i japë Ukrainës të gjitha armët që i nevojiten për të fituar shpejt luftën dhe për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish.

E pranoj se supozimi im bazohet në prova rrethanore, por edhe në historikun e gjatë të zyrtarëve të Bajden dhe marrëdhëniet e tyre të pakëndshme me Putinin dhe diktaturat e tjera.

Javën e kaluar u përkujtua 15-vjetori i pushtimit të Gjeorgjisë nga Vladimir Putin, një tjetër luftë që s’duhet ta harrojmë. Ajo ishte paralajmërimi që u shpërfill nga të gjithë. Dhe territori gjeorgjian është ende i pushtuar nga rusët. Në atë kohë, gushtin e 2008-ës, bota e lirë reagoi jo vetëm me indiferencë, por administrata e Obamës që mori detyrën në janar 2009 i shpërbleu pushtuesit me politikën katastrofike të “rivendosjes” së raporteve të ngushta me Rusinë.

Dhe sot po vuajmë pasojat e asaj sjelljeje frikacake. Ndërkaq, të njëjtët politikanë dhe gjeneralë jo vetëm që refuzojnë ta ndalin luftën e Putinit ndaj botës së lirë, por e pengojnë Ukrainën që të luftojë për tokën e saj, ndërsa përpiqen të negociojnë fshehurazi marrëveshje të vjetra me Kremlinin.

Ata i kufizojnë armët që mund të ketë Ukraina në dispozicion. Vetëm këtë javë, "Washington Post" raportoi se pas disa muajsh vonesë, ka nisur trajnimi për 6 pilotët e parë ukrainas për drejtimin e avionëve luftarakë F-16, i cili nuk do të përfundojë deri në verën e vitit të ardhshëm! Në fillim nuk mund ta besoja numrin që po lexoja. Pra NATO po trajnon gjithsej 6 pilotë.

Jo 600. As 60, por vetëm 6! Këshilltarët e Bajden u përpoqën që në fillim të negocionin me Rusinë pas shpinës së Ukrainës. Më pas, kur nuk arritën dot një marrëveshje me Putinin, ekipi i Bajden u përgatit t’ia dorëzonte Ukrainën Kremlinit.

Edhe sot, ndërsa ukrainasit vazhdojnë të luftojnë - jo vetëm për lirinë e tyre, por për mbrojtjen e të gjithë rendit global të sigurisë dhe vlerave të botës së lirë - Bajden nuk është distancuar ende nga ideja e negocimit me Putinin në kurriz të Ukrainës.

Negociatorët kryesorë të Bajdenit - drejtori i CIA-s Bill Bërns, i dërguari presidencial Xhon Kerri dhe këshilltari për sigurinë kombëtare Xhek Sallivan - kanë shërbyer në stafin e politikës së jashtme të administratës Obama. Secili prej atyre që dërgon Bajden për të negociuar fshehurazi me Rusinë, ka punuar me të për vite me radhë, ka ndarë bindjet e tij dhe flet në emër të tij.

Kjo treshe ndan mendësinë e Bajdenit të Luftës së Ftohtë mbi fuqitë e mëdha që diktojnë fatet e botës, duke negociuar marrëveshje sekrete në dhomat të errëta. Kur ata  takojnë “rastësisht” zyrtarët e Kremlinit në hotele jo shumë të zhurmshme në Ankara ose Delhi, apo flasin në telefon në kontaktet e tyre “rutinë”, janë në fakt duke negociuar pas shpinës së Ukrainës.

Gjithsesi, duhet ta theksoj se jo të gjithë ‘togerët’ e Bajden janë të përfshirë në këtë marrëveshje të turpshme. Sekretari i Mbrojtjes Lloid Ostin dhe Sekretari i Shtetit Entoni Blinken e kanë mbështetur vazhdimisht Ukrainën, si publikisht ashtu edhe privatisht, por në mesin e burokracisë së politikës së jashtme, treshja Kerri, Bërns dhe Sallivan duket se kanë më shumë autoritet sesa dy sekretarët. Edhe vartësit e Ostin dhe Blinken duken shpesh më besnikë ndaj treshes së negociatorëve sesa ndaj shefave të tyre.

Bill Bërns është ‘Kisingeri’ i Bajdenit, dhe luan politikën e fuqive të mëdha me Kremlinin dhe homologun e tij Sergei Narishkin, kreun e inteligjencës së Kremlinit. Gjatë administratës Obama, Bërns dhe Sallivan u dërguan fshehurazi për të negociuar JCPOA, Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit me Iranin për kufizimin e programit të tij bërthamor.

Kur u tërhoq nga Afganistani, Bajden dërgoi fshehurazi Bërns për të negociuar me talebanët. Kur donte të rriste prodhimin e naftës nga sauditët, ai dërgoi sërish fshehurazi Bërns për të arritur një pakt me Princin e Kurorës Muhamed Bin Salman.

Ndërkohë, Xhon Kerri luan një rol të ngjashëm si negociator në prapaskenë. Puna e tij si i dërguar për klimën, është një mbulesë e përshtatshme për t’u lidhur me kontaktet e tij të vjetra diplomatike. Kerri bisedon shpesh me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, të cilin e njeh shumë mirë që nga mandati i tij si Sekretar Shteti i Obamës.

Së bashku me Xhek Sallivan, kjo treshe vazhdon që të parashtrojë propozime paqeje për Ukrainën pa pjesëmarrjen e Ukrainës. Ky është edhe ekipi që vazhdon të vonojë transferimet e armëve në Ukrainë, duke kushtuar shumë jetë të pafajshmish.

Çdo ditë që Amerika nuk është plotësisht e përkushtuar ndaj fitores së Ukrainës, e thellon më tej gjenocidin e Rusisë. Ukrainasit po vdesin sot, sepse administrata e Bajden po refuzon të veprojë. Është koha të bëhet një zgjedhje:ose ukrainasit të gëzojnë të njëjtën të drejtë për liri, jetë dhe liri që gëzojnë të gjithë njerëzit ose jo. Ne ose luftojmë ose jo fort për një botë rregullash dhe vlerash.

Bill Bërns, Xhon Kerri dhe Xhek Sallivan, jetojnë në një botë ku fuqitë e mëdha vendosin rregullat dhe vendet e vogla duhet t’i binden. Po ashtu edhe Putin. Ne të tjerët nuk duhet të jetojmë në atë botë. Ne mund të zgjedhim të udhëhiqemi nga morali, jo nga ndonjë llogaritje e ftohtë politike që nuk arrin gjithmonë të dalë ashtu siç mendohej.

Në vend se të analizojë videot seksuale të Hanter Bajden, Kryetari i Kongesit, Mekarthi, duhet të bëjë punën e tij dhe të vendosë nën betim Bërns, Kerrin dhe Sallivan. Nuk mund të ketë më bisedime të fshehta me Putinin dhe mafien e tij kriminale që po bën luftën në Ukrainë. Demaskojini negociatorët sekretë të Bajdenit, dhe detyrojini që ata të japin llogari para popullit amerikan, që në masë të madhe e mbështet Ukrainën. 

Marrë me shkurtime

Shënim: Rusi Garry Kasparov jeton sot në SHBA. Ai është kryetar i Fondacionit për të Drejtat e Njeriut. Dikur ka qenë për disa vite kampion botëror në lojën e shahut./ Përshtatur nga CNA





Lajmet e fundit nga