web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Air Albania” në tokë/ Si loja e “Turkish Airlines” po e mbyt “filialin” e saj

6 Shtator 2025, 11:10, Denoncim CNA
“Air Albania” në tokë/ Si loja e “Turkish
Foto ilustruese

Tiranë/Stamboll-Historia e zgjerimit të flotës së “Air Albania” duhej të ishte një tregim krenarie dhe pavarësie.

Por në vend të kësaj, është kthyer në një manual tipik se si një partner gjigant arrin të mbysë një kompani më të vogël duke e futur në varësi të plotë.

Dhe në këtë rast, gishti tregon vetëm në një drejtim: “Turkish Airlines” është arkitekti i krizës së “Air Albania”.

Premtimi i rremë

Në vitin 2023, “Air Albania” shpalli me bujë mbërritjen e dy Airbus A320 të marrë me qira nga GA Telesis në Majami. Tirana festoi, duke e parë këtë si hapin e parë të vërtetë për të dalë nga hija e “Turkish Airlines”.

Por, pas kuintave, kompania turke luajti ndryshe: në të njëjtën kohë, i riktheu për vete dy avionët punëtorë, ZABEL dhe ZABBC, që fluturonin me ngjyrat e “Air Albania”-s.

Madje njëri prej tyre tashmë mban krenarisht regjistrimin TC-JPZ nën flamurin e “Turkish Airlines”. Zgjerim? Jo, ishte thjesht një ndërrim i llogaritur për ta mbajtur “Air Albania”-n të varur dhe të dobët.

Flotë “e sakatuar” me qëllim

Vetëm pak muaj më vonë, një nga Airbus-ët e rinj — ZA-MMK — u mbajt në tokë në Stamboll për shkak të problemeve me motorin. Ishte korriku 2024, në kulmin e sezonit veror. Dhe sot, më shumë se një vit pas kësaj, avioni vazhdon të qëndrojë i parkuar — një monument i paaftësisë dhe, sipas shumëkujt, i sabotimit.

Pyetja është: kush e pranoi një avion me probleme të tilla? Kush nënshkroi dokumentet?

Përgjigjja është e qartë — “Turkish Airlines”. Ajo e mbikëqyri, ajo e lejoi, dhe ajo ka fuqinë teknike për ta kthyer në shërbim. Por ka zgjedhur të mos e bëjë.

Pagesë për një avion fantazmë

Ndërkohë, burime të sigurta thonë se “Air Albania” vazhdon të paguajë qira për avionin e bllokuar. Pra, kompania shqiptare po derdh para për një avion që qëndron “i vdekur” në pistë, ndërkohë që “Turkish Airlines”, me një flotë prej qindra avionësh dhe qendrën e saj të rimontimit të motorëve, qëndron spektatore.

Arsyeja? Kontrolli.

Të mbysë financiarisht “Air Albania”-n, ta mbajë të pafuqishme dhe të sigurohet që ajo të mos dalë kurrë nga kapja e Stambollit.

“Air Albania” në tokë/ Si loja e “Turkish

Gjurmë në gjykata

Loja shtrihet edhe në sallat e gjyqit. Në Londër, proceset gjyqësore kanë nxjerrë në pah se “Turkish Airlines” është e lidhur drejtpërdrejt me kontratat e qirasë së GA Telesis, madje ndoshta edhe si garantues. Nëse kjo vërtetohet, konfirmon dyshimet e hershme: “Air Albania” nuk është një kompani e pavarur, por një marionetë e komanduar nga Stambolli. Për këtë ne iu drejtuam kompanisë paditëse me këto pyetje:

1. Kush i gjeti avionët tuaj të propozuar për “Air Albania”?

2. Kush bëri pranimin teknik?

3. A është “Turkish Airlines” garant për kontratën e qirasë?

4. Pse ZA-MMK nuk po fluturon që nga vera e kaluar?

5. A po i mban “Air Albania” avionët tuaj me forcë? Nëse jo, pse e thonë lajmet?

6. A i dërguat njoftimin “Turkish Airlines” për situatën dhe a reaguan ata si garantues?

“Air Albania” në tokë/ Si loja e “Turkish
Pyetjet janë dërguar në gjuhën angleze

Përgjigja ishte e qartë. “No coment!”

“Air Albania” në tokë/ Si loja e “Turkish


Përgjigjja për CNA

Heshtja që vret

Aksionarët shqiptarë, që duhej të mbronin flamurin kombëtar, atë që dje ishte krenaria jonë, zgjodhën heshtjen. Një heshtje që ngjan frikshëm me rastin e “Air Bosnja”, ku borxhet e fryra nën petkun e një “partneriteti” e çuan kompaninë në kolaps. Historia duket gati të përsëritet, këtë herë në Tiranë.

E vërteta e hidhur

Kjo nuk është rastësi. Nuk është as një seri incidentesh fatkeqe.

Faktet — avionët e rikthyer, avionët e bllokuar, heshtja e aksionarëve, gjurmët në gjykata — të gjitha tregojnë një strategji të paramenduar të “Turkish Airlines”.

Qëllimi është i thjeshtë: ta mbajë kompaninë me flamurin shqiptar të vogël, të varur dhe të pafuqishme.

Pyetjet që mbeten nuk kanë më të bëjnë as me motorë e as me fatura. Ato kanë të bëjnë me përgjegjësinë.

Deri kur Shqipëria do ta lejojë që kompania e saj ajrore që mban flamurin e saj kombëtar të përdoret në këtë lojë?

Dhe kush do të ketë guximin të thotë hapur atë që faktet tashmë e tregojnë: fajtori i vërtetë është..../ CNA

 





Lajmet e fundit nga