web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Popullsia globale arriti në 8 miliardë/ Si mund të ngadalësohet ritmi i rritjes

2 Nëntor 2022, 08:21, Blog CNA

Popullsia globale arriti në 8 miliardë/ Si mund të

Më 15 nëntor, popullsia e botës pritet të kalojë 8 miliardë. Popullsia globale po shtohet me mbi 70 milionë në vit, dhe 80 për qind e kësaj rritjeje është e përqendruar në vendet më të varfra më pak në gjendje për t’i ushqyer, arsimuar apo punësuar këta njerëz shtesë. Kjo rritje e madhe kontribuon edhe në varfërinë e përhapur dhe degradimin e mjedisit.

Ndaj ngadalësimi i saj do të kishte përfitime të gjera ekonomike dhe mjedisore. Në mbarë botën, 700 milionë njerëz jetojnë aktualisht në varfëri ekstreme, dhe përqendrimi më i madh i tyre është në Afrikë, kontinenti që ka 23 nga 28 vendet më të varfra të botës. Dhe jo rastësisht Afrika ka normat më të larta të lindshmërisë, dhe rritjen më të madhe të popullsisë në botë.

Po ashtu ajo vuan nga paqëndrueshmëria e klimës, mungesa e ujit, përmbytjet, si dhe pasiguria ushqimore, teksa inflacioni dhe rritja e kostove të energjisë po ua bën jetën edhe më të vështirë. Një raport i ri parashikon se Afrika Sub-Sahariane do të jetë e paqëndrueshme deri në vitin 2050.

Rritja e shpejtë e popullsisë përbën një kërcënim kyç për të dhe për vendet e tjera të varfëra me rritje të lartë. Disa ekonomistë pretendojnë se rritja e pafundme e popullsisë është një gjë e mirë sepse e rrit prodhimin ekonomik bruto. Po ashtu ata argumentojnë se rritja e popullsisë ecën paralelisht me zhvillimin e teknologjisë, dhe kësisoj disa nga problemet e shkaktuara nga një popullsi më e madhe do të zgjidhen nga risitë teknologjike që e shoqërojnë atë.

Por provoni t’ia thoni këtë dikujt që sot jeton në pragun e urisë. Shkolla e mendimit ekonomik pro-rritjes galopante të popullsisë e ka gabim në shumë mënyra. Ekonomia është një degë e mjedisit dhe jo e kundërta. Nëse rritja e popullsisë dhe aktiviteti ekonomik çojnë në degradim mjedisor dhe ndryshimet klimatike, të cilat shkaktojnë vuajtje dhe vdekje, as të ardhurat mesatare më të larta nuk mund të justifikojnë degradimin e mëtejshëm.

Teoria se rritja e popullsisë është diçka pozitive, buron nga të dhënat mesataret globale ose kombëtare. Por ato mund të jenë mashtruese, pasi fshehin detaje që argumentojnë të kundërtën. Rritja e të ardhurave e 1-përqindëshit më të pasur të botës, mund të rrisë të ardhurat mesatare, ndërsa më të varfrit nuk përfitojnë aspak.

Në shumë vende, rritja ekonomike vazhdon, teksa pabarazia në rritje e pasurisë po lë gjithnjë e më shumë njerëz të bllokuar në varfëri. Dhe ka pak prova se rritja e popullsisë i ka përmirësuar situatat ekonomike në nivel familjar. Megjithatë, ngadalësimi i rritjes së popullsisë është në dobi të familjeve dhe të popullatës globale në tërësi.

Ne e kemi ditur për dekada të tëra dukurinë e “dividendit demografik”, ku vendet që pësojnë rënie të shpejtë të lindshmërisë përfitojnë nga rritja e kursimeve, forcimi i tregjeve të tyre të kapitalit, duke u mundësuar bizneseve të marrin hua dhe të zgjerohen, duke rritur normat e punësimit dhe pagat, si dhe duke zhvilluar një klasë të mesme.

Kjo gjë u jep mundësi qeverive të tatojnë të ardhurat në rritje, të ndërtojnë infrastrukturën e nevojshme si rrugë dhe shkolla, si dhe të rrisin produktivitetin ekonomik. Në shumë vende, për shembull në Afrikën Sub-Sahariane, një shtresë e mesme në një numër shumë modest po shfrytëzon përfitime të tilla, ndërsa popullatat me lindshmërinë më të lartë mbeten në varfëri.

Lajmi i mirë është se rritja më e ngadaltë e popullsisë, është një nga përfitimet e panumërta që vijnë shpesh nga investimet që fokusohen në zgjerimin e mundësive, shërbimeve dhe të drejtave për gratë dhe vajzat. Normat më të ulëta të lindshmërisë, që shoqërojnë skenarë të tillë, janë çelësi për reduktimin e varfërisë dhe të pabarazisë ekonomike.

“Tigrat e Azisë” si Koreja e Jugut dhe Tajlanda, i zgjeruan me sukses shërbimet, por edhe zgjedhjet në lidhje me madhësinë e familjes, si një mënyrë për të rritur perspektivat ekonomike të të gjithë popullatës së tyre. Ky është një model që ia vlen të imitohet ende sot.

Gjithsesi në shumë vende, politikat aktuale favorizojnë rritjen e pasurisë për 1 përqindëshin më të pasur, duke e zgjeruar hendekun midis tyre dhe pjesës tjetër të popullsisë. Kjo qasje bart efekte të mëdha mjedisore dhe ekonomike, duke kërcënuar ekosistemin që e bën të banueshëm planetin tonë.

Një raport i Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara mbi krizën e zhdukjes, zbuloi se zgjerimi i vendbanimeve njerëzore dhe bujqësia njerëzore, janë nxitësit kryesorë të zhdukjes së specieve. Dhe ato janë nxitur nga rritja e popullsisë. Ndërkohë, rënia e e normave të lindshmërisë po e zvogëlon ndotjen e mjedisit.

Kjo është arsyeja pse rritja e arsimimit të vajzave në botën në zhvillim, dhe promovimi i përdorimit të planifikimit familjar për t’i dhënë mundësi individëve dhe çifteve të vonojnë lindjen e fëmijëve dhe të shmangin shtatzëninë e padëshiruar, u panë se ishin mënyrat më ndikuese për të luftuar ndryshimin e klimës.

Megjithatë, në shumë vende të varfra me një shkallë të lartë të lindshmërisë, vajzave u mohohet arsimimi dhe nuk mund të vendosin vetë në lidhje me lindjen e fëmijëve. Sigurisht, përdorimi global i metodave të planifikimit familjar gjatë dekadave të fundit është një histori suksesi. Në vitin 1960, rreth 9 për qind e çifteve të rritur përdornin metoda moderne të kontracepsionit, ndërsa sot kjo normë është rreth 59 për qind. Tani shumica e njerëzve në mbarë botën kanë informacion mbi kontracepsionin dhe ku mund ta marrin atë.

Ai është një nga përparimet më të mëdha në historinë e shëndetit publik. Por 1 miliard njerëz nuk e shfrytëzojnë ende atë. Në vendet me një rritje të lartë të popullsisë, si për shembull në Afrikën Sub-Sahariane, përdorimi i kontraceptivëve është shumë i ulët.

Gratë që nuk dëshirojnë të mbeten shtatzënë vazhdojnë të përballen me shumë pengesa për planifikimin familjar, përfshirë keqinformimin për sigurinë dhe efektivitetin e planifikimit familjar, plus barrierat sociale, arsimore, fizike dhe ligjore. 

Dhe ne duhet të bëjmë më mirë se kaq. Nëse ngremë duart para rritjes së popullsisë dhe nuk punojmë bashkërisht për të çmontuar barrierat ndaj planifikimit familjar, për të zgjeruar gamën e zgjedhjeve për njerëzit në vendet e varfra me rritje të lartë të popullsisë, atëherë po mbyllim njërin sy ndaj pabarazisë në rritje dhe përkeqësimit të degradimit mjedisor.

Ne e dimë që arsimimi i vajzave, ndalimi i martesës së fëmijëve dhe formave të tjera të dhunës ndaj grave, si dhe vënia në dispozicion e informacionit dhe shërbimeve të planifikimit familjar mund të ngadalësojë rritjen e popullsisë, të nxisë zhvillimin ekonomik, të zvogëlojë ndotjen tonë mjedisore dhe t’i kundërvihet ndryshimeve klimatike.

Ajo është një nga strategjitë më efektive që kemi në dispozicion për të arritur një zhvillim të përbashkët dhe të qëndrueshëm. Ndërsa popullsia globale po kalon shifrën 8 miliardë, ajo duhet të jetë një zile alarmi se është koha për ta marrë seriozisht këtë çështje.

Shënim:William Ryerson, president i Qendrës Mediatike të Popullsisë. Kathleen Mogelgaard, është presidente e Institutit të Popullsisë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga