LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

DASH: Shqipëria burim kanabisi, vend tranzit për drogat e forta

29 Mars 2019, 07:09, Aktualitet CNA
DASH: Shqipëria burim kanabisi, vend tranzit për drogat e forta

Departamenti amerikan i Shtetit i dorëzoi të enjten Kongresit raportin vjetor për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve.

Në pjesën për Shqipërinë, DASH thotë se ky vend është njëkohësisht burim i kanabisit dhe, gjithnjë e më shumë, një vend tranzit për kokainën dhe heroinën.

Në këtë raport që mbulon vitin 2018, Departamenti i Shtetit thotë se tranziti i kanabisit si dhe i drogave të forta komandohet kryesisht nga elementë të krimit të organizuar që transferojnë droga të paligjshme nga vendet burim për në tregjet evropiane.

Vëllimi i konfiskimeve të drogës dhe arrestimet e lidhura me drogën në vitin 2018, thuhet në raport, ishin me rëndësi, të nxitura kryesisht nga bashkëpunimi i organeve ligjzbatuese me partnerët ndërkombëtarë, presioni ndërkombëtar në rritje dhe përpjekjet e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Europian.

Sipas raportit, roli i Shqipërisë si burim apo treg për droga të paligjshme përtej kanabisit është i vogël, por ka pasur një rritje në konfiskimet e kokainës që kalon nëpër Shqipëri për në Europë, përveç zbulimit të laboratorëve të përpunimit të heroinës dhe kokainës në Shqipërinë veriore dhe qendrore. ?Grupet kriminale shqiptare e trafikojnë kokainën dhe heroinën drejt tregjeve evropiane nga vendet burimore në Amerikën e Jugut dhe Azi.?

Në raport thuhet se korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes e kufizon efektivitetin e përgjithshëm të luftës kundër narkotikëve.

Korrupsioni zyrtar, thuhet aty, është i përhapur dhe nxit një mjedis në të cilin trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndëshkuar.

Sipas raportit, përpjekjet për të çrrënjosur kanabisin dhe ndjekur penalisht kultivuesit e tij kanë qenë të gjera, por jo kudo njëlloj, dhe ndërhyrja në infrastrukturën e trafikimit të drogës që është krijuar gjatë dy dekadave përbën një sfidë.

Raporti thotë se shkalla e lartë e papunësisë dhe sundimi i dobët i ligjit kanë krijuar një ambient ideal për grupet e krimit të organizuar që shkaktojnë problemin e kontrollit të drogës në Shqipëri./ VOA

Lajmet e fundit nga