LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Jetë pas vdekjes?/ Shkencëtarët po përpiqen ta sfidojnë duke ngrirë trupat e disa të vdekurve

30 Tetor 2022, 10:37, Blog CNA

Jetë pas vdekjes?/ Shkencëtarët po përpiqen ta sfidojnë

Thuhet se një nga gjërat që na bën njerëz, është vetëdija që kemi mbi vdekshmërinë tonë si qënie. Dhe që kur e kemi mësuar se një ditë do të vdesim, e kemi pyetur veten mbi mundësinë e ringjalljes. Historitë rreth ringjalljes dhe pavdekësisë gjenden në fe dhe mite të panumërta.

Por vitet e fundit, shumë nga këto histori bazohen tek ideja e ruajtjes krionike: ngrirja e trupit të një njeriu të vdekur dhe më pas ringjallja e tij në të ardhmen. “Tek shumica e krionistëve, do të gjeni 2 gjëra. Ne i detyrohemi shumë fanta-shkencës, por nga ana tjetër jemi optimistë se një ditë mund të kemi sukses”- thotë Denis Kovalski, presidenti i “Cryonics Institute”, një organizatë jofitimprurëse me seli në Miçigan të SHBA, dhe një nga kompanitë e pakta në mbarë botën që ofron këtë lloj shërbimi.

Ai thekson se optimizmi është i rëndësishëm, sepse sot për sot ruajtja dhe ringjallja e një njeriu është 100 për qind e pamundur. “Por ne nuk jemi ende në kulmin e të gjitha njohurive tona. Kemi ende shumë për të mësuar dhe zbuluar në të ardhmen”- shton Kovalski, ish-mjek i repartit të urgjencës. Ai përmend metodat moderne për shpëtimin e jetës si defibrilimi kardiak dhe CPR si shembuj se si shkenca mund të ndryshojë në mënyrë drastike.

Gjatë pjesës më të madhe të historisë njerëzore, njerëzit nuk kanë pasur asnjë mënyrë për të shpëtuar një person, zemra e të cilit kishte ndalur së rrahuri. “Sot kjo është një praktikë”- shprehet Kovaslki. Bazuar në këtë premisë - pra që një ditë, shkenca do të gjejë zgjidhje për dëmtimin biologjik të trupit të njeriut, i cili sipas standarteve të sotme është i pariparueshëm  - qëllimi i krionikës është të mbajë trupat në një gjendje të qëndrueshme, derisa të mbërrijë teknologjia e nevojshme mjekësore.

Jetë pas vdekjes?/ Shkencëtarët po përpiqen ta sfidojnë

Por edhe për adhuruesit më të mëdhenj të kësaj metode, krionika nuk është një garanci. Vetë Kovalski e përshkruan atë si “një udhëtim me ambulancë në një spital të ardhshëm që nuk dihet nëse mund të ekzistojë apo jo”. Por ai e sheh këtë fushë të re si një lloj “Basti të Paskalit”.

Pra është e sigurt se cilido nga ne do të vdesë një ditë, por nëse ka edhe një shans sado të vogël për ta zgjatur jetën përmes krionikës, atëherë nuk ka asgjë për të humbur, madje potencialisht mund të fitohet një jetë e dytë.

Kur dikush që ka rënë dakord më parë për ruajtjen e trupit me pajisjet krionike, deklarohet i vdekur, një ekip mjekësor e ftoh trupin me ujë akull dhe i ruan të oksigjenuara indet e trupit duke përdorur CPR dhe maskat me oksigjen.

Më pas trupi i ftohur në akull vendoset në një enë të mbyllur hermetikisht dhe dërgohet në laboratorin krionik. Atje ekipi e vendos trupin në një makineri të ngjashme me një by-pass zemër-mushkëri, që e qarkullon gjakun nëpër trup duke ruajtur kësisoj edhe oksigjenimin e tij. Shpresohet që kjo procedurë të minimizojë dëmtimet strukturore.

Më pas, ata e ftohin dalëngadalë trupin në temperaturën -195 gradë Celcius në një dhomë me avuj të azotit të lëngshëm. Sapo të ftohet mjaftueshëm, trupi transferohet në një rezervuar me azot të lëngshëm ku do të qëndrojë për të ardhmen e parashikueshme.

Tarifa për çdo klient është rreth 28.000 dollarë. Trupat do të qëndrojnë atje derisa teknologjia mjekësore (shpresojmë) të jetë në gjendje t’i ringjallë ato. Kovalski thotë se duhen kapërcyer 3 sfida: duhet të riparohen dëmet e shkaktuar nga ngrirja, të kurohet çdo sëmundje që i mori jetën personit, dhe të ndryshojë procesin e plakjes në mënyrë që subjekti të ketë një trup të ri dhe të shëndetshëm në jetën e tij të dytë.

Jetë pas vdekjes?/ Shkencëtarët po përpiqen ta sfidojnë

Dhe deri tani askush nuk e di se si mund të jetë një teknologji e tillë. Supozimi më i mirë i Kovalskit është inxhinieria e indeve dhe nanoteknologjia molekulare që do të jetë në gjendje të riparojë dhe zëvendësojë indet e dëmtuara. Kovalski dhe kolegët e tij në këtë fushë e kuptojnë se sfida është tepër e madhe.

“Deri tani nuk ka asnjë metodë të provuar shkencore, për ta ngrirë trupin e një njeriu deri në atë temperaturë pa i shkatërruar plotësisht indet”- thotë Shenon Tesie, kriobiologe në Universitetin e Harvardit dhe Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusets.

Në fakt kur shkencëtarët përpiqen të ngrijnë një mostër të indit të gjallë njerëzor, ashtu si një copë mëlçie “indi shkatërrohet plotësisht, po ashtu edhe membrana qelizore”. Pra s’ka asnjë provë se po ruajmë diçka, dhe kjo sepse shkenca nuk ka arritur deri në atë stad.

Ka disa kafshë që mund të mbijetojnë duke u ngrirë dhe shkrirë, siç janë disa bretkosa kanadeze, por ato kanë evoluar enkas për të përballuar presionet e temperaturave të ngrirjes, në një mënyrë që nuk e bën dot trupi ynë. Tesie thotë se është e vështirë të imagjinohet se si indet tona mund t’i rezistojnë procesit të ri-nxehjes.

“Disa vite më parë ne kryem një eksperiment në laborator. U përpoqëm të risillnim në jetë zemrën e një derri, pasi më parë e kishim ruajtur në ftohje. Por aktualisht nuk ekziston teknologjia për ta ri-ngrohur shumë shpejt zemrën. Ndaj zemra e derrit u ça më dysh gjatë këtij procesi”- deklaron ajo.

Por përtej argumenteve teknike se çfarë është e mundur dhe çfarë jo, ka edhe një pyetje tjetër që kërkon përgjigje: Edhe nëse një ditë do të jetë e mundur të rikthehemi në jetë, a do ta dëshironin të gjithë këtë ? Tek e fundit, do të ishit në një botë të çuditshme, të shkëputur nga gjithçka që e bëri dikur jetën tuaj të vlefshme.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga