web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Në Botëror luhet për më shumë se finalja, sa janë shanset e ekipeve

12 Korrik 2026, 20:06, Sport CNA

Në Botëror luhet për më shumë se finalja, sa janë

Botërori ka hyrë në fazën vendimtare dhe tashmë janë përcaktuar katër skuadrat që do të luftojnë për trofeun më të rëndësishëm të futbollit. Pas përfundimit të çerekfinaleve, në garë kanë mbetur vetëm kombëtare që kanë fituar më parë Kupën e Botës, duke lënë jashtë çdo mundësi që një vend i ri të marrë trofeun për herë të parë.

Franca, Spanja, Anglia dhe Argjentina janë katër kombëtaret që vazhdojnë rrugëtimin. Në total, ato numërojnë 7 trofe botërorë. Argjentina kryeson me 3 tituj, Franca ka fituar 2 herë, ndërsa Spanja dhe Anglia kanë nga një trofe secila.

Gjysmëfinalja e parë do të zhvillohet më 14 korrik në Dallas dhe do të vendosë përballë Francën dhe Spanjën. Sipas vlerësimeve aktuale, francezët konsiderohen pak më të favorizuar. Përllogaritjet japin 55% mundësi për Francën dhe 45% për Spanjën.

Një nga armët kryesore të skuadrës së Didier Deschamps mbetet potenciali ofensiv. Kylian Mbappe vazhdon të jetë figura kryesore, por Franca ka në dispozicion edhe Ousmane Dembele, Michael Olise, Bradley Barcola dhe Desire Doue.

Nga ana tjetër, Spanja ka treguar stabilitet gjatë gjithë turneut. Skuadra e Luis de la Fuente kaloi ndeshjet e para pa pësuar gol, derisa Belgjika arriti të gjejë rrugën e rrjetës në çerekfinale. Për spanjollët, një nga elementët më të rëndësishëm mbetet Lamine Yamal, i cili ende nuk ka shfaqur plotësisht potencialin e tij në këtë Botëror.

Gjysmëfinalja tjetër do të luhet më 15 korrik në Atlanta dhe do të sjellë një përballje me histori të pasur mes Argjentinës dhe Anglisë. Takimi vjen 40 vjet pas sfidës së famshme të vitit 1986, ku Diego Maradona realizoi golin e njohur si “Dora e Zotit” dhe më pas atë që u cilësua si “Goli i Shekullit”.

Edhe pse diferencat mes dy skuadrave konsiderohen minimale, Argjentina paraqitet me një avantazh të vogël në parashikime. Vlerësimet japin 52% mundësi për Argjentinën dhe 48% për Anglinë.

Kampionët në fuqi mbështeten te eksperienca e Lionel Messit dhe te grupi i lojtarëve që e rrethojnë. Mesi vazhdon të jetë pika kryesore e referimit për skuadrën e Lionel Scalonit, ndërsa Anglia mbështetet te Harry Kane dhe Jude Bellingham.

Përveç garës për trofeun botëror, vëmendja është përqendruar edhe te gara për golashënuesin më të mirë të turneut. Aktualisht, Lionel Messi dhe Kylian Mbappe ndajnë vendin e parë me nga 8 gola secili.

Pas tyre renditet Erling Haaland me 7 gola, por sulmuesi norvegjez nuk mund ta përmirësojë më këtë shifër pasi Norvegjia është eliminuar. Kane dhe Bellingham kanë nga 6 gola, ndërsa Dembele ka realizuar 5.

Ndryshe nga skuadrat e tjera gjysmëfinaliste, Spanja nuk ka një golashënues dominues. Golat e saj janë shpërndarë mes disa futbollistëve, ndërsa realizuesi më i mirë deri tani është Oyarzabal me 4 gola.

Një tjetër garë që tërheq vëmendjen është ajo për Topin e Artë. Rezultatet e ndeshjeve të mbetura mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në këtë çmim individual.





Lajmet e fundit nga