web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pesë sulmet më të mëdha në historinë e sigurisë kibernetike

21 Tetor 2022, 09:10, Blog Donna Sarkar

Pesë sulmet më të mëdha në historinë e

Çfarë ju vjen në mendje kur dëgjoni fjalën “haker”? A është imazhi i popullarizuar i një personi të panjohur me kapuç në kokë, që vjedh identitete dhe të dhëna nga një bodrum i frikshëm? E vërteta është se hakerimi, ashtu si teknologjia, është shndërruar në një temë shumë të frikshme por edhe intriguese që vazhdon të evoluojë.

Por si lindën hakerat? Gjithçka nisi në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT) në vitin 1959, kur një grup studentësh anëtar të “Tech Model Railroad Club” depërtuan në sistemin e teknologjisë së lartë që kontrollon trenat, për të modifikuar funksionet e tyre dhe për të kontrolluar korsitë dhe çelësat.

Këta mjeshtra të informatikës e quanin veten hakera. Në fakt ndërhyrja ishte një përpjekje e padëmshme për të eksploruar dhe përmirësuar kufijtë e programit ekzistues. Sot, hakerimi është sinonim i qasjes së paligjshëm mbi një sistem ose pajisje.

Hakerat fitojnë qasje përmes taktikave të ndryshme, duke filluar nga ato teknike, si viruset ose malware, tek inxhinieria sociale, një metodë që përfshin truket psikologjike, të cilat nxisin viktimën të klikojë një link të caktuar apo të ndajë me hakerin të dhënat e tij personale. Ja cilat janë 5 sulmet më mëdha të kryera deri tani:

1. Sulmi ndaj “Citibank”

Në vitin 1994, Vladimir Levin kreu grabitjen e parë të madhe të parave përmes sulmit ndaj sistemit telefonik dhe kompjuterik të “Citibank” duke vjedhur 10 milionë dollarë.  Hakerimi ndodhi në kohën kur shumë banka po dixhitalizoheshin për të reduktuar kostot dhe për të përmirësuar qasjen e klientëve.

Kjo gjë kërkonte më pak degë fizike dhe më shumë shërbime elektronike. Një nga këto banka ishte “Citibank” në Nju Jork. Levin dhe ekipi i tij i vogël i hakerave në Shën Petersburg përdori kredencialet për të transferuar në mënyrë elektronike paratë në disa llogari të pagjurmueshme në mbarë botën.

Pasi u kap, Levin u dënua me 3 vjet burg, dhe nga shuma e vjedhur u gjetën vetëm 400.000 dollarë. Kjo tentativë e parë për grabitje bankare në internet, ishte një zile zgjimi për industrinë financiare, duke e tronditu botën në lidhje me përparimet e mëdha të krimit kibernetik.

2. Virusi “Melissa”

Në vitin 1999, një e-mail u bë virusi me përhapjen më të shpejtë. Ai shërbeu si frymëzim për sulmet e ardhshme përmes viruseve, dhe një paralajmërim për rëndësinë që ka siguria në internet. Virusi Melissa ishte një virus i postimeve masive që synonte sistemet e bazuara tek Microsoft Word dhe Outlook.

Programuesi i tij Dejvid Li Smith, përdori taktika të inxhinierisë sociale, duke e dërguar virusin si një bashkëngjitje në e-mailin me temën: “Mesazhi i rëndësishëm nga (emri i përdoruesit të dërguesit) dhe një shtojcë List.Doc që supozohej të përmbante një listë fjalëkalimesh për uebsajte të ndryshme që kërkonin anëtarësim”.

Në të vërtetë, dokumenti përmbante një Skript Visual Basic, që kur përdoruesit e hapnin, do të çaktivizonte disa masa mbrojtëse në Microsoft Word. Dhe jo vetëm kaq. Nëse përdoruesi kishte programin e e-mailit të Microsoft Outlook, virusi u dërgohej edhe 50 personave të parë në librin e adresave të përdoruesit.

Kjo gjë i dha mundësi virusit të çaktivizonte serverët e mëdhenj të korporatave. Edhe pse nuk u vodh apo zbulua asnjë informacion me rëndësi të ndjeshme, vlerësohet se ai virus preku rreth 20 për qind të kompjuterave në të gjithë botën, duke shkaktuar mbi 80 milionë dollarë dëme, dhe duke ndërprerë punën e disa bizneseve për disa ditë, teksa ato u përpoqën ta fshinin virusin nga sistemet e tyre. Smith u dënua me 20 muaj burg dhe u gjobit me 5000 dollarë.

3. Goditja ndaj rrjetit “Playstation” të kompanisë Sony

Në vitin 2011, Rrjeti “Playstation” i Sony ra viktimë e një sulmi DDoS, që përdor qindra ose mijëra kode për të marrë kontrollin e rrjetit dhe për ta bërë të pamundur ofrimin e shërbimit. U vodhën informacionet personale, duke përfshirë emrat dhe adresat e rreth 77 milionë njerëzve me një llogari në këtë rrjet.

Sulmi e detyroi rrjetin të mbyllej për më shumë se 20 ditë, duke pësuar një humbje prej rreth 171 milion dollarësh. Sulmet u shkaktuan nga një grup i famshëm hakerash i njohur si  “Anonymous”. Ai e kishte goditur kompaninë për shkak të padisë kundër hakerit të PS3,  Xhorxh Hotz.

4. Sulmi ndaj faqes së njohur Yahoo!

Në vitin 2013, një hakerim rrezikoi mbi 3 miliardë llogari të Yahoo, duke përfshirë emrat, pyetjet e sigurisë, fjalëkalimet dhe detajet e kontaktit. Sulmi u përsërit në vitin 2014, me 500 milionë llogari të tjera të hakeruara. Yahoo është deri më sot kompania më e madhe e hakeruar në historinë e internetit.

U zbulua se pas sulmit qëndronte një grup hakerash rusë. Ata synuan bazën e të dhënave të Yahoo-së për të vjedhur informacionin e përdoruesve përmes e-maileve “peshkues” të dërguara punonjësve të kompanisë Yahoo, që i nxitën ata të klikojnë në një link.

Ndonëse është e paqartë se sa e-maile janë dërguar, sapo hakerat hynë në rrjet, ata synuan  bazën e të dhënave të përdoruesve të Yahoo dhe Mjetin e Menaxhimit të Llogarisë, që u përdor për të redaktuar bazën e të dhënave. Yahoo dështoi të zbulonte shkeljen kibernetike të vitit 2014 për përdoruesit, duke u gjobitur me 35 milionë dollarë.

5. Projekti “Spamhaus”

Projekti “Spamhaus”, një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse që merret me gjurmimin e kërcënimet e padëshiruara dhe kibernetike, u përball ironikisht me një sulm të madh DDoS në vitin 2013 që arriti ta ngadalësonte të gjithë internetin, me disa pjesë që u mbyllën për orë të tëra.

Sulmi gjeneroi një rrymë prej mbi 300 miliardë bit të dhënash në sekondë, e cila ishte një sasi kaq e madhe saqë goditi fort edhe Cloudflare, një kompani e specializuar për të ndihmuar organizatat të vazhdojnë të jenë në rrjet edhe në mesin e sulmeve të tilla. Sulmet ishin vepër e “Stophaus”, një grup individësh që kishin ankesa kundër “Spamhaus” për shtimin e veprimtarisë së tyre kundër krimit kibernetik.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga