web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Siguria rrugore/ Hita: Koha e gjuetisë së gjobave ka marrë fund

19 Qershor 2026, 10:07, Aktualitet CNA

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në një aktivitet tha se një ndër prioritetet kryesore është rritja e parametrave të sigurisë rrugore.

Në fjalën e mbajtur, Hita u shpreh se koha e ndalimeve pa shkak apo e gjuetisë së gjobave ka marrë fund. Hita tha se fajtorin e përcakton teknologjia përmes mjeteve inteligjente dhe jo intuita.

Drejtuesi i policisë u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve për të ngadalësuar shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

 

Siguria rrugore nuk është thjesht një sfidë institucionale. Ajo është një përgjegjësi e përbashkët, një detyrim moral dhe një garanci për jetën e çdo qytetari që lëviz në rrugë.

Sot nuk jemi këtu për një aktivitet sensibilizues të radhës, por jemi këtu për diçka shumë më të shtrenjtë: për jetën. Çdo humbje jete në statistikat tona të aksidenteve nuk është thjesht një numër. Është një jetë e ndërprerë në mes, është një familje e lënduar. Drejtuesit e automjeteve, motomjeteve dhe këmbësorët duhet të ndërgjegjësohen dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi rruga nuk është një pistë garash, por një hapësirë bashkëjetese, ku përgjegjshmëria e secilit prej nesh përcakton nëse do të kthehemi shëndoshë e mirë në shtëpi dhe te njerëzit tanë të dashur.

Për të mbushur një ndër prioritetet madhore të Policisë së Shtetit, siç është rritja e parametrave të sigurisë rrugore, dua të ndalem tek iniciativat e rëndësishme që kemi ndërmarrë në mënyrën se si e kontrollojmë qarkullimin. Koha e ndalimeve pa shkak apo e gjuetisë së gjobave ka marrë fund. Sot, Policia e Shtetit ka hyrë në epokën e monitorimit inteligjent. Strategjia jonë e re bazohet në parimin: fajtorin e përcakton teknologjia dhe jo intuita. Përmes mjeteve inteligjente, si pajisjet Poliskan, dronëve të cilësisë së lartë dhe radarëve automatikë, ne evidentojmë shkeljet në kohë reale, pa ndërprerë rrjedhën e trafikut dhe pa krijuar stres të panevojshëm të drejtuesit e rregullt të mjeteve. Ky është një hap i rëndësishëm drejt një policimi më profesional, më të saktë dhe më transparent.

Teknologjia nuk na shpëton dot nëse mungon vetëdija. Prandaj gjej rastin t'u bëj thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve: shpejtësia vret! Mos nxitoni për të mbërritur disa minuta më parë duke rrezikuar të mos mbërrini kurrë ose për të mbërritur të gjymtuar. Parakalimet e gabuara janë në lojë me jetën. Celulari në timon ju verbon për sekonda që mund të jenë fatale, dhe mbi të gjitha alkooli dhe substancat e tjera të ndaluara nuk kanë vend në timon. Kush drejton automjetin nën efektin e tyre nuk po drejton një makinë, por një armë që rrezikon të vrasë jetë.

Po aq i rëndësishëm është edhe dimensioni i parandalimit dhe edukimit. Mesazhet sensibilizuese për drejtuesit e mjeteve janë thelbësore për të ndryshuar sjelljen në rrugë, për të rritur ndërgjegjësimin publik”, tha Hita.





Lajmet e fundit nga