LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ja si ndikon graviteti mbi sipërfaqen e Tokës

3 Tetor 2020, 06:22, Blog CNA
Ja si ndikon graviteti mbi sipërfaqen e Tokës

Nga Simon Lamb ?Cosmos Magazine?

* A keni menduar ndonjëherë, pse sipërfaqja e Tokës është e ndarë në dy botë të dallueshme:oqeanet dhe sipërfaqet e mëdha tokësore? Pse nuk janë të përziera toka dhe uji, duke formuar një peizazh liqenor? Dhe pse pjesa më e madhe e tokës është relativisht e ulët dhe afër nivelit të detit, duke i bërë rajonet bregdetare të prekshme nga ngritja e nivelit të deteve?

Studimi ynë i ri zbulon forcat themelore që formësojnë sipërfaqen e Tokës. Ai mbështetet në punën e një shkencëtari të njohur të shekullit XIX. Në vitin 1855, astronomi britanik Xhorxh Ejri publikoi atë që është pa dyshim një nga punimet më të rëndësishme shkencore në shkencat e tokës, duke përcaktuar faktorin kryesor që kontrollon lartësinë e sipërfaqes së planetit tonë.

Ai ishte i vetëdijshëm se forma e Tokës është shumë e ngjashme me një top të lëngët që rrotullohet, i deformuar paksa nga forcat e rrotullimit, pak i fryrë në Ekuator dhe më i rrafshët në Pole. Ai arriti në përfundimin se brendësia e Tokës duhet të jetë si lëngu.

Nga matjet që i bëri forcës së gravitetit në disa miniera, Ejri arriti në përfundimin se brendësia e thellë e Tokës duhet të jetë shumë më e dendur se sa ajo e sipërfaqes.

Në atë kohë Ejri bëri një hap të jashtëzakonshëm në të menduarit shkencor. Ai propozoi që pjesa e jashtme e Tokës, të cilën ai e quajti kore, duhet të lundronte mbi ?lëngun? themelor. Një analogji mund të jetë një ajsberg që noton në ujë. Që të ngrihet mbi sipërfaqe, ajsbergu duhet të ketë rrënjë të thella të akullta.

Duke zbatuar të njëjtin parim në Tokë, Ejri tha se edhe korja e Tokës ka ?rrënjë? të ngjashme  si ajsberg. Dhe sa më e lartë të jetë lartësia e sipërfaqes, aq më të thella duhet të jenë këto ?rrënjë?, duke krijuar kore më të trasha. Ideja e tij, ofroi një shpjegim bazik për kontinentet dhe oqeanet.

Ato ishin përkatësisht rajone të kores së trashë dhe të hollë. Varmalet e larta, si Himalaja ose Andet, shtriheshin në një kore edhe më të trashë. Në vitet 1960, teoria e re e tektonikës së pllakave, e ndërlikoi disi shpjegimin.

Ajo shtoi konceptin e pllakave tektonike, të cilat janë më të ftohta dhe më të dendura se sa manteli poshtë kores së Tokës. Gjatë 2 dekadave të fundit, gjeofizikantët kanë arritur më në fund të kenë një pamje të saktë të kores në të gjitha kontinentet.

Në studimin tonë, ne zbuluam një rezultat befasues. Duket se ka pak lidhje midis lartësive mesatare të kontinenteve dhe trashësisë së kores, përveç fakti që korja është shumë më e trashë në tokë sesa nën oqeane. Pjesa më e madhe e sipërfaqes së tokës, është brenda disa qindra metrave nga niveli i detit, megjithatë trashësia e kores ndryshon me më shumë se 20 km.

Studimi ynë tregon se pllaka tektonike e trashë, është duke vepruar si një lloj ?spirance?, duke i mbajtur lartësitë gjeografike relativisht të ulëta, edhe pse korja e fortë dëshiron të ngrihet më lart. Ne përdorëm matjet e trashësisë së pllakave tektonike, të përcaktuara së fundmi nga shpejtësia e valëve sizmike.

Baza e pllakave kontinentale arrin deri në 250 km thellësi, por pjesa më e madhe është e thellë midis 100-200 km. Lartësitë mesatare të kontinenteve, janë çuditërisht të pandjeshme ndaj trashësisë mesatare të kores poshtë tyre, në kundërshtim me parashikimin e Ejrit se ato notojnë mbi mantelin themelor si ?ajsbergë? shkëmborë.

Evropa dhe Azia, kanë lartësi mesatare shumë të ngjashme me rreth 175m mbi nivelin e detit. Në Azi, si korja ashtu edhe pllaka tektonike janë më të trasha sesa nën kontinentin Evropian, por pesha e trashësisë shtesë e ekuilibron prirjen për ngritjen e kores së trashë.

Por pse ka kaq shumë sipërfaqe tokësore afër nivelit të detit? Përgjigja është erozioni. Me kalimin e kohës gjeologjike, lumenjtë kryesorë e konsumojnë peizazhin, duke çuar në det fragmente shkëmbinjsh. Në këtë mënyrë, lumenjtë do të zvogëlojnë gjithnjë kontinentet në një lartësi afër nivelit të detit.

Antarktida Lindore, është përjashtimi që e provon këtë rregull. Ajo ka qenë afër Polit të Jugut për qindra miliona vjet, dhe me një klimë shumë të ftohtë, ndaj lumenjtë e mëdhenj nuk mund të shkatërronin peizazhin përreth.

Korja është ?mbrojtur? nga forcat e erozionit, dhe ajo është mesatarisht rreth 5 km më e trashë se të gjitha kontinentet e tjera në Hemisferën jugore, por ndërkohë ka një trashësi të ngjashme të pllakës. Pesha e shtresës së gjerë të akullit të Antarktikut Lindor, po shtyn për poshtë shtratin e vet.

Por nëse do të shkrihej i gjithë akulli, sipërfaqja e Antarktidës Lindore do të ngrihej sërish për lart gjatë 10.000 viteve të ardhshme, për të formuar kontinentin më lartësinë më të madhe nga të gjithë në planetin tonë. Kjo gjë nuk është sigurisht një arsye ngushëlluese mbi gjendjen aktuale të klimës, me pjesën më të madhe të popullsisë së botës që jeton në zonat bregdetare./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga