LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A do të mbetet i bashkuar koalicioni transatlantik kundër Rusisë?

26 Qershor 2022, 08:19, Blog Matthew C.Mai
A do të mbetet i bashkuar koalicioni transatlantik kundër Rusisë?
Foto ilustruese

Politikëbërësit amerikanë deklarojnë shpesh se sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Rusisë, janë dëshmi e një reagimi të unifikuar ndërkombëtar ndaj luftës në Ukrainë.

Për shembull, kur u pyet nga një gazetar javën e kaluar, nëse propozime për një marrëveshje paqeje nga ana e presidentit francez Emanuel Makron, ngrenë shqetësime se uniteti transatlantik mund të vihet “nën presion”, ambasadori amerikan në OSBE, Majkëll Karpenter, u përgjigj duke treguar 6 paketat e sanksioneve që ka miratuar deri tani Bashkimi Europian si një provë se ekziston një “unitet i jashtëzakonshëm” me vetëm “disa dallime të rastësishme në lidhje me taktikat”.

E megjithatë, pas një analize më të imtësishme, del se përçarjet që ekzistonin në Europë para luftës Rusi-Ukrainë nuk janë zhdukur. Nëse administrata Bajden nuk ndërmerr një ndryshim të madh në politikën e saj, përçarjet brenda koalicionit transatlantik rrezikojnë ta bëjnë SHBA-në spektatore dhe jo pjesëmarrëse në procesin e paqes.

Nëse politikëbërësit amerikanë shpresojnë të kenë një rol me peshë në hartimin e një projekt-marrëveshjeje që do të krijojë terrenin për një paqe të qëndrueshme - dhe për një zbutje të mundshme në marrëdhëniet SHBA-Rusi - atëherë ata duhet të miratojnë një strategji tjetër, e cila sheh përtej paketës së ardhshme të dërgimit në Ukrainë të armëve të kalibrit të rëndë.

Qëndrueshmëria e fushatës së presionit maksimal të SHBA-së ndaj Rusisë, varet nga mbështetja nga aleatët dhe partnerët, sidomos në Europë. Siç e ka deklaruar në mënyrë të përsëritur Sekretari i Shtetit, Entoni Blinken, vendet që përbëjnë “më shumë se 50 për qind”  të PBB-së globale (përfshirë edhe Japoninë, Korenë e Jugut dhe Australinë) po veprojnë së bashku për t’i imponuar Rusisë kosto ekonomike dhe financiare për shkak të pushtimit të Ukrainës.

A do të mbetet i bashkuar koalicioni transatlantik kundër Rusisë?
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Nëse lehtësimi i sanksioneve lidhet me qëllimet e kufizuara dhe të arritshme, kjo u jep Shteteve të Bashkuara, por edhe aleatëve dhe partnerëve të saj, një avantazh unik në tryezën e negociatave. Deri më tani, koalicioni i krijuar nga Uashingtoni për ta izoluar Rusinë ka qëndruar i bashkuar.

Por balanca ushtarake dhe politike po anon në mënyrë vendimtare në favor të Rusisë, ndërsa kjo e fundit vazhdon të shkatërrojë pozicionet ukrainase në rajonin e Donbasit, të marrë nën kontroll qendrat kryesore urbane, dhe po e degradon fuqinë luftarake të Ukrainës.

Ndërsa politikëbërësit amerikanë janë mosbesues në lidhje me perspektivën e bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, aktorë të tjerë kanë ndërhyrë për të mbushur boshllëkun.

Administrata Bajden nuk ka arritur që t’i bindë partnerët nominalë, përfshirë Indinë, Brazilin dhe shtetet e Gjirit Persik që “t’i bashkohen fushatës së sanksioneve ekonomike, mbështetjes ushtarake dhe presionit diplomatik për ta izoluar më tej Rusinë dhe për t’i dhënë fund luftës”.

A do të mbetet i bashkuar koalicioni transatlantik kundër Rusisë?
Presidenti amerikan Joe Biden

Po ashtu, do të ishte e gabuar që politikëbërësit amerikanë të supozojnë se aleatët europianë do të vazhdojnë ta shohin si në interesin e tyre më të mirë ndjekjen e kursit të Uashingtonit, sidomos kur lufta të kthehet në favor të Rusisë. Vazhdojnë këndvështrimet e ndryshme mbi shkallën e kërcënimit, kufizimet ekonomike etj.

Aleatët e fuqishëm të Europës Perëndimore, ka të ngjarë të nisin t’i shmangen izolimit si një qëllim politik, në favor të negociatave të paqes për të arritur një zgjidhje me Rusinë. Tri akse po formësojnë tendencat dhe diskursin e politikës së jashtme europiane.

E para, e cila sillet rreth Parisit dhe Romës, i jep përparësi dialogut me rivalët dhe preferon pavarësinë nga Uashingtoni. Me përjashtim të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, Makron dhe kryeministri italian Mario Dragi kanë qenë në kontakt me presidentin rus Vladimir Putin më shumë sesa çdo udhëheqës tjetër botëror gjatë gjithë luftës.

A do të mbetet i bashkuar koalicioni transatlantik kundër Rusisë?

Në më shumë se një rast, Makron i ka bërë thirrje Perëndimit të shmangë “tundimin e poshtërimit të Putinit”, dhe t’i japë këtij të fundit mundësinë e largimit diplomatik nga konflikti. Nga ana e tij, Dragi ka qenë aktiv në nxitjen për bisedime, që do të lejojnë eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi, dhe do të ndihmonte në lehtësimin e pasigurisë globale ushqimore.

Aksi i dytë, që ka ushtuar më shumë presion për një ndërprerje të plotë të blerjes së energjisë ruse, dërgimin e armëve të rënda vdekjeprurëse, vendosjen e sa më shumë sanksioneve ekonomike dhe për mbështetjen për qëllimet maksimaliste ushtarake të Kievit, përfshin Britaninë e Madhe, Poloninë, shtetet baltike, Sllovakinë dhe Republikën Çeke.

Për arsye historike dhe gjeografike, Polonia dhe shtetet baltike kanë pasur tradicionalisht një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë. Europiano-lindorët, kanë qenë kundërshtarët më të zjarrtë të propozimeve të Francës për ngritjen e strukturave alternative të mbrojtjes pan-europiane, për të cilat ata kanë frikë se mund ta distancojnë Uashingtonin, që ata e shohin si aleatin e tyre më të besueshëm.

Aksi i tretë rrotullohet rreth një kryeqyteti: Berlinit. Kancelari gjerman Olaf Sholc, është përpjekur të arrijë një konsensus në kuadrin e BE-së për Ukrainën, të cilin nuk mund ta pranojnë vendet që bëjnë pjesë në aksin e parë dhe të dytë.

A do të mbetet i bashkuar koalicioni transatlantik kundër Rusisë?
Kancelari gjerman Olaf Sholc

Në praktikë, kjo do të thotë t’i mbështesim sanksionet me një lloj kujdesi, të mos dërgojmë të gjitha llojet e armëve që kërkon Kievi, dhe të bëjmë thirrje për një zgjidhje diplomatike. Qasja e Gjermanisë pasqyron një politikë të jashtme të balancuar që ia kalon SHBA-së kostot e sigurisë, që dobëson propozimet e Parisit për struktura alternative të mbrojtjes pan-europiane, dhe të angazhohet në tregti dhe diplomaci të fuqishme me konkurrentë me fuqi të madhe, si Rusia.

Sholc është kritikuar shumë për vendimet e paqarta dhe të vonuara në lidhje me sanksionet e energjisë dhe dërgimin e armëve. Por teksa balanca ushtarake që favorizon Rusinë, dhe me Bashkimin Europian të paaftë të vendosë sanksione të mëtejshme pa shkaktuar kosto të brendshme të mëdha, Sholc do ta ketë më të lehtë të mbështetet në traditën gjermane të Ostpolitikës, dhe t’i bashkohet Makronit dhe Dragit në punën për të çuar përpara negociatat e paqes.

Ky grupim trepalësh, i përbërë nga ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Europian do ta zbehë strategjinë e izolimit të Rusisë, të përqafuar nga Uashingtoni dhe boshti Londër-Europa Lindore. Nëse vërtetohen këto zhvillime, Uashingtoni duhet që ta rishqyrtojë qëndrimin e tij ndaj luftës Rusi-Ukrainë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

09:48 Blog

Çfarë është G7?

Samiti i G7 zhvillohet në fund të qershorit nën presidencën ...

Lajmet e fundit nga