web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Europa përfshihet nga vala e të nxehtit, Italia në alarm me temperatura deri në 45°C

14 Korrik 2026, 09:54, Kosova & Bota CNA
Europa përfshihet nga vala e të nxehtit, Italia në alarm me
Foto ilustruese

Një valë e fuqishme të nxehti ka përfshirë Italinë dhe pjesë të tjera të Europës, duke sjellë temperatura ekstreme dhe paralajmërime për rrezik shëndetësor në disa vende.

Autoritetet italiane kanë vendosur alarmin e kuq në disa qytete, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se temperaturat do të vazhdojnë të rriten gjatë ditëve të ardhshme. Firence, Peruxhia, Breshia dhe Torino janë ndër zonat ku është aktivizuar niveli më i lartë i rrezikut, ndërsa pritet që në listën e qyteteve të prekura të përfshihen edhe Roma, Bolonja dhe Frosinone.

Sipas parashikimeve, termometri pritet të shënojë deri në 41 gradë Celsius në shumë zona të Italisë qendrore dhe jugore, ndërsa në disa rajone të brendshme dhe në ishullin e Sardenjës temperaturat mund të arrijnë deri në 45 gradë.

Vapa ekstreme ka sjellë edhe pasoja të tjera për vendin. Rajoni i Piemontes po përballet me mungesë të burimeve ujore për shkak të thatësirës, ndërsa autoritetet kanë ngritur shqetësimin për ndikimin e krizës së ujit në ditët në vijim.

Temperaturat e larta kanë prekur edhe punonjësit që punojnë në ambiente të hapura. Në Firence, korrierët e shpërndarjes së ushqimeve kanë kërkuar kushte më të sigurta pune dhe masa mbrojtëse gjatë orëve të pikut të vapës.

Edhe vende të tjera europiane po përballen me pasojat e motit ekstrem. Në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat e larta kanë rritur rrezikun për zjarre, ndërsa në Francë janë raportuar vatra zjarri në zona pyjore. Në Gjermani, autoritetet kanë evidentuar një rritje të rasteve të mbytjeve gjatë periudhës së temperaturave të larta.

Autoritetet shëndetësore në disa vende kanë këshilluar qytetarët të kufizojnë ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta, të konsumojnë lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë për grupet më të rrezikuara.

Ekspertët paralajmërojnë se valët e të nxehtit ekstrem po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në Europë, duke e bërë përballimin e temperaturave të larta një sfidë të vazhdueshme për autoritetet dhe qytetarët./ CNA





Lajmet e fundit nga