Klaus Von Stauffenberg, Koloneli gjerman që tentoi të vriste Hitlerin për të shmangur shkatërrimin e Gjermanisë

17 Nëntor 2019, 09:34, Blog CNA
Klaus Von Stauffenberg, Koloneli gjerman që tentoi të vriste Hitlerin

I lindur në një familje aristokrate, konti Klaus von Shtaufenberg, e ndjente se ishte detyra e tij të shërbente me nder, dhe mbronte kombin e tij gjerman. Ai besoi në fillim, se Adolf Hitleri mund të ishte njeriu për ringritjen e Gjermanisë. Por më vonë u zhgënjye prej tij, dhe iu bashkua një komploti kundër regjimit nazist, që në fund i mori jetën.
Lindi më 15 nëntor 1907 në kështjellën Jetingen të familjes së tij, që ishte prej 6 shekujsh një
nga familjet më me ndikim në jugun katolik të vendit. Si çdo gjerman tjetër i brezit të tij, fëmijëria e Shtaufenberg u ndikua shumë nga Lufta e Parë Botërore.

Ai vendosi të ndihmonte me çdo mjet Gjermaninë, që po i nënshtrohej kushteve të rënda të paqes nga Traktati i Versajës. Edhe kur fisnikëria u detyrua me kushtetutë të hiqte dorë nga privilegjet e saj, Shtaufenberg mbeti i përkushtuar ndaj vendit të tij. Në vitin 1926, ai u regjistrua në ushtrinë gjermane, në regjimentin e kalorësisë. Në pak vite, arriti të marrë gradën e togerit.
Hitleri u emërua kancelar i Gjermanisë po atë vit që Klaus u martua me gruan e tij, Ninën. Shtaufenberg e mirëpriti në fillim ngjitjen e Hitlerit në pushtet. Ai mendonte se Fyhreri do
të ndihmonte në rivendosjen e krenarisë dhe prestigjit të nëpërkëmbur të Gjermanisë.
Por nisi të ketë shumë shpejt dyshimet e para, pas së ashtuquajturës Nata e Thikave të Gjata në qershorin e vitit 1934. Për të forcuar pozitat e tij, Hitleri tradhtoi dhe eleminoi shumë njerëzit që e ndihmuan të ngjitej në pushtet.

Ngjarja e dytë që e shqetësoi aakoma më shumë Shtaufenbergun, ndodhi në nëntorin e vitit 1938. Gjatë 2 ditëve, trupat parmilitare naziste vranë dhjetëra hebrenj, dhe shkatërruan bizneset e tyre, në atë që mbeti në histori si ?Kristallnacht? (Nata e Xhamave të Thyer). Për Shtaufenberg, ?Kristallnacht?, ishte një njollë mbi nderin e Gjermanisë.
Në atë kohë, ai u njoh me Hening von Treshkov, një oficer në komandën e lartë të ushtrisë gjermane, që e përdori pozitën e tij për të organizuar një grusht shteti. Që të dy ushtarakët, kishin shumë pikëpamje të njëjta. Më vonë, Shtaufenberg u promovua në gradën e kolonelit, dhe u dërgua të luftojë në Afrikë, me Divizionin e 10-të të Panzerave.
Ai e kuptoi gradualisht, se Gjermania nuk kishte asnjë shans për të fituar luftën. Ai u zhgënjye edhe më shumë me oficerët e niveleve të larta, që nuk pranonin t?i tregonin Hitlerit të vërtetën e situatës në terren. Një sulm i aleatëve në vitin 1943, e la të plagosur rëndë. Ai humbi syrin e majtë, dorën e djathtë, si dhe gishtin e vogël dhe atë unazës në dorën e majtë.

Mjekët menduan në fillim, se ai nuk kishte gjasa të mbijetonte. Edhe nëse ndodhte kjo, ai me siguri që do të mbetej përjetë invalid. Por Shtaufenberg pati një rikuperim të jashtëzakonshëm në më pak se 3 muaj. Për guximin e treguar në luftë, u nderua me medaljen e Kryqit të Artë.
Plagosja e rëndë, e bindi akomë më shumë Shtaufenbergun, se Hitleri duhet të rrëzohej nga pushteti. Pasi rifilloi punë në Zyrën e Përgjithshme të Ushtrisë në Berlin, ai komplotoi me oficerë si gjenerali Friedrih Olbriht, Shef i Zyrës së Përgjithshme të Ushtrisë në Komandën e Lartë.
Në fakt, Staufenberg nuk ishte i vetmi që e kundërshtonte në fshehtësi Hitlerin. Von Treshkov kishte kryer një atentat kundër Hitlerit në marsin e 1943-it. Ai vendosi një bombë në avionin e Fyhrerit. Por fatkeqësisht Hitleri zbarkoi në Berlin shëndoshë e mirë. Bomba nuk shpërtheu, për shkak të një defekti në siguresë.

Një javë më vonë, oficeri Rudolf von Gertsdorf, vendosi një bombë në trup, duke synuar
të vetëhidhej në erë, kur aty pranë të kalonte Hitleri. Edhe ajo përpjekje dëshoi. Pas zbarkimit tëAleatëve në Normandi në 6 qershor 1944, oficerët gjermanë të rezistencës u dëshpëruan.
Disa menduan ta shtynin planin, kur Aleatët të përparonin drejt Berlinit. Por Shtaufenberg nuk pranoi të tërhiqej.
Komploti i 20 korrikut, do të ndodhte ditën kur Shtaufenberg mori pjesë në mbledhjen e lartë të disa ushtarakëve në shtabin e Hitlerit në Prusinë Lindore, i njohur si ?Strofulla e Ujkut?. Pasi kurdisi orën e bombës, koloneli hyri brenda në sallë, dhe vendosi me qetësi çantën e tij nën tryezën e madhe.
Hitleri dhe oficerët e tjerë ndodheshin rreth e rrotull. Pas disa minutash, Shtaufenberg përdori një pretekst për të dalë nga salla. Kur po afrohej tek makina e tij, u dëgjua një shpërthim i fuqishëm. Gjatë kaosit që pasoi, koloneli arriti të kalonte të gjitha pikat e kontrollit, dhe t?i hipte një avioni që e çoi në Berlin, i bindur se askush nuk do t?i kishte mbijetuar shpërthimit.

Për fatin e keq të Shtaufenbergut dhe komplotistëve të tjerë, Hitleri i kishte shpëtuar sërish vdekjes. Shtaufenberg dhe 3 udhëheqësit e tjerë të komplotit, u kapën në zyrat e komandës, dhe u akuzuan për një grusht shteti. Më 21 korrik 1944, Klaus u pushkatua në oborrin e godinës bashkë me Olbriht. ?Rroftë Gjermania e lirë?- ishin fjalët e tij të fundit.
Në ditët që pasuan, u vranë qindra komplotistë të tjerë. Vëllai i Shtaufenberg, Berthold, që ishte gjithashtu pjesëmarrës në komplot, u var në litar. Gruaja shtatzënë e kolonelit, Nina, u arrestua nga Gestapo, dhe u dërgua në kampin e përqendrimit në Ravensbryk.
Fëmijët e tij u dërguan jetimore. Familja u ribashkua më vonë, dhe gruaja e Klausit nuk u martua kurrë. Djali i Klaus, Bertield, kujton se kur mësoi se kush ishte babai i tij e pyeti të ëmën:?Si mundi ta bënte këtë??. Dhe ajo i tha:?Ai besonte se duhej ta bënte për Gjermaninë?. Bertield shtoi:?Për mua, nuk ka dyshim se ai komplot, shpëtoi pak nga nderi i humbur i Gjermanisë?/Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga