web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Çështja e aeroportit të Vlorës/ Pacolli: Për çdo dëm të shkaktuar do të kërkohet përgjegjësi ligjore

8 Korrik 2026, 18:21, Aktualitet CNA

Çështja e aeroportit të Vlorës/ Pacolli: Për

Biznesmeni Begjet Pacolli ka bërë një reagim në rrjetet sociale lidhur me çështjen e aeroportit të Vlorës.

Në postimin e tij Pacolli shprehet se për shkak një sërë vendimesh të dhëna nga gjyqtarët Fatmir Ndreu, Mirjana Shagani dhe Miranda Nakaj, MABCO ndonëse zotëron 98% të kuotave të shoqërisë VIA sh.p.k., u privua për muaj të tërë nga e drejta për të ushtruar kontrollin dhe kompetencat që i takojnë ligjërisht si aksionere shumicë.

Ai shton më tej se është e vështirë të gjesh një rast të ngjashëm në praktikën moderne të së drejtës tregtare, ku pronari i pothuajsë të gjithë kapitalit të një shoqërie përjashtohet nga administrimi i saj,

Ndër të tjera shprehet se për muaj të tërë u bllokua përfundimi i një projekti strategjik, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike, financiare dhe reputacionale, dëme për të cilat sipas tij do të kërkohet përgjegjësi në rrugët ligjore. Pacolli thekson se besimi i tij te drejtësia e vërtetë nuk është lëkundur asnjëherë.

Reagimi i plotë:

Të dashur miq e qytetarë,

(Ju lutem, nëse jeni të lodhur ose të mërzitur nga kjo temë e shumëdiskutuar, thjesht mos e lexoni, por te respektoni ata që dëshirojnë të informohen dhe ta lexojnë. Faleminderit për mirëkuptimin dhe ndjesë!)

Që nga tetori i vitit 2025, një sërë vendimesh në formën e masave të sigurimit, të dhëna nga gjyqtarët Fatmir Ndreu, Mirjana Shagani dhe Miranda Nakaj, prodhuan pasoja jashtëzakonisht të rënda për shoqërinë MABCO Construction SA dhe për projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Më pas, Gjykata e Lartë i shfuqizoi këto masa, duke konstatuar se ato ishin në kundërshtim me ligjin. Si pasojë e këtyre vendimeve, MABCO, ndonëse zotëron 98% të kuotave të shoqërisë VIA sh.p.k., u privua për muaj të tërë nga e drejta për të ushtruar kontrollin dhe kompetencat që i takojnë ligjërisht si aksionere shumicë.

Vështirë se mund të gjendet një rast i ngjashëm në praktikën moderne të së drejtës tregtare, ku pronari i pothuajse të gjithë kapitalit të një shoqërie të përjashtohet nga administrimi i saj përmes masave që më pas shpallen të paligjshme nga gjykata më e lartë e vendit. Ky rast meriton të studiohet si një shembull i pasojave që sjell cenimi i sigurisë juridike dhe i të drejtës së pronës.

Këto masa krijuan gjithashtu kushtet që persona të vendosur në administrimin e shoqërisë gjatë kësaj periudhe të vazhdonin bllokimin e punimeve dhe të pengonin hyrjen e specialistëve të MABCO-s dhe të nënkontraktorëve në aeroport. Për muaj të tërë u bllokua përfundimi i një projekti strategjik, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike, financiare dhe reputacionale.

Jam i bindur se për të gjitha dëmet e shkaktuara do të kërkohet përgjegjësi në rrugët ligjore dhe se secili do të mbajë përgjegjësi për veprimet ose mosveprimet e veta, në përputhje me ligjin.

Dalëngadalë po shpërbëhen narrativat e pavërteta që janë ndërtuar gjatë kësaj periudhe. Besimi im tek drejtësia nuk është lëkundur kurrë. Besoj se gjyqtarët e ndershëm dhe institucionet që respektojnë ligjin do të vazhdojnë të bëjnë detyrën e tyre me profesionalizëm dhe paanshmëri.

Drejtësia mund të vonojë, por kur vepron mbi bazën e ligjit dhe të fakteve, ajo triumfon. /CNA





Lajmet e fundit nga