web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Në Srebrenicë shënohet 31-vjetori i gjenocidit

11 Korrik 2026, 09:24, Kosova & Bota CNA

Në Srebrenicë shënohet 31-vjetori i gjenocidit

Në Qendrën Memoriale Potoçari në Srebrenicë, në 31-vjetorin e gjenocidit do të varrosen mbetjet mortore të dhjetë viktimave.

Viktima më e re është Senad Jusiç, i lindur në vitin 1975. Ai u zhduk në korrik të vitit 1995 në zonën e Bratuncit, ndërsa mbetjet e tij mortore u zhvarrosën në vitin 2022.

Viktima më e moshuar është Ramo Dautoviç, i lindur në vitin 1939, i cili u zhduk në zonën e Zvornikut.

Më 11 korrik, në mbarë Bosnje e Hercegovinën dhe në vende të ndryshme të botës po shënohet 31-vjetori i krimit më të rëndë të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit, në verën e vitit 1995, u vranë mbi 8.300 boshnjakë.

Në Potoçari pritet të marrin pjesë delegacione nga Bosnja dhe nga jashtë vendit, si dhe mijëra pjesëmarrës të Marshit të Paqes, të cilët për tri ditë ecën përgjatë rrugës nëpër të cilën të mbijetuarit u përpoqën të arratiseshin nga Srebrenica e rrethuar.

Më 9 korrik, në Nju Jork u mbajt një ceremoni përkujtimore në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sot, ditë zie është shpallur vetëm në entitetin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës.

Deri më tani, në Qendrën Memoriale në Potoçari janë varrosur 6.772 viktima të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa rreth 250 të vrarë janë varrosur në vende të tjera, sipas kërkesës së familjeve të tyre. Mbi 1.000 persona nga Srebrenica dhe komunat përreth vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 nxori një aktgjykim, në të cilin konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, e cila atëherë ishte zonë e mbrojtur e OKB-së, Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid.

Po e njëjta gjykatë e shpalli Serbinë përgjegjëse për mosparandalimin e gjenocidit dhe konstatoi se ajo kishte shkelur detyrimin për të ndëshkuar autorët e gjenocidit.

Para gjykatave të ndryshme, deri më tani më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Me burgim të përjetshëm janë dënuar, ndër të tjerë, ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiç, dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Ratko Mlladiç. /REL





Lajmet e fundit nga