web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Oligarkët/ Nga Greqia e Lashtë në Rusi dhe SHBA

14 Nëntor 2022, 08:27, Blog CNA

Oligarkët/ Nga Greqia e Lashtë në Rusi dhe SHBA

Termi “oligark” është bërë shumë i zakonshëm që nga fillimi i luftës në Ukrainë, por rrënjët e tij datojnë që në Greqinë e lashtë. Oligarkët janë njerëz jashtëzakonisht të pasur, që zotërojnë një pushtet të konsiderueshëm në vendet e tyre. Aktualisht, termi përdoret më shpesh për të përshkruar një numër biznesmenësh rusë, të cilët ushtrojnë ndikim shumë të madh politik në vendin e tyre.

Fjala oligark vjen nga fjala oligarki, e cila i referohet një strukture pushteti që drejtohet nga një grup i vogël njerëzish. Oligarki do të thotë “sundim nga pak njerëz” në greqishten e lashtë, pasi “?λ?γος’ (olígos) do të thotë “pak” dhe “?ρχω” (arkho) do të thotë “të sundosh” në gjuhën e lashtë.

Ndonëse një oligarki nuk përbëhet gjithmonë nga njerëz të pasur, pasi në një sistem të tillë  oligarkët mund të mbajnë pothuajse çdo lloj pushteti ose ndikimi, shumica e përshkrimeve moderne mbi oligarkët dhe oligarkinë i referohen pasurisë.

Oligarkët u lidhën për herë të parë me pasurinë nga filozofi i lashtë grek Aristoteli, që shkroi në veprën e tij Politika se “oligarki kemi kur njerëzit që zotërojnë prona kanë qeverinë në duart e tyre; ndërsa demokracia është e kundërta e oligarkisë, kur sunduesit janë të varfërit dhe jo pronarët”.

Megjithëse Greqia e lashtë është më e lidhur ngushtë me konceptin e demokracisë, gjatë antikitetit u provuan shumë forma të sundimit politik, përfshirë oligarkinë. Në pjesën më të madhe të kohës, athinasit, të cilët ishin të përkushtuar ndaj demokracisë që kur ky koncept u vendos për herë të parë në shekullin VI Para Krishtit.

Ndërkohë, gati të gjitha format e sundimit që nuk përfshinin të dhëna nga qytetaria u përshkruan si oligarki. Shumë referenca për oligarkitë nëpër qytet-shtetet e lashta greke, tregojnë se forma e pushtetit erdhi pas rënies ose marrjes në dorë të një sistemi tjetër qeveritar, siç është demokracia.

Shembulli më i njohur i një oligarkie të lashtë greke, “Oligarkia e të 400-ve”, është një shembull i këtij fenomeni. Në vitin 411 Para Krishtit, në Athinë një oligarki e përbërë nga 400 burra mori kontrollin e shtetit nga populli. Ata e humbën pushtetin nga një grup më i madh prej 5000 oligarkësh të tjerë.

Një shembull tjetër i dukshëm janë Tridhjetë Tiranët, të cilët ishin ushtarë pro-spartanë, të udhëhequr nga Kritia, që vendosën nën kontroll Athinën, kur qytet-shteti humbi në Luftën e Peloponezit në vitin 404 Para Krishtit. Oligarkia shquhej për mizorinë e saj ekstreme, e cila përfshiu ekzekutimin e rreth 1500 njerëzve.

Shumë athinas u larguan nga qyteti gjatë atij regjimi. Ata formuan formacione luftarake që më vonë arritën ta rrëzonin oligarkinë vetëm një vit pas formimit të saj.Vetë Sparta drejtohej nga një oligarki e fuqishme e përbërë nga një numër pleqsh, zyrtarësh qeveritarë dhe mbretërish.

Qyteti-shteti antik fenikas i Kartagjenës, që ndodhej në Tunizinë e sotme, qeverisej nga një oligarki në shekullin V Para Krishtit. Një grup i vogël aristokratësh dhe fisnikësh morën drejtimin e qytet-shtetit të famshëm të botës së lashtë.

Sot termi “oligark” përdoret më shpesh për të përshkruar biznesmenët rusë shumë të pasur që ushtrojnë një sasi të madhe pushteti në politikën e vendit. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe privatizimit të ekonomisë ruse në vitin 1991, një numër i madh biznesmenësh në industrinë e metalit, naftës dhe gazit natyror grumbulluan shumë pasuri.

Këta biznesmenë kanë lidhje me shumë figura të rëndësishme në qeverinë ruse, dhe shumë prej tyre mbajnë marrëdhënie të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin. Shumë nga ata janë subjekt i sanksioneve të ndryshme qeveritare pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, pikërisht për shkak të lidhjeve të tyre me klasën në pushtet.

Një oligark i shquar rus është Alisher Usmanov, 68 vjeç, që zotëron shumicën e aksioneve në konsorciumin USM, një grup investitorësh rusë që kanë shumicën e aksioneve të “Metalloinvest”, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të mineralit të hekurit, si dhe kompaninë e telekomunikacionit “MegaFon”.

 

Oligarkët/ Nga Greqia e Lashtë në Rusi dhe SHBA
Alisher Usmanov

 

Sipas indeksit të pasurisë së Bloomberg, ai është rusi i gjashtë më i pasur, me një pasuri prej 19.5 miliardë dollarësh. Në fillim të muajit mars, super-jahti i Usmanov u sekuestrua nga autoritetet gjermane pas një raundi sanksionesh që synonin oligarkët rusë për shkak të luftës në Ukrainë.

Megjithatë, oligarkët nuk gjenden vetëm në Rusi. Ata janë të zakonshëm në shumë vende të Afrikës, Azisë dhe Amerikës. Një numër biznesmenësh të pasur dhe të fuqishëm kishin ndikim të konsiderueshëm politik në Filipine gjatë sundimit të diktatorit Ferdinand Markos gjatë viteve 1970.

Shumë prej këtyre oligarkëve dhe pasardhësit e tyre e kanë ruajtur pushtetin në vend, dhe kufizimi i ndikimit të tyre ishte një nga premtimet e ish-presidentit Rodrigo Duterte gjatë fushatës së tij. Edhe pse studiuesit nuk bien dakord, ka pasur një numër figurash të shquara në botën e bankave dhe financave në SHBA që cilësohen si oligarkë, si Xh.P Morgan dhe familja Rokfeler.

Ndërsa këto figura zakonisht nuk etiketohen haptazi si oligarkë, është e qartë se ata kishin një fuqi dhe ndikim të madh gjatë ditëve të tyre. Për shembull, Xh.P.Morgan ishte një financier dhe bankier investimesh. Gjatë shekullit XIX-të, ai dominoi sistemin financiar të SHBA-së, duke përfshirë Wall Street-in.

 

Oligarkët/ Nga Greqia e Lashtë në Rusi dhe SHBA
Ferdinand Marcos

 

Gjatë gjithë karrierës së tij, ai themeloi korporata të panumërta shumëkombëshe tejet të suksesshme, si “General Electric” dhe “US Steel”. Po ashtu Morgan zotëronte shumë linja hekurudhore, madje edhe kompaninë kyesore të transfertave të parave “Western Union”.

Pasuria dhe ndikimi i tij i konsiderueshëm në tregun e vendit i dha Morganit një kontroll të konsiderueshëm mbi ekonominë amerikane. Kur SHBA-ja ishte në prag të kolapsit në vitin 1907, ai së bashku me një numër biznesmenësh të tjerë të mëdhenj, e shpëtuan ekonominë nga shkatërrimi.

Xhon Rokfeler, themeluesi i kompanisë “Standard Oil” dhe i familjes Rokfeler, konsiderohet si amerikani më i pasur i të gjitha kohërave, dhe njeriu më i pasur në historinë moderne. Si themeluesi dhe aksioneri më i madh i “Standard Oil”, Rokefeler u bë shumë i pasur kur nisi të zgjerohej industria e makinave, pasi gjatë kulmit të biznesit të tij, ai zotëronte rreth 90 për qind të prodhimit të naftës në vend.

Po ashtu Rokfeler kishte një ndikim shumë të madh në industrinë hekurudhore, gjë që do të thoshte se ai kishte ndikim mbi thuajse çdo industri në SHBA, pasi të gjitha vareshin nga hekurudhat për tranzitin dhe lëvizjen e mallrave dhe njerëzve.

Fuqia dhe ndikimi politik i Rokfeler ishte shumë i fortë, por ai do të dobësohej kur Gjykata e Lartë vendosi në vitin 1911 se kompania e tij “Standard Oil”, kishte thyer ligjet antitrust dhe duhej të ndahej në disa entitete të ndryshme. Gjithsesi ajo lëvizje i solli Rokfeler më shumë para, sepse u pa që kompanitë individuale vlenin më shumë se sa korporata e vetme që ekzistonte në fillim.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga