LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Alternativa Civile”, një lëvizje qytetare që prodhon optimizëm

21 Mars 2022, 15:20, Aktualitet CNA

Në kushtet kur protesta qytetare që nisi si pasojë e rritjes së çmimeve është mbyllur, ndërsa u kufizua vetëm në kërkesa ekonomike, një lëvizje e re me sfond politik është duke dalë në skenë, pa bujë.

Bëhet fjalë për ?Alternativën Civile?. Prej disa ditësh, në faqen e saj në rrjetet sociale, janë duke u publikuar materiale që prezantojnë objektivin e saj. Në një material të publikuar sot, nën titullin ?Manifesti i Alternativës Civile?, tregohen një mori çështjes që, sipas dokumentit, do të adresohen në aktivitetin e këtij grupimi.

Aty përfshihen nga lufta ndaj korrupsionit, transparenca e financimit të partive, menaxhimi i pasurive natyrore të vendit dhe deri tek vota e emigrantëve.  

?-Do të punojmë, për të nxitur një luftë të vazhdueshme kundër korrupsionit, duke vënë në themel të kësaj lufte, nderin dhe betimin tonë për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.

-Do të punojnë për të vendosur rregulla të barabarta loje në ekonominë e tregut të lirë, për ti dhënë fund praktikave klienteliste dhe korruptive në procedurat e tenderimit të fondeve publike.

-Do të kërkojmë ndalimin e transferimit të pasurive të sektorëve strategjikë dhe me impakt afatgjatë në ekonomi, tek sipërmarrës privatë, aq më shumë në kushtet e një terri informativ mbi origjinën e parave të tyre.

-Do të punojmë për vënien në shërbim të popullit dhe vendit të çdo pasurive natyrore, që toka, nëntoka dhe deti ynë disponojnë.

-Do të punojmë për transparencën e financimit të partive dhe fushatave elektorale, të cilat vazhdimisht janë ushqyer e ushqehen nga paratë e korrupsionit dhe krimit, duke i shndërruar partitë në ndërmarjet më të zeza në vend.

-Do të punojmë për të garantuar ushtrimin e të drejtës së votës nga çdo shtetas shqiptar, pavarisht se ku jeton dhe punon?- shkruhet ndër të tjera në atë që është quajtur ?Manifesti i Alternativës Civile?.

CNA mësoi se nga një organizatorët e ketij grupimi është gazetari i njohur Mentor Kikia, një aktivist edhe i mjedisit dhe shoqërisë civile. Ne e pyetëm kolegun Kikia nëse ky është fillimi i një angazhimi politik.

?Ajo që ne bëjmë çdo ditë në punën tonë është një angazhim publik dhe politik. Por Alternativa Civile tani nuk është një parti politike. Ajo është një grupim qytetar, një bashkim intelektualësh të fushave të ndryshme, që kanë ide dhe ideale të njëjta dhe që kanë vendosur ta japin kontributin e tyre duke prodhuar dhe nxitur ide zhvillimi dhe ndryshmi. Sepse ne mendojmë se situata në këtë vend do të fillojë të ndryshojë kur në vend të sharjeve dhe fyerjeve, të prodhojmë ide të mira, ndërsa zemërimin dhe mllefin ta shndërrojmë në votë për të mbështetur idetë e mira?- tha Kikia

Ne këmbëngulëm të mësonin nëse kjo lëvizje qytetare dhe intelektuale mund të jetë një formacion politik në të nesërmen?

?Shqipëria tani nuk ka nevojë thjeshtë për një parti të më shumë, pasi i ka një 60 të tilla. Shqipëria tani ka nevojë për njerëz që të dëshmojnë ide të qarta mbi atë se çfarë duhet të bëjmë për të instaluar demokracinë reale, për të luftuar korrupsionin, për të menduar për arsimimin cilësor të fëmijëve, frenimin e zbrazjes së Shqipërisë nga rinia dhe menaxhimin e krizës sociale të plakjes së popullsisë, që po troket. Eshtë në vullnetin e qytetarëve të mbështesin njerëzit që ofrojnë idetë e reja.?- tha Kikia./CNA.al

Lajmet e fundit nga