web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si Lufta e Parë Botërore e transformoi kirurgjinë plastike?

12 Nëntor 2022, 08:41, Blog CNA

Si Lufta e Parë Botërore e transformoi kirurgjinë plastike?

Njerëzit u nënshtrohen operacioneve plastike për një sërë arsyesh. Kirurgjia rindërtuese, është e zakonshme për ata që kanë defekte fizike të lindura, plagë të rënda apo gjendje të tjera specifike shëndetësore. Por jo pak të tjerë zgjedhin t’i nënshtrohen kirurgjisë estetike për të përmirësuar pamjen e tyre.

Kirurgjia plastike ka ekzistuar prej shekujsh, por dikur procedura ishte shumë e ndryshme nga ajo se si bëhet sot. Kirurgjia plastike i ka fillesat që në vitet 1400, dhe pjesa më e zakonshme e trupit që operohej ishte hunda. Hapi më i madh cilësor në këtë fushë ndodhi në vitet 1800 me përdorimin e transplanteve të lëkurës që u zhvilluan në Indinë e lashtë.

Ajo procedurë u botua nëpër manuale të ndryshme në fund të viteve 1700, ndaj u përhap me shpejtësi në botën perëndimore. Por vetëm në shekullin XX-të zhvillimet në këtë fushë, i dhanë mundësi kirurgëve që të kryenin procedura më të sigurta dhe më të ndërlikuara.

Kështu, një shumëllojshmëri teknikash të kirurgjisë plastike nisën të praktikohen pas Luftës së Parë Botërore, ndërsa ato ekzistuese u përmirësuan më tej për të arritur rezultate më të dëshirueshme tek pacientët.

Si Lufta e Parë Botërore e transformoi kirurgjinë plastike?

Armët e përdorura gjatë Luftës së Parë Botërore, shkaktuan plagë shumë të rënda. Eksplozivët e përdorur i bënë plagët e djegieve të zakonshme në mesin e ushtarëve. Edhe pse jo fatale për jetën në shumicën e rasteve, ato i lanë pacientët të shpërfytyruar dhe të paaftë për një jetë normale.

Shumë ushtarë vdiqën në frontin e betejës nga shpërthimet e predhave të artilerisë. Ndërkohë, ata që mbijetuan kishin plagët të rënda nga predhat në fytyrë dhe trup, të cilat i shpërfytyruan tërësisht. Ndonëse kirurgët bënë gjithçka që mundeshin për të trajtuar të plagosurit në vijën e parë të frontit, lëndimet e fytyrës - të cilat ishin të zakonshme - ishin shumë të vështira për t’u riparuar.

Ata zakonisht i qepin plagët, ndaj pasi ato shëroheshin, fytyra mbetej shumë e shpërfytyruar. Por problemi nuk ishte vetëm estetik. Disa nga të plagosurit e kishin të vështirë të hanin apo të pinin, të merrnin frymë, madje edhe të shikonin për shkak të deformimeve të lëkurës në fytyrë.

Rastet më të rënda i lanë ushtarët me vrima të hapura dhe kratere në fytyrat e tyre ku dikur ishte lëkura dhe mishi. Në total, Lufta e Parë Botërore shkaktoi 10 milionë të vdekur dhe rreth 21 milionë të plagosur. Mjeku nga Zelanda e Re, Harold Xhillis studioi për mjekësi në Angli dhe u bë kirurg i specializuar në ORL (veshin, hundët dhe fytin).

Ai punoi në Frontin Perëndimor si pjesë e Korpusit Mjekësor të Ushtrisë Mbretërore gjatë Luftës së Parë Botërore. Ai pa se si riparoheshin dëmtimet në fytyrë, dhe kuptoi se duhej një vëmendje e veçantë për të rindërtuar fytyrat e të plagosurve. Për më tepër, ata që u kthyen në shtëpi të shpërfytyruar u mënjanuan nga shoqëria.

Si Lufta e Parë Botërore e transformoi kirurgjinë plastike?

Siç u shpreh historiani Lindsej Fizheris “Ajo ishte një epokë kur humbja e një gjymtyre të bënte një hero, por humbja e fytyrës normale të shndërronte në një përbindësh”. Kërkesa për kirurgjinë e rindërtimit të fytyrës ishte aq e madhe saqë Xhillis i nxiti shefat e tij të krijonin një repart vetëm për trajtimin e plagëve të fytyrës.

Ndaj në vitin 1916, kjo njësi u hap në Spitalin Ushtarak të Kembrixhit në Aldershot. Aty u trajtuan mijëra pacientë. Xhillis kreu disa prova të guximshme, ai përdori teknikat e vjetra të kirurgjisë plastike, por zhvilloi edhe metodën e tij të quajtur transplantimi i lëkurës përmes tubave.

Përveç fytyrave të shpërfytyruara, pacientët që shtroheshin atje u dëmtuan edhe psikologjikisht nga plagët e tyre dhe ndjenin një humbje të identitetit. Prandaj Xhillis ndaloi pasqyrat në disa dhoma, për t’i penguar pacientët të shihnin plagët e tyre, duke u ndjerë kështu akoma më të traumatizuar.

Përdorimi i transplanteve të lëkurës ka ekzistuar prej disa kohësh, por një nga sfidat që hasej më shpesh ishte shkalla e infeksionit midis pacientëve. Për ta zgjidhur këtë problem, Xhuillis përdori lëkurën e shëndetshme nga një pacient - duke e marrë atë me kujdes që të mos shkëputej plotësisht - e lidhte me një tub që ishte qepur në pjesën e dëmtuar të fytyrës.

Si Lufta e Parë Botërore e transformoi kirurgjinë plastike?

Kjo metodë siguroi rrjedhjen e gjakut dhe parandalonte infektimin e plagës. Pas disa kohësh, tubi hiqej, duke lënë në vend transplantin e shëndetshëm të lëkurës. Rezultati nuk ishte i përsosur për sa i përket pamjes, por ishte një përparim i madh në fushën e kirurgjisë së rindërtimit të fytyrës, dhe siguroi përmirësim të cilësisë së jetës së pacientëve.

Një nga pacientët e parë që u trajtua nga Harold Xhillis duke përdorur metodën e transplantimit të lëkurës me gyp ishte Uollter Jio, oficer në Marinën Mbretërore. Ai u plagos rëndë në Betejën e Jutlandit në vitin 1916 në bordin e luftanijes “HMS Warspite”, gjë që e la atë pa qepallat e sipërme dhe të poshtme. Në 1917, Jio iu nënshtrua operacionit, ku lëkura e shëndetshme nga gjoksi i tij u përdor për të mbuluar zonat e dëmtuara në fytyrën e tij.

Operacioni u zhvillua në disa faza, por ai pati ndërlikime për shkak të infeksionit. Megjithatë, në përgjithësi operacioni i rindërtimit ishte një sukses. Cilësia e jetës së ushtaraku u përmirësua, madje ishte në gjendje të rikthehej në detyrë aktive përpara se të lirohej në vitin 1921.

Ai iu nënshtrua dhe operacioneve të tjera më të vogla për arsye estetike. Jio pati një jetë të gjatë. Ai vdiq në vitin 1960 në moshën 70-vjeçare. Zhvillimet në kirurgjinë rindërtuese gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, hodhën themelet e kirurgjisë moderne plastike.

Harold Xhillis i përshkroi disa nga rastet mbi të cilat punoi në një libër me titull “Kirurgjia plastike e fytyrës” botuar në vitin 1920. Kur lufta mbaroi, në Spitalin e Mbretëreshës Meri ishin kryer 11.752 operacione plastike.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga