LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kush ishin eunukët/ Shërbëtorët e oborreve mbretërore, që tridheshin për të qenë të kontrollueshëm

28 Qershor 2022, 13:29, Blog CNA
Kush ishin eunukët/ Shërbëtorët e oborreve mbretërore,
Foto ilustruese

Ata mund të ishin skllevër, priftërinj ose zyrtarë oborri. Dikush i përdorte për të shfryrë epshet e veta seksuale, dhe herë të tjera ata shndërroheshin në këngëtarë lirikë. Historia e këtyre meshkujve të tredhur është e gjatë dhe gjithnjë e dhimbshme. Është e gjatë, sepse tredhja e tyre nisi si praktikë mijëra vjet më parë.

Është e dhimbshme sepse fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit duhej të jetonin me një dëmtim të pakthyeshëm. Nëse tredhja kryhet në moshën para pubertetit, penisi dhe prostata mbeteshin të vegjël. Qimet në fytyrë nuk u dilnin, zëri nuk u ndryshonte dhe këta burra ishin dukshëm sterilë.

Tredhja kryhej në disa mënyra, disa më brutale, të tjera më pak. Për shembull, në Traktatin mbi Eunukët të vitit 1707 lexojmë: “Fëmija drogohet me opium, dhe zhytet në një banjë me ujë të nxehtë derisa të bjerë në një gjendje të pavetëdijes së plotë. Më pas hapet skrotumi dhe i hiqen testikujt”.

Në varësi të rastit, bëhej edhe kastrimi (heqja e penisit), dhe jo në të gjitha rastet përdorej ndonjë formë anestezie. Sidomos në kohët e lashta, kjo procedurë kufizohej te një prerje e thjeshtë me thikë. Shkalla e vdekshmërisë nga këto procedura ishte e lartë. Dy nga tre pacientë vdisnin nga infeksionet dhe hemoragjia. Por si lindi kjo praktikë? Dhe pse mbijetoi deri në fillimin e shekullit XX?

Eunukët në Kinë

Kush ishin eunukët/ Shërbëtorët e oborreve mbretërore,

Shfaqja e parë e dokumentuar e tredhjes daton midis viteve 1450 dhe 1250 Para Erës Sonë. Në rastin e zbulimit të marrëdhënieve homoseksuale, ligji i asirianëve parashikonte heqjen e testikujve. Por vetëm në Kinën e lashtë, tredhja u bë një dukuri me përmasa të gjera.

Në kohën e dinastisë Qin, në pushtet gjatë viteve viti 221-206 Para Krishtit, përgjegjësit për disa krime, para së gjithash ata ma akuzën e tradhtisë bashkëshortore, pësonin 1 nga 5  dënimet. I katërti, i ashtuquajturi Gong, prekte si të dënuarit, po ashtu edhe të afërmit e tyre, si fëmijët, nipërit dhe mbesat.

Ligji i kohës kërkonte që të ndërpriste linjën e pasardhësve të një krimineli. Ndaj, ata do të tridheshin dhe skllavëroheshin. Çdo eunuk duhej t’i mbante testikujt e tij në një qese të veçantë, dhe kur të vdiste varrosej bashkë me të. Kjo sepse pa këtë pjesë të trupit mbetej i paplotë, dhe kësisoj nuk do të mund të rimishërohej pas vdekjes.

Me kalimin e kohës, eunukët fituan besimin e perandorëve dhe morën poste të ndryshme politike dhe administrative. Pamundësia për të pasur fëmijë, mendohej se i bënte ata të padëmshëm. Ata ishin shërbëtorë të besuar, pasi nuk do të thurnin asnjëherë komplote për të siguruar poste për veten dhe fëmijët e tyre.

Duke filluar nga viti 907 Pas Krishtit, me ardhjen e dinastisë Liao, eunukët u bënë edhe kujdestarët e grave nëpër hareme. Në 1402, gjenerali kinez Jongle shkatërroi qytetin e Nankingut dhe përmbysi nga froni nipin e tij, perandorin Zhianuen.

Zyrtarët e oborrit dhe populli e konsideruan atë si uzurpator. Për t’u mbrojtur nga komplotet ai urdhëroi ndërtimin e Qytetit të Ndaluar, ku vendosi të mbante pranë vetes vetëm njerëz të cilëve mund t’u zinte besë, para së gjithash eunukët. Në kohën e sundimit të tij, kishte deri në 100.000 eunukë vetëm në Qytetin e Ndaluar.

Në vitin 1912, Republika e Kinës që e zëvendësoi dinastinë Qing, nisi një program për modernizimin e vendit. Tradita arkaike e tredhjes së eunukëve mori fund. Eunuku i fundit në shërbim të perandorit Pu Ji quhej Sun Jaoting. Si shumë nga bashkëvuajtësit e tij, për shkak të diskriminimit nga regjimi komunist, u detyrua të tërhiqej në një tempull budist, ku vdiq në vitin 1996.

Eunukët në Perandorinë Osmane

Kush ishin eunukët/ Shërbëtorët e oborreve mbretërore,

Në rezidencën e sulltanëve, në Pallatin Topkapi në Stamboll, u zhvilluan 2 grupime eunukësh: zezakët, e importuar nga Afrika dhe të bardhët, me origjinë kaukaziane ose baltike. Të bardhët, të kryesuar nga Kapi Agasi, vepronin si ndërmjetës midis sundimtarit dhe botës së jashtme, dhe shërbenin në shkollën e pallatit dhe në rezidencat private.

Zezakët ishin shërbëtorët dhe mbikëqyrësit e haremit perandorak. Udhëheqësi i tyre quhej Kizlar Agas?, i njohur edhe si “mjeshtri i vajzave”, një nga figurat më të rëndësishme të oborrit, sepse afërsia e tij me Sulltanin dhe Valide Sulltan, nënën e sulltanit, i garantonte atij një pozicion me prestigj të madh, i dyti pas vezirit të madh (kryeministrit).

Deri në mbretërimin e Sulejmanit të Madhërishëm, të dyja funksionet ishin të barabarta. Me vdekjen e tij nisi periudha e sulltanatit femëror. Shumë nga pasardhësit e Sulejmanit u treguan të papërshtatshëm për të menaxhuar politikën e perandorisë dhe pushteti ushtrohej de fakto nga nënat e tyre. Por figura që gëzonte më shumë besim te Valide Sulltan, ishte pikërisht Kizlar Agasi.

Eunukët në Romën e Lashtë

Kush ishin eunukët/ Shërbëtorët e oborreve mbretërore,

Në Perëndim, eunukët u shfaqën me shfaqjen e kultit të Sibelës, një hyjni greko-romake e modeluar sipas mbretëreshës Kubaba, perëndesha hitite e pjellorisë. Riti i fillimit të besimit te Sibela parashikonte që priftërinjtë të prisnin penisin dhe testikujt e tyre.

Përveç riteve fetare, tredhja ishte një praktikë e ndaluar nga “Lex Cornelia Sullae de sicariis et veneficis” e vitit 81 Para Krishtit. Por ashtu si kinezët para tyre, edhe romakët zbuluan dobinë e eunukëve, dhe filluan t’i importonin ata nga territoret e pushtuara.

Përveçse përdoreshin si objekte seksuale, eunukët mbanin thuajse gjithmonë detyrën e Praepositus Sacri Cubiculi (nga latinishtja: përgjegjës për dhomën e shenjtë të gjumit).

Ai kishte qasje në të gjitha dhomat e gjumit të pallatit perandorak dhe ashtu si Kapi Agasi osman, shërbente si një ndërmjetës midis sundimtarit dhe botës së jashtme.

Ata u zgjodhën për arsyet e zakonshme: pa testikuj, pa ambicie personale dhe besnikëri absolute. Por nuk ishte gjithnjë kështu. Kujtoni pak rastet e Eusebius dhe Eutropius, eunukët e Konstancius II dhe Arkadius, që ndërhynë në disa raste në punët e shtetit të perandorëve të tyre përkatës.

Këngëtarët e tredhur

Kush ishin eunukët/ Shërbëtorët e oborreve mbretërore,

Gjatë shekujve, tredhja pati njëfarë suksesi edhe në fushën muzikore. Gratë nuk mund të këndonin në kishë, dhe eunukët që kishin një timbër vokal fëminor, filluan të performonin në shërbesat kishtare. Shfaqja e tyre e parë daton në vitin 400 Pas Krishtit; e fundit në vitin 1204.

Ata u rishfaqën në Itali vetëm rreth shekullit XVI, dhe me popullaritetin në rritje të operës nga njëra anë dhe teatrot kishtare nga ana tjetër, u bënë shumë të dashur nga publiku. Në kulmin e popullaritetit të tyre në shekullin XVII-të, spekulohet se kishte rreth 4000 këngëtarë të tredhur të rinj në vit.

Teorikisht, Vatikani e ndalonte këtë lloj procedure, por në praktikë mbyllte njërin sy, sepse kërkesa dhe popullariteti i këngëtarëve me zë të bardhë po rritej vazhdimisht. Shumica ishin jetimë ose fëmijë të varfër, dhe tredhja nuk ishte asnjëherë një zgjedhje vullnetare.

Kush ishin eunukët/ Shërbëtorët e oborreve mbretërore,

Një nga përjashtimet e pakta ishte Karlo Broski, i njohur ndryshe si Farineli, që dominoi për vite me radhë skenën e teatrit europian dhe në dallim nga shumë kolegë të tij, vinte nga një familje e pasur. Pa dyshim që për të ushtruar këtë profesion nuk nevojitej vetëm heqja e testikujve.

Pas operacionit ishin të nevojshme shumë vite në Konservator. Ata që nuk arritën të depërtonin në opera, përfunduan duke kënduar nëpër kisha ose iu përkushtuan mësimdhënies. Të tjerët u bënë artistë shumë të suksesshëm. Por nga fundi i shekullit XIX, shijet e publikut ndryshuan.

Opera e humbi vëmendjen që kishte, dhe pa perspektivën e fitimeve të mëdha, familjet pushuan së tredhuri fëmijët e tyre. Papa Leoni XIII ndaloi punësimin e eunukëve të rinj në vitin 1878, dhe kufizoi shfaqjen e atyre që ende shërbenin në Vatikan. Këngëtari i fundit i tredhur i korit të Kapelës Sistine ishte Alesandro Moreski. Në vitin 1902, kompania Gramophone & Typewriter e Londrës regjistroi një nga performancat e tij, duke e bërë atë të vetmin artist të kohës së tij, zëri i të cilit ka arritur deri në veshët e bashkëkohësve.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

09:48 Blog

Çfarë është G7?

Samiti i G7 zhvillohet në fund të qershorit nën presidencën ...

Lajmet e fundit nga