LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sokol Balla zbulon faktet e panjohura të “21 Janarit”/ Rrëfen telefonatën me Topin dhe mesazhin për Ramën

21 Janar 2021, 12:31, Aktualitet CNA
Sokol Balla zbulon faktet e panjohura të “21 Janarit”/

Gazetari i njohur shqiptar, Sokol Balla, ka botuar në 10-vjetorin e ?21 Janarit? librin e tij ?Dëshmia e puçit?, një libër kushtuar ngjarjeve tragjike në Bulevardin ?Dëshmorët e Kombit?, që tronditën vendin, ku mbetën 4 të vrarë.

Në këtë botim të UET press, gazetari i njohur sjell fakte të panjohura të një prej personave që u akuzua nga ish-kryeministri Sali Berisha si organizator i një grushti shteti.

Ai sjell fakte dhe përjetime të orëve të protestës së egërsuar, por dhe përgjigjes me fishekë luftarakë të gardës së republikës, manovrat e oficerëve të saj për të futur protestuesit brenda oborrit të kryeministrisë dhe vrasja e katër protestuesve jashtë saj, në trotuarin përballë kryeministrisë.

SOKOL BALLA

21 janari u duk ditë e trishtë, që në mëngjes. Dola diku rreth orës 9 e 30 minuta, nën një qiell gri, që premtonte rrufe më pas. Eca në këmbë drejt Bashkisë, nën vështrimet kurioze të qindra të mbledhurve që prisnin liderin të marshonin drejt Kryeministrisë, i veshur me xhup, xhinse dhe atlete, poshtë kisha një triko të lehtë dhe këmishë.

Nuk isha përfshirë në planet e televizionit për transmetimin direkt, por gjithsesi i mora masat, pasi intuita më thoshte se rrethanat mund të ndryshonin. Gjithsesi, mospërfshirja më jepte lehtësinë që, për herë të parë pas shumë vitesh, të ndiqja një ngjarje të madhe nga afër. Nuk kishim lënë ndonjë takim me kolegët, por e dinim ku do takoheshim.

Lokali i Fidelit në katin e katërt. Në katin e katërt pashë Mero Bazen, Andi Bushatin, Rudina Xhungën, Artan Hoxhën, Skënder Minxhozin, Arban Hasanin. Në tavolinën e tyre unë isha personi që ndenji më pak. Filipi, si gjithmonë, kishte diçka për të bërë dhe atë ditë e shpëtoi vjehrra, që i vdiq, dhe ai udhëtoi jashtë Tiranës për funeralin e saj.

Dola në tarracën e hapur, ku ndërkohë ishin vendosur kamerat. Ngrita kokën sipër dhe pashë në tarracë ministrin e Brendshëm, Bashën. Një ditë më herët kishte dhënë një paralajmërim të fortë se shkelësit e territorit të Kryeministrisë do të përballeshin me një forcë të papërballueshme dhe do të merrnin ndëshkimin e merituar.

Ishte me Ndrea Prendin, kreun e Gardës dhe po shihnin me dylbi se si turmat e organizuara të njerëzve po afroheshin nga sheshi i ministrive deri poshtë kullës së pushtetit. Të rrethuar nga mijëra forca policore, që kishin ardhur edhe nga rrethet. Qesha hidhur me veten, se mendova sa të lumtur duhet të ishin hajdutët e provincës sot. Po afrohej ora 11.00. Nga një burim në PS më erdhi një SMS.

Turma po vinte dhe mes tyre edhe Rama, i rrethuar nga një tufë e pazakontë bodigardësh. Tensioni u shtua në sheshin mes Piramidës dhe Kryeministrisë, në ato kohë e rrethuar me një gardh heshtash të gjata hekuri. Luçi, një punonjës i Gardës, skraparlli dhe kushëri me Metën dhe Fidelin, u ngrit prapa kurrizit tim, te veranda e katit të katërt, pa një mesazh që i erdhi dhe ngriti sytë sërish: ?Filloi!?.

Ajo që pasoi më pas nuk ndryshon shumë nga ajo që keni parë të gjithë. Rama ndërkohë u bllokua diku në hyrje të urës së madhe te hotel ?Dajti?, me fjalimin e palexuar në xhepin e palltos së gjatë. Rreth 150 veta nga protestuesit nuk duruan sa ai të vinte poshtë Kryeministrisë. Ata filluan të godasin policët, fillimisht anash ndërtesës, e më pas edhe në anën ballore. U shfaqën makinat me ujë me presion dhe Policia hodhi bombat e para me gaz lotsjellës.

Turmat filluan të shtyheshin nga pas. Shumë edhe në drejtim të urës. Tentova të lidhem në telefon, por linjat kishin rënë. Rama i shoqëruar u detyrua të kthehej pas. Astma e tij nuk e ndihmonte nga gazi lotsjellës. Përmes parkut ?Rinia? u kthye në selinë e Partisë Socialiste, nga ku nuk doli deri në orët e vona të pasdites. Protesta humbi liderin e saj. Ndërsa minutat rridhnin si pikat e shiut që binin me shpejtësi mbi bulevard, në rresht të parë dolën Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Protesta i ngjante një vale deti nën stuhi.

Herë mësynin policët, herë protestuesit. Tërheqjet pasonin njëratjetrën, por nuk ishin tërheqje të plota. Përleshja vazhdonte mes një grupi protestuesish që tashmë ndiqeshin në distancë disa dhjetëra metra nga protestuesit e tjerë, që me kalimin e kohës zgjeronin distancën me policinë. Hapësirë që zmadhohej edhe nga hedhjet e shpeshta të gazit lotsjellës, gaz që filloi të hidhej edhe në verandën ku rrinim ne gazetarët. Nga fillimi i protestës deri kur filluan vrasjet, gazi lotsjellës u hodh tri herë drejt nesh dhe nuk e kuptova përse, përveçse nëse Policia donte të pengonte kamerat të xhironin.

Kur një prej tyre ra shumë afër operatorëve, aty ku rrija dhe unë, ndjeva për herë të parë djegien dhe frymëzënien që të vinte nga gazi. Sikur një dorë të shtrëngonte në fyt, derisa sytë të digjnin më keq se mushkëritë. ?Lagni copa dhe vërini te hundët?, bërtiste Luçi, i cili do të provohej me kalimin e kohës se kishte informacione të sakta se çfarë po ndodhte poshtë dhe në komandën e operacionit policor.

Në këto momente më ra celulari. Pak veta e dinë se kur linjat celulare dobësohen, telefonatat celularë janë të parët që e pësojnë, por telefonatat nga numrat fiks në ato celularë funksionojnë për mrekulli. Plus numri im ishte ?Eagle? dhe thirrjet vinin nga ?Albtelecom?.

Megjithëse rrëmujë, e njoha numrin. Ishte i njëjti numër zyre që kishte telefonuar babain tim një ditë më parë nga zyra e Presidentit. Bamir Topi foli i shqetësuar në telefon: ?Çfarë bëhet kështu? Thuaji atij (Ramës) t?i tërheqë njerëzit?. Më tha se po përpiqej edhe vetë të lidhej. E pyeta nëse po e bënte këtë edhe me Berishën dhe mora një përgjigje që nuk e dëgjova mirë. Më pas më pyeti si të lidhej me Top-in, se donte të dërgonte një deklaratë.

I dhashë numrin e faksit. Ishte një deklaratë që kërkonte qetësimin e tërheqjen dhe u bënte thirrje palëve të hiqnin dorë nga dhuna. Besoj se ajo telefonatë e Topit duhet të ishte nga provat e para që Komisioni do të administronte si provë e ?puçit?. Në fakt ishte prova e së kundërtës.

Ndërkohë, pak më herët pashë që u hap dera e Kryeministrisë. Sipas dëshmisë së Agron Malajt, derën e kishte hapur fotografi i Gardës. Prej dhjetë vjetësh besoja se zgjidhja e kësaj enigme sqaron dhe thelbin e protestës si dhe drejtimin që donte t?i jepte asaj qeveria, ose më saktë, Berisha. Hapja e derës ndodhi ndoshta në momentin më të paduhur. Kjo nëse do të besosh variantin e mirë.

Protesta thuajse ishte shuar, ndërsa demonstrata po humbiste minutë pas minute numrat e saj. Por kur u hap dera disa protestues u futën në oborrin e Kryeministrisë, tre deri katër metra. Dy prej tyre avancuan edhe pak dhe njëri goditi në drejtim të gardistëve, nga krahu i hyrjes anësore të Kryeministrisë. Pikërisht në një nga dritaret e bodrumit jashtë ishte ulur Agim Llupo. Në këtë moment, sipas dëshmisë së Malajt, në radio është dëgjuar urdhri për të hapur zjarr.

Malaj thotë se breshëritë e para kanë qenë me plumba manovër, pra plumba që bëjnë zhurmë, por nuk kanë goditje. Por, sipas Malajt, ai ka mbetur i shtangur kur ka parë të bien në tokë degë të këputura nga plumbat. Në të njëjtin moment, Zyhdi Dajti, drejtor i Policisë Bashkiake të Tiranës dhe ish-drejtues i Gardës së Republikës, futet brenda territorit të Kryeministrisë dhe tërheq jashtë dy djemtë protestues, që ishin futur brenda. Sipas ligjit, nëse protestuesit futeshin brenda perimetrit, ligji i lejonte Gardës të hapte zjarr. Ishte argumenti i vetëm që Berisha do të përdorte më vonë, për të ngritur mbrojtjen e tij.

Zyhdiu e nuhati me përvojën e tij se pas kësaj gjërat mund të precipitonin, pikërisht në momentin kur protesta e mbetur pa lider dhe me skenar të prishur po shkonte drejt muzgut, njëkohshëm me muzgun e ditës. Veranda e katit të katërt ishte e ngushtë si kënd dhe pemët e larta e ngushtonin edhe më shumë shikimin.

Një dritare brenda, në krahun që shihte nga Kuvendi, ofronte më shumë pamje dhe ne vraponim nga veranda te dritarja, në varësi të dallgës së protestës. Kur protestuesit u futën pak metra, ne vrapuam te dritarja. Por kur filluan të shtënat, unë vrapova drejt verandës. Ndoshta dy-tre sekonda para se të shihja Ziver Veizin të këputej në tokë dhe të rrethohej nga Zydiu e disa të tjerë. Por pashë shumë mirë rrëzimin e trupit të Hekuran Dedës, ndërsa binte si gjethet e këputura nga breshëritë e plumbave.

Hekurani, ashtu si dhe unë, rreth orës 9 e pak, i shoqëruar nga disa shokë, ishte në sheshin ?Skënderbej?. Po shkonte drejt protestës, në krahun tjetër nga po ecja unë. Në videon që transmetova një javë më vonë në ?Top Story?, ai qeshte në kamera me shokët e tij. Kishte ardhur me autobus nga Greqia, ku punonte dhe jetonte.

Në video, fliste dhe dukej qartë se nuk kishte ardhur për të marrë pjesë në protestë, por si kurioz, thjesht për ta ndjekur atë nga afër. Nuk di nëse më njihte nga ekrani, por unë e njoha atë sekondë, e cila për të ishte edhe sekonda e fundit. Rrugët tona u kryqëzuan në momentin fatal për të dhe në momentin kur jeta ime ndryshoi. Në karrierën time kam përjetuar momente të vështira, edhe sigurie fizike, por ishte hera e parë që pashë vdekjen të zbriste këmbëkryq nga plumbat e një horri me uniformë ushtarake.

Një fshatari komsomolas, të bërë trim nga pushteti i armës, apo ndoshta një frikacak dhjaks, që arma i shkrehu jashtë kontrollit. Sipas dëshmisë ekskluzive për ?Real Story? në 21 janar 2021, automatiku 55 ishte një armë e vështirë për t?u mbajtur nën kontroll. Sido që të jetë, në ato pak sekonda, nga plumbat e Llupos vdiqën menjëherë Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe u plagos Fatos Mahmutaj. Vdiq edhe objektiviteti im për këtë ngjarje, që sigurisht do të shënjonte jetën time?

MES SHOKIMIT DHE MOSBESIMIT

Më pas pashë dhe dy grupe njerëzish që mbanin në drejtime të ndryshme dy trupa. Ishin ata që mbanin Aleks Nikën dhe ecnin në drejtim të Urës së Madhe. Një makinë u afrua, sot nuk më kujtohet nëse ishte ambulancë apo civile, dhe mesa u duk, e nisi atë drejt Spitalit Ushtarak. Më afër dy kullave, një tjetër trup mbahej nga disa veta dhe dukej i pajetë. Ishte Faik Myrtaj. Trupat e Hekuranit dhe Ziverit ishin larguar më herët.

Shokimi në fytyrën time është fiksuar nga një foto e Hektor Pustinës, e shkrepur në distancë nga mesi i bulevardit. Unë shihem me një xhup blu me kapuç, mes kameramanëve, duke parë poshtë. Nuk ka një pasqyrim më të saktë të gjendjes sime në ato momente. Nuk arrija ta besoja atë që po ndodhte. Pikërisht kur u duk se gjithçka po fashitej.

Në këtë moment u riktheva te tavolina e kolegëve, nga ku buzëqeshja kishte kohë që kishte ikur. Në lidhje direkte nga Spitali Ushtarak, dy mjekë po flisnin para kamerave. Konfirmuan dy vdekjet e para dhe gjendjen në koma të një të treti. Faik Myrtaj si duket nuk kishte mbërritur akoma. Sipas mjekëve që kishin shikimin dhe zërin e fikur, vrasjet ishin bërë nga afër dhe me armë të kalibrit të vogël.

Pra, me pistoletë? Së paku, mesa më ishte fiksuar, në ato momente protestuesi më i afërt me gardistët që u shfaqën në oborrin e Kryeministrisë kur u hap dera e saj ishte djali që ishte futur brenda dhe që hodhi një gur në drejtim të gardistëve. Ai ishte, së paku, 12-13 metra më afër se Ziver Veizi ndaj pozicionit të gardistit më të afërt, pasi u shkrepën armët; pasi zjarri nga tytat ishte i dukshëm, për shkak të rënies së muzgut. Ky gardist që shtinte dukshëm në ajër ishte në këmbë, së paku pesë metra larg një gardisti të ulur pranë dritares së bodrumit dhe që mbante armën automatike në drejtim horizontal, në pozicion qitjeje.

Pra, me një llogari të thjeshtë dhe jo shumë të saktë në pak sekonda largësia nga viktima më e afërt te gardisti më i afërt ishte së paku 35 metra, por largësia nga gardisti i ulur në pozicion qitjeje dhe Ziverit ishte diku mbi 40 metrat. Nga Hekurani, më shumë se 45 metra. Por asnjë gardist nuk kishte qenë aq afër. Kush vrau? Pyetja ishte e rëndë, përgjigjet edhe më të rënda. Nëse ishin vrarë nga afër, ishin vrarë nga civilë. Skema e konfuzionit të krijuar nga vrasjet kishte filluar të funksiononte. Ishin vrarë qëllimisht, por nga kush? Vetëm Mero Baze nuk kishte asnjë dyshim. ?I vrau Saliu?.

Për ne të tjerët, pikëpyetjet ishin të forta. Për një çast, mendova të pamendueshmen. Rama nuk kishte bërë asgjë për të shmangur përplasjen, me gjithë paralajmërimet që së paku ia kisha përcjellë unë. Ishte një skemë e përgatitur prej tij? Por dilema dhe frika lidhen me arsyen, intuita lidhet me historinë. Dhe historia favorizonte negativisht Sali Berishën. Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë e gjeja veten të mendoja siç mendonte Mero Baze. Ai ishte i zoti, falë intuitës dhe informacionit, të përkthente sjelljet e Sali Berishës. Kjo më bënte të dyshoja se edhe në pasditen e 21 janarit 2011, Mero Baze kishte të drejtë: protestuesit ishin vrarë nga gardistët e Saliut.

Ai e kishte paralajmëruar këtë një ditë më parë. I kishte qëndruar ?premtimit?. Por dyshoja se do ta pranonte këtë publikisht. Derisa më kishte krijuar mua perceptimin se mund të ishin vrarë edhe nga vetë brenda protestuesve, përse mos ta bënte këtë edhe me publikun e gjerë? Por nuk ishte koha për analiza të gjata. Po binte nata dhe nga shkallët e ndërtesës u dëgjuan britma të forta.

BETEJA E EKRANEVE

Në sallën e restorantit ku ishim vetëm ne gazetarët dhe punonjësit e lokalit u dyndën të frikësuar dhe të tmerruar disa dhjetëra të rinj. Mes tyre, shquajta disa nga djemtë e rinj të ?Mjaft?-it, Andin dhe Leartin. Por në fund hyri me vrap dhe kokën prapa Erion Veliaj. Pas tij edhe Ajola. Të gjithë vrapuan dhe u fshehën pas nesh. Vetëm pak sekonda më vonë, me zhurmën e takëmeve të rënda, erën e djersës dhe zemërimin nga një ditë e gjatë pune, por dhe dhuna e ushtruar mbi ta, hynë disa policë me skafandra, mburoja dhe shkopinj gome. Policia po bënte krehjen e fundit të bulevardit.

Vetëm kur panë fytyrat e njohura, timen, të Rudina Xhungës, dhe ajo e ngjitur në sekondë të fundit, e të Skënder Minxhozit, policët u zmbrapsën: ?Zhdukuni të gjithë. Brenda pak minutash nuk duam t?ju shohim më vërdallë?, foli rëndë njëri prej tyre. Më pas zbritën. Pas tyre, me frikë e ankth dhe pas kurrizit tonë zbritën gjithë të tjerët. Kur shkuam në kat të parë e dolëm jashtë, të rinjtë u shpërndanë me vrap nga të katër anët. Në trotuar mbetëm të ngrirë unë, Xhunga dhe Minxhozi. Rudina duke u dridhur për shkak se jo larg nesh disa policë po na shikonin në kokërr të syrit, ngriti zërin qëllimisht që të na njihnin dhe tha: ?Ikim te Top-i?.

Më futi krahun, ndërsa Skënderi me trupin e tij të madh ecte dy hapa pas nesh. Ndërsa kalonim anën tjetër të bulevardit, tre policë kishin vënë në mes Fatmir Xhafën. Dy e shtrëngonin nga krahët dhe e shtynin drejt urës, ndërsa i treti i binte gjysmë fshehurazi me shkop gome te kërcinjtë. Kujdesej që të mos i linte shenja të dukshme, personit që do bëhej ministër i Brendshëm vetëm 6 vite më vonë.

Ndërkohë, në një tjetër ekran, ose me saktë dy, afër qeverisë, kishte filluar truku i ngritjes së skemës së puçit të shtetit, duke filluar nga inskenimi i vrasjeve, sikur ishin bërë nga brenda protestuesve. Grupi medial i njerëzve pranë Saliut, kishin punuar mesa duket me plan. Një kamera e tyre, e vendosur brenda ndërtesës së Kuvendit, kishte një plan të shkëlqyer ballor të hyrjes anësore të Kryeministrisë, aty ku dhe u zhvilluan ngjarjet dhe dy vrasjet më të dukshme (bashkë me, paradoksalisht, vrasjen e mbetur në tentativë të gazetarit të tyre Fatos Mahmutaj).

Mahmutaj duket se kishte dalë jashtë rreshtit dhe atë ditë i ishte dedikuar profesionit të tij dhe jo linjës editoriale. Ndoshta për këtë, podiumi i gazetarëve ku ai u godit dhe ku humbi jetën dhe Hekuran Deda nuk ishte rastësi. Ashtu siç nuk u hodh rastësisht tri herë gaz lotsjellës në verandën ku isha unë dhe dhjetëra operatorë te dy kullat. Atë ditë si duket qeveria la të xhironin vetëm kamerat e saj: ato të Gardës dhe të ?ABC News?. Gjithçka ishte kopsitur me kujdes.

Nuk e di ku e kanë gjetur qetësinë kriminale të qepjes së këtij skenari që rezultoi dhe idiot, pasi rreth orës 22.45 ?News 24? publikoi videon që tregon se si qeveria e Sali Berishës i vrau protestuesit, plagosi rreth 30 të tjerë; mes tyre së paku 6 me plagë të tilla, që për distanca milimetrike do të kishin qenë vdekjeprurëse, si ajo ndaj Fatos Mahmutajt dhe një djali të ri 27-vjeçar, një biznesmen i ri, i afërt me PS-në, të cilit plumbi i kishte hyrë e dalë nga qafa, për fatin e tij të madh, pa i shkaktuar asnjë dëm fizik të ndjeshëm. Qepja e skenarit të vrasjeve nga brenda protestës, është një krim i dytë, që gjithashtu, nuk u hetua e nuk u gjykua kurrë. Çuditërisht u hetuam vetëm ne, gazetarët kritikë ndaj Berishës.

Pasi dola nga studioja e ?Top?-it, një makinë e punës më çoi në shtëpi. U ngula para ekranit. Te ?Top?-i njerëz që flisnin budallallëqe, te ?Klani? emisione të qepura me kujdes kundër Ramës. Po fitonte terren ?teza? e vrasjes nga brenda protestës. Më thanë se Rama po shkonte në shtëpi, një shenjë se kishte mbaruar gjithçka. Protesta që dështoi, dhunë mbi Policinë, njerëz që u vranë. Gjithçka paralajmëronte furtunë mbi kokën e Edi Ramës. Kur erdha në shtëpi, të gjitha dritat e Prokurorisë së Përgjithshme ishin ndezur. Grup prokurorësh kishin mbërritur shumë shpejt në vendngjarje.

Për fat, në kohë për të sekuestruar edhe makinën. (Siç do ta pohonin të nesërmen, nuk ishte gjetur në të as tritol dhe as gjurmë shpërthyesish, por dyshoj se do ta kishin thënë këtë gjë, nëse nuk do të kishte ndodhur ngjarja, ndoshta, më e rëndësishme dhe padyshim një nga punët për të cilat media shqiptare duhet të ndjehet krenare: xhirimi i vrasjes së protestuesve nga gardisti i zellshëm Agim Llupo).

Ndërsa trishtimi për vrasjet para syve të mi trashej nga pamundësia për të provuar atë që intuita ime më thoshte, befas më vjen një mesazh nga një miku im në një ambasadë të rëndësishme: ?Çoje pak te ?Neës 24??. Gazetari Artan Hoxha po shpjegonte se si ai dhe operatori Ervin Daja kishin pamjet e vrasjeve nga një kënd, nga ku dukeshin edhe vrasja, edhe viktimat, edhe vrasësi. Më pas filluan pamjet e videos. Dhe mua befas më ndaloi frymëmarrja!/CNA.al

Lajmet e fundit nga