LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Mali i Zi, analistët komentojnë 100 ditët e qeverisë

10 Shkurt 2024, 20:50, Kosova & Bota CNA

Mali i Zi, analistët komentojnë 100 ditët e qeverisë

Analistët vlerësojnë se 100 ditët e para të qeverisë së Mal të Zi janë mes pritshmërive dhe premtimeve të papërbushura. Ata thonë se u shënuan disa suksese siç janë zhbllokimi i institucioneve gjyqësore, zgjedhja e kryeprokurorit, marrëveshja rreth regjistrimit të popullsisë që sipas tyre janë një shenjë e mirë për ringjalljen e procesit të integrimit evropian.

Analisti Nail Draga vlerëson si sukses zhbllokimin e institucioneve gjyqësore dhe marrëveshjen për regjistrimin e popullsisë.

“Për këto 100 ditë të punës së qeverisë janë realizuar disa suksese. Fjala është për zhbllokimin e institucioneve gjyqësore duke marrë parasysh se ishin në një situatë të pavolitshme, të trashëguara më herët dhe një sukses i veçantë ishte mbajtja e regjistrimit të popullsisë në muajin dhjetor të vitit të kaluar”, tha zoti Draga për Zërin e Amerikës.

Ndërkaq, analisti Bekim Çobaj i vlerëson disa lëvizje të qeverisë që ishin të rëndësishme për të shpëtuar rrugën evropiane të Malit të Zi.

“Dua të them se ka pasur disa lëvizje që ishin thelbësore në një situatë kur rrezikohej rruga evropiane e Malit të Zi. Flas konkretisht për emërimin e kryeprokurorit, për plotësimin e Këshillit Prokurorial dhe për zgjedhjen e gjykatësit të shtatë të Gjykatës Kushtetuese që mungonte”, tha zoti Çobaj.

Nga ana tjetër analistët vlerësojnë se cilësia e punës së departamenteve ndryshon dukshëm ku qeveria nuk ishte në gjendje të miratonte një program vjetor të punës si dhe nuk mund të mburret me një nivel të lartë transparence.

Në këtë kuadër zoti Draga e sheh si një sfidë të madhe mos miratimin e programit qeveritar dhe përfshirjen e përfaqësuesve pro-serb dhe pro-rus në qeveri.

“Si fillim kjo qeveri nuk ka miratuar në parlamentin e vendit programin e vet qeveritar 'Evropa 2' për vitin 2024, që është detyrim ligjor dhe kushtetues, ndërsa çështje tjetër është vendimi për pjesëmarrjen në qeveri të forcave politike pro-serbe dhe pro-ruse. Ky vendim paraqet sfidë për momentin në Malin e Zi”, tha zoti Draga.

Kurse analisti Çobaj shpreh rezerva për zhvillimin ekonomik të paralajmëruar në fushatën zgjedhore.

“Nëse flasim për aspekte ekonomike, gjegjësisht për programin 'Evropa 2', me të cilën partia në pushtet edhe doli në zgjedhje, është fakt se deri tani nuk është bërë publik. Unë personalisht mendoj se nuk ekziston një program i tillë, por është përdorur si një propagandë për ti fituar zgjedhjet”, tha zoti Çobaj.

Në këtë qeveri, sipas analistëve vërehet një dukuri e pazakontë e që është rindërtimi i saj me përfaqësues pro-serb dhe pro-rus, kurse lufta për dominim në sektorin e sigurisë vazhdon të bllokojë krijimin e një politike të qëndrueshme dhe efektive në këtë fushë.

Sfidat e vërteta për qeverinë mbetet trajtimi me ndjeshmëri të veçantë protestat dhe grevat e paralajmëruara të punëtorëve të sektorëve të ndryshme në vend. Mënyra se si do të ketë qasje ndaj këtij problemi do ta përcaktojë fatin e saj të mëtutjeshëm, thanë analistët./ VOA

Lajmet e fundit nga