LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

REPORTAZH-“The Town”, traditat korçare në pikturë/ Ekspozita e veçantë e gjimnazistëve

22 Qershor 2021, 06:52, Kulturë CNA
REPORTAZH-“The Town”, traditat korçare në pikturë/

Ekspozitat artistike duket se kohët e fundit kanë ringjallur interesin e artdashësve korçarë, pas kalimit pjesërisht të pandemisë. Ekspozita e radhës është ajo e nxënësve të shkollës së mesme Raqi Qirinxhi në qytetin juglindor.

Me një talent të veçantë, me një shumëllojshmëri pikturash, ky aktivitet u inicua nga mësuesi i arteve Arjol Pepi, i cili me shumë përkushtim ka mbështetur nxënësit e tij për realizimin e kësaj ekspozite.

Pjesë e ekspozitës janë bërë disa nxënës të shkollës që kanë realizuar 20 piktura duke shfaqur një tjetër pamje fantastike të qytetit. ?The Town? sjell për qytetarët e Korçës, në ambjentet e Bibliotekës së Re, peisazhe të ndryshme, personazhe dhe ndërtesa karakteristike të qytetit, ndërthurrur me hijeshi dhe duke nxjerrë në pah nxënësit e talentuar.

Pjesë e pikturave ka qenë Katedralja ?Ringjallja e Krishtit, Kulla ?Red?, Pazari i Vjetër i qytetit i parë nga një tjetër këndvështrim, po ashtu edhe rrugicat me kalldrëm që shfaqin traditën dhe kulturën korçare.

Gjatë vizitës në ambjentet e ekspozitës takuam tre prej nxënëseve që janë bërë pjesë e saj. Me shumë kënaqësi, kemi biseduar gjatë me to për të mësuar rreth pasionit, përkushtimit, talentit dhe vështirësive që ka arti i pikturës.

Të treja vajzat janë maturante në gjimnazin Raqi Qirinxhi, dhe që në moshë të vogël kanë spikatur talentin e tyre në pikturë. Sipas tyre, një nga mbështetjet më të mëdha krahas familjes, ka qënë mësuesi i arteve Arjol Pepi, i cili për rreth 1 vit ka ndihmuar nxënësit që prej fillimit e deri në çeljen e ekspozitës.

Jimena Qarri është 18 vjeçarja që është bërë pjesë e ekspozitës duke realizuar dy piktura tepër interesante. Së pari ka pikturuar Pazarin e Vjetër të marrë me foto nga lart, e nga ana tjetër një ndërtesë  moderne që tregon një tjetër stil arkitekture, ndryshe nga tradicionalja e pazarit.

?Pikturoja që kur kam qenë e vogël, stiloja veshje dhe asnjëherë nuk kam ndaluar së pikturuari.

Madje nëse mundem të ndaj një histori me ju, kur gjyshi im ishte në spital, kur isha e vogël, i bëra një kartolinë. Atje ishte rastësisht dhe një piktor i cili e pa dhe i tha ?Mbesa jote do të bëhet piktore?.

Nuk mendoj, se piktura është e vështirë pasi kurrë nuk ka një pikturë perfekte. Kur i realizon gjërat me dëshirë, ato nuk janë një punë që duhet mbaruar, por një kënaqësi. Patjetër që kërkon talent, vetbesim dhe punë.

Pikturën e Pazarit e kam pjesë timen, e realizova për një kohë të gjatë ku kam pasqyruar çdo ndërtesë e dritare me detaje, sa kur e sheh të duket sikur je brenda. Piktura e dytë është e kundërta e pazarit tradicional, e cila ka një arkitekturë krejtësisht modern. Më ka pëlqyer kur po ndërtohej dhe vendosa mos t?i bëja thjesht një foto por edhe ta pikturoja.

Arti në Shqipëri nuk vlerësohet aspak, shumë të rinj të talentuar privohen të ndjekin ëndrrat, talentin dhe atë që I bën të lumtur, pasi arti këtu nuk është i paguar.

Do vazhdoj të pikturoj gjithmonë por nuk mendoj së do ta ushtroj si profesionin tim primar. Dëshiroj që kur të marr penelin të harroj çdo stress të ditës dhe të pikturoj për veten time?, shprehet Jimena.

Ana Menkshi është nxënësja 17 vjeçare, e cila në këtë ekspozitë vjen me Katedralen ?Ringjallja e Krishtit?, por e parë në një këndvështrim tjetër, ndryshe nga çmund ta shohim në përditshmëri.

?Fotoja model për pikturën time ka qenë e shkrepur nga një fotograf profesionist i qytetit të Korçës. Ajo përkonte në mënyrë perfekte me idenë që unë kisha krijuar dhe doja të shfaqja një pamje tepër të njohur nga qytetarët por parë nga një aspekt ndryshë përtej madhështisë që jemi mësuar ta shohim.

Pasioni im për pikturën është evidentuar në moshën 5 vjeçare. Gjatë ciklit 9 vjeçar jam angazhuar në aktivitete të ndryshme kulturore dhe në vitin e parë të gjimnazit fale mësues Arjolit provova të pikturoja në telajo me bojëra vaji.

Që prej asaj kohe kam pikturuar jo vetëm me bojëra vaji apo teknika të tjera në telajo, por gjithashtu kam marrë pjesë edhe në realizimin e pikturave murale në shkollën tonë. 

Për pikturën e kësaj ekspozite kam punuar vetë dhe jashtë orareve të shkollës, pasi kam fituar sigurinë dhe eksperiencën e duhur për ta punuar vetë.

Vazhdimisht kemi qëndruar në kontakt me mësuesin për të marrë këshilla dhe për ta perfeksionuar punën. Piktura është një art shumë kompleks në të cilin nevojitet jo vetëm talenti por edhe disiplina, përqëndrimi dhe imagjinata përtej asaj çka arrin të kapë syri.

Pra, me pak fjalë nuk mjafton vetëm në mënyrë mekanike të pikturosh diçka, por duhet të japësh jetë e frymë nga vetja?, shprehet Ana.

Klea Iljas është nxënësja 18 vjeçare që ka realizuar pikturën e Ushtarit në Varrezat e Dëshmorëve në një mënyrë tepër të veçantë.

?E kam zgjedhur këtë pikturë për të treguar historinë e qytetit të Korçës. Mendoj së piktura ime është ndër më të veçantat për konceptin dhe filozofinë e saj. Gjithçka në këtë pikturë e ka një kuptim të caktuar dhe tregon diçka.

Shkallët tregojnë mundin dhe sakrificat e njerëzve për atë çka duam të arrijmë, ndërsa qielli është lumturia që vjen pas vuajtjeve. Shumë interesant është efekti që krijon pjesa e shkallëve me qiellin. Më ka pëlqyer të pikturoj që e vogël por pata një shkëputje dhe e ?rizbulova? talentin tim përsëri në vitin e dytë të gjimnazit, kur filloi klasa e arteve.

 Duke qenë se është hera e parë që marr pjesë në një ekspozitë, kam patur dyshimet dhe pasiguritë e mia, por që u shuan pas këshillave dhe mbështetjes së mësues Arjolit. Ai ishte personi që më inkurajoi për të ecur përpara dhe për të zhvilluar talentin tim në pikturë.

Nëse ke pasion dhe dëshirë, asgjë nuk duket e vështirë madje as piktura që kërkon disiplinë të rreptë dhe shumë durim. Unë mendoj se zoti kur i ka krijuar artistët i ka mbajtur ata ?me hatër? sepse në art nuk ekziston e vështira. Në të ardhmen nuk mendoj se do të jem piktore por që sigurisht do të kem lidhje me artin sepse është pjesë e pandashme e imja?, shprehet Klea.

Ekspozita ?The Town? u çel për qytetarët e Korçës pas një periudhe 1 vjeçare pune, ku ka ka ndikuar edhe pandemia.

Nxënësit e gjimnazit Raqi Qirinxhi arritën ta finalizonin me sukses këtë aktivitet, i cili është i treti që kanë mundur të realizojnë në një përiudhe 4 vjeçare.

Ekspozita ngjalli interes të shumtë nga qytetarët korçarë, dhe për ata që do të duan ta vizitojnë nga afer, ajo do të jetë e hapur deri në datën 27 Qershor pranë Bibliotekës së Re në qytetin juglindor./CNA.al

 

 

Lajmet e fundit nga