LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Udhëheqësit autoritarë po e forcojnë sundimin e tyre, a mund t’i rrëzojë dot kush?

28 Nëntor 2021, 12:05, Blog CNA
Udhëheqësit autoritarë po e forcojnë sundimin e tyre, a mund

Nga Jeremy Cliffe ?New Statesman?

18 muajt e ardhshëm do të sjellin 3 palë zgjedhje të rëndësishme në nivel ndërkombëtar, në të cilat do të vihet në rrezik mbijetesa e demokracisë në vendet në fjalë. Në prill ose maj të vitit të ardhshëm, kryeministri hungarez Viktor Orban do të përballet në qendrat e votimit me një koalicion të bashkuar opozitar.

Tetorin e vitit të ardhshëm, Brazili do të mbajë zgjedhje, ku do të përballet presidenti i djathtë Zhair Bolsonaro kundër të majtit Luiz Innjacio Lula da Silva. Më pas në Turqi, në gjysmën e parë të vitit 2023, presidenti Rexhep Taip Erdogan duhet të përballet me garën më të vështirë elektorale deri më sot.

Tre udhëheqës autoritarë të famshëm në skenën ndërkombëtarë; tre sfida serioze për sundimin e tyre; tre teste të demokracisë që mund të përcaktojnë epokën që po jetojmë.

Në Hungari, Brazil dhe Turqi, votuesit janë të lodhur nga korrupsioni dhe keqqeverisja. Pandemia e Covid-19 ka minuar seriozisht pozitat e këtyre liderëve autoritarë, nacionalizmi i fortë i të cilëve është dëshmuar të jetë një zëvendësues i dobët i kompetencës.

Në të tre vendet opozita është rishtazi e gjallëruar dhe e sigurt, dhe ka një mundësi të fortë për një ndryshim të lidershipit. Të tre vendet janë demokraci shumëpartiake, në dallim nga Rusia e Vladimir Putinit apo Kina e Xi Jinping. E megjithatë, në të tre vendet, loja anon gjithnjë e më shumë nga liderët aktualë.

Orban, Bolsonaro dhe Erdogan i kanë sulmuar sistematikisht institucionet demokratike të vendeve të tyre. Nuk është aspak e sigurt se votat legjitime kundër ndonjërit prej tyre, do të përktheheshin në tranzicion paqësor dhe të drejtë të pushtetit. Në nivel global, demokracia ka qenë në tërheqje vitet e fundit.

Hungaria, Brazili dhe Turqia, kanë regjistruar një rënie veçanërisht të madhe në këtë aspekt. Por ndonëse sot këto vende simbolizojnë të ashtuquajturin recesion demokratik, dikur lavdëroheshin për zbatimin shembullor të reformave demokratike. Në vitin 1989, ishte Hungaria ajo që siç tha kancelari i atëhershëm i Gjermanisë Perëndimore, Helmut Kol, ?hoqi tullën e parë nga Muri i Berlinit?, dhe hyri në epokën e re me traditat më të thella liberale demokratike sesa çdo shteti post-sovjetik.

Edhe Turqia konsiderohej dikur si një fanar i demokracisë, si një shembull se shtetet e Lindjes së Mesme mund të ishin myslimane, por njëherazi edhe anëtarë laikë, demokratikë dhe integralë të aleancës perëndimore. Më 6 janar të këtij viti, kur Kongresi Amerikan po çertifikonte vendimet e Kolegjit Elektoral të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, një turmë mbështetësish të Donald Trump sulmuan Kapitol Hill në Uashington.

Sulmi dhe kaosi që pasoi shkaktoi 5 të vdekur dhe më shumë se 100 të plagosur. Për cilindo qëi kushton vëmendje ndryshimeve në politikën amerikane, ato skena nuk ishin befasuese. Analisti Arieh Kovler, i kishte parashikuar ato në Twitter disa javë më parë. Orban, Bolsonaro dhe Erdogan përballen me perspektivën e humbjes së zgjedhjeve të tyre të ardhshme. Të gjithë e kanë parë nga afër përpjekjen e Trump për ta sfiduar humbjen që pësoi.

Në të tre rastet një ?6 janar? tjetër – kur një lider autoritar dhe mbështetësit e tij synojnë të përmbysin një rezultat legjitim të zgjedhjeve kombëtare – është në mënyrë alarmante i imagjinueshëm.

Demokracia në të tre vendet do të vihet në provë. Pasojat e tyre do të orientojnë se si Trump dhe ndjekësit e tij do t?i qasen zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 në SHBA. Budapesti dhe Brazilia sot, Ankaraja nesër, dhe Uashingtoni pasnesër?

Zgjedhjet në Hungari në pranverën e ardhshme, konsiderohen gjerësisht si një mundësi e fundit për të shpëtuar demokracinë e vendit. Orban e filloi karrierën e tij politike në opozitën demokratike liberale kundër komunizmit. Ai ishte për pak kohë student në Oksford, dhe qeverisi si një konservator gjatë mandatit të tij të parë kryeministror në vitet 1998-2002. Por gjatë 3 mandateve të tij të mëtejshme që nga rikthimi në pushtet në vitin 2010, partia e tij Fidesz ka neutralizuar gradualisht institucionet që e bëjnë një demokraci të hapur dhe konkurruese.

Ai ndryshoi sistemin zgjedhor për të dobësuar opozitën e fragmentuar hungareze, mbushi gjykatat me besnikët e tij, mbylli mediat e pavarura dhe organizatat e shoqërisë civile, dhe ka përdorur autoritetet shtetërore kundër kundërshtarëve.

Por tani Orban përballet me një sfidë serioze. Menaxhimi i pandemisë ka qenë skandaloz, dhe më në fund BE ka vendosur t`i kufizojë fondet për qeverinë e tij të korruptuar. Opozita e përçarë prej kohësh, ka krijuar tashmë një front të gjerë anti-Orban, duke filluar nga e djathta ekstreme dhe deri tek e majta progresiste.

Më 17 tetor ajo zgjodhi kandidatin e saj për kryeministër Peter Marki-Zaj, një kryetar bashkie konservator dhe të pavarur, që vjen nga një qytet i vogël, dhe që është baba i 7 fëmijëve. Një sondazh i kohëve të fundit e vendosi koalicionin opozitar përpara Fidesz. Por për të rrëzuar Orban, opozita do të duhet të fitojë në rrethana të pafavorshme.

Mediat e vendit që janë në shumicë dërrmuese pro-Fidesz, po i bëjnë jehonë teorive të ndryshme konspirative rreth Marki-Zaj, përfshirë edhe pretendimin se ai është një kukull e Ferenc Gurshani, ish-kryeministrit super të pasur të vendit. Fidesz ka ndërhyrë në listat e votuesve dhe e ka rregulluar hartën e zonave zgjedhore sipas interesave të saj.

Po ashtu ajo kontrollon edhe komisionin qendror zgjedhor dhe Autoritetin e Auditimit të Mediave. Gjithçka e mundshme do të përdoret kundër Marki-Zaj dhe aleancës së tij të gjerë. Ndërkohë, sot mund të harrohet me lehtësi fakti që Erdogan e filloi sundimin si një reformator.

Ai u bë kryeministër në vitin 2003 duke predikuar pluralizmin, demokracinë dhe përparimin drejt anëtarësimit në BE. Por ashtu si Orban, politika e tij është shndërruar në një nacionalizëm përçarës, si dhe në një islamizëm gjithnjë e më politik. Në vitin 2017, Erdogan ndërmori disa ndryshme në Kushtetutë, të cilat çmontuan ndarjen e pushteteve dhe shkatërroi pavarësinë e legjislativit dhe gjyqësorit.

Por ashtu si Orban dhe Bolsonaro, fuqia politike e Erdoganit po bie. Ekonomia turke po kalon nga kriza në krizë. Mbështetja për AKP-në e tij, një parti konservatore fetare me lidhje gjithnjë e më të ngushta me Vëllazërinë Myslimane të Egjiptit, ka rënë deri në 30 për qind në sondazhe, nga 53 për qind në zgjedhjet e fundit në vitin 2018.

Opozita turke është gjithnjë e më e sigurt se do të jetë e aftë ta mposhtë atë në vitin 2023. Ashtu si homologu i saj hungarez, ajo po largon ndarjet e së kaluarës dhe po shkon drejt një fronti të gjerë e të përbashkët kundër këtij udhëheqësi autoritar.

Megjithatë, ashtu si Orban dhe Bolsonaro, edhe Erdogan mund të tentojë ta sfidojë humbjen legjitime. Tani po flitet për ndryshime në ligjin elektoral, kërcënime ndaj liderëve të opozitës përmes padive në gjykatë si dhe për sulme ndaj ?armiqve? të Turqisë. Sulmi ndaj 10 ambasadorëve të Evropës Perëndimore dhe Amerikës, ishte vetëm shembulli më i fundit.

Shumë demokraci janë në zonën e rrezikut, duke përfshirë Indinë, Poloninë, Meksikën, Filipinet dhe Afrikën e Jugut. Por ngjarjet e 18 muajve të ardhshëm në Hungari, Brazil dhe Turqi do të na tregojnë shumë rreth tendencave të ardhshme./Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga