web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Demokracia dhe çmimi i votës

20 Gusht 2023, 11:14, Blog CNA

Demokracia dhe çmimi i votës

Ekonomisti tipik nuk ka dhe aq shumë të përbashkëta me një protestues tipik në një diktaturë të dështuar. Ekspertët janë zakonisht pesimistë, ndaj ata favorizojnë nxënien e leksioneve të kujdesshme, të hartuara me shumë kujdes, me parashikime jo shumë të fryra, dhe që mbështeten nga dekada të dhënash dhe modelimesh tejet rigoroze.

Nga ana tjetër, protestuesit kanë nevojë për argumente që i entuziazmojnë dhe për premtime gjigante se sa e mirë do të jetë jeta sapo të arrihen qëllimet e tyre, pasi në këtë mënyrë mund të rekrutoni njerëz për të mbështetur një kauzë të caktuar. Por që të dyja grupimet kanë një tipar të përbashkët: priren që të jenë demokratë të flaktë.

Institucionet demokratike janë shumë të mira për rritjen ekonomike të një vendi. Kjo është një nga gjërat e pakta për të cilat bien dakord ekonomistët pas disa dekadash kërkime mbi lidhjet e ngushta midis politikës dhe zhvillimit të një vendi. Diktatorët mund të jenë në gjendje të kontrollojnë shtetin, burimet e tij dhe pjesën më të madhe të shoqërisë.

Por vendet që mbajnë rregullisht zgjedhje dhe kanë institucione të konsoliduara prej kohësh, priren të kenë qeveri të besueshme, ministra financash kompetentë, si dhe sisteme ligjore të besueshme. Në një studim të botuar në vitin 2019, Daron Açemoglu i Institutit të Teknologjisë në Masaçusets në Boston dhe kolegët e tij i ndanë vendet në diktatura dhe demokraci.

Ata zbuluan se 25 vite pas kalimit të përhershëm nga kampi i parë në të dytin, PBB-ja e një vendi ishte 20 për qind më e lartë. Problemi është se ky kalim zgjat në fakt më shumë dhe është më i kushtueshëm sesa supozohet shpesh. Për këtë, mjafton që të shihni përtej ndarjes bardh e zi që bën Açemoglu në studimin e tij.

Demokracia dhe çmimi i votës

Nëse lejoni që disa vende të jenë më demokratike se të tjerat - tek e fundit s’ka kuptim të vendoset një demokraci shekullore në të njëjtën kategori me atë që është në fillesat e saj - atëherë na shfaqet një panoramë tjetër. Në një studim të botuar vitin e kaluar, Nauro Kampos i Kolegjit Universitar të Londrës dhe kolegët e tij, zbuluan se regjimet përballen me probleme kur përpiqen që të heqin qafe tendencat autokratike.

Mesatarisht, vendet humbasin 20 për qind të PBB-së për person në 25 vitet pas daljes nga një diktaturë në krahasim me rrugën e tyre të mëparshme të rritjes ekonomike, pjesërisht sepse shumë prej tyre e kanë të vështirë të përballen me tranzicionin drejt demokracisë.

Dhe sot ka më shumë se kurrë regjime të tilla ndërmjet 2 regjimeve kryesore, pra autokracisë dhe diktaturës (87 sipas Economist Intelligence Unit). Institucionet e besueshme, janë një parakusht për zhvillimin e një vendi, por ato demokratike kërkojnë shumë kohë për t’u ndërtuar.

Vendet nuk e mbyllin një ditë nën sundimin e një diktatori ushtarak, dhe ta fillojnë ditën tjetër me një Gjykatë të Lartë tërësisht të formuar. Shërbimet civile që e dinë se kur duhet të distancohen nga sektori privat, sistemet ligjore që mbrojnë të drejtat e pronës, bamirësitë dhe universitetet e lulëzuara, kërkojnë dekada për t’u zhvilluar.

Investitorëve u duhet edhe më shumë kohë për t’u bindur. Demokracitë shpenzojnë më shumë për shëndetësinë dhe arsimin, gjë që jep rezultate, por vetëm pas dekadash. Ndërkohë rishikimi i politikës jep efekte të menjëhershme, duke e tronditur ekonominë.

Pak autokratë janë teknokratë të arsyeshëm. Por ata diktojnë gjithmonë gjërat, ndërsa demokracia nis të përparojë, edhe pse bën herë pas here hapa pas. Vendet kanë shpeshherë nevojë për disa udhëheqës dhe kushtetuta të reja përpara se të ngecin reformat.

Për më tepër, ekziston gjithnjë rreziku që një eksperiment demokratik të përfundojë me një grusht shteti, luftë ose kryengritje. Për bizneset, është e rrezikshme t’i varin të gjitha shpresat te stabiliteti i vendit. Vendasit nuk duan që të afrohen me politikanët, dhe zemërojnë ata që do të vijnë më pas në krye të vendit.

Kreditorët e huaj duan t’i japin hua një qeverie, që do të jetë ende në gjendje që t’ia kthejë atë. Ndërkohë zgjedhjet mbartin edhe kosto. Autokratët manipulojnë rezultatin, përmes veprimeve që janë të ndërlikuara, por edhe të kushtueshme.

Por të fitosh një palë zgjedhje të tilla - detyra e një politikani në një vend me demokraci të re - është shpesh akoma më e kushtueshme. Në fund të fundit, ndikimi përmes bindjes (si për shembull premtimet për stadiume të reja sportive) gjeneron më shumë para sesa shtypje.

Një perandori mediatike e drejtuar nga partia në pushtet, do të jetë në gjendje të shpenzojë miliarda dollarë. Premtimet për mirëqenien sociale që sjellin votat e fitores, do të jenë edhe më të kushtueshme. Ndërkohë demokratët e rinj, priren të mbështeten te rrjetet e aleatëve të tyre në botën e biznesit për të bërë fushatën elektorale.

Demokracia dhe çmimi i votës

Këto rrjete mund të jenë më të përhapura sesa ato që mbajtën në pushtet paraardhësit e tyre. As drejtuesit e plotfuqishëm, si gjeneralët apo biznesmenët, dhe as votuesit që ata sjellin, nuk do të jenë veçanërisht të prirur për të pranuar ulje page. Pak kandidatë janë vetë të pasur, gjë që do të thotë se pagesat shpesh vijnë nga shteti pasi kandidatët ngjiten në pushtet.

Bilancet fiskale bien ndesh me korrupsionin, ndërsa qarqet rreth liderit grumbullojnë sa më shumë para. Mundësia e humbjes së zgjedhjeve të ardhshme, e forcon ndonjëherë urgjencën e aktiviteteve të tilla të paligjshme në vend se t’i dekurajojë ato. Ç’është më e keqja, presidentët e rinj zgjedhin ndonjëherë të japin me qira pjesë të qeverisë së tyre.

Në vend se të privatizojnë kompanitë shtetërore, atyre u pëlqen të përdorin si shpërblim pozicionet e bordeve, dhe të shpërndajnë licenca për monopolet kombëtare. Shërbimi civil ndryshon drejtim. Investimet kryesore - të planifikuara për diku tjetër - migrojnë në rajonet që e mbështetin më shumë udhëheqësin në fuqi.

Nuk ka para, ekspertizë apo kohë për t’u shqetësuar për rritjen ekonomike. Sado i kushtueshëm të jetë ndryshimi, rrethanat që e provokojnë atë nuk janë pak më të mira. Açemoglu konstaton se PBB-ja për frymë, ka prirjen të ndalojë së rrituri në 5 vitet para se një vend të bëhet një demokraci.

Suharto, ish-diktatori i Indonezisë, dha dorëheqjen në vitin 1998, një vit pasi nisi kriza financiare në Azi. Në vitin 2011, sheshi Tahrir në Kajro, Egjipt, u mbush me protestues që kërkonin “Bukë, dinjitet dhe liri”. Sërish sot në Egjipt po mbahen protesta politike pas vitesh të tëra krize politike dhe ekonomike.

Po kështu ndodh me Sri Lankën dhe Pakistanin. Nuk ka asgjë më të mundshme që t’i shtyjë politikanët drejt reformave, apo popullsinë drejt protestës, sesa inflacioni, papunësia dhe rënia e standardeve të jetesës. Shumë shpesh, autokratët janë fajtorët kryesorë për këto probleme.

Por ndryshimi liderëve apo mbajtja e zgjedhjeve, nuk do t’i ndreqë menjëherë pasojat e keqmenaxhimit ekonomik që ka vazhduar për dekada të tëra. Vështirësitë e demokratizimit, mund të ndihmojnë për të shpjeguar edhe arsyen pse kaq shumë vende kanë mbetur në një fazë të tranzicionit pa qenë plotësisht demokraci.

Megjithëse një votim popullor ofron përfitime ekonomike të konsiderueshme, ato kërkojnë kohë për t’u shfaqur, ndërsa kostot janë më të menjëhershme. Njerëzit që nuk janë më në gjendje të sigurojnë bukën e gojës pas përmbysjes së një autokrati, pavarësisht premtimeve të mëdha që u shitën nga liderët popullorë, kanë më shumë gjasa t’u kthejnë shpinën reformave që kërkohen. Rruga drejt demokracisë është plot me eksperimente të dështuara./ Përshtatur nga CNA





Lajmet e fundit nga