web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Festimet e Pashkës në Korçë/ Tradita dhe artizanati në “Panairin e Pranverës”

17 Prill 2025, 15:45, Sociale CNA

Festimet e Pashkës në Korçë/ Tradita dhe artizanati

Tradita e hershme e artizanatit dhe mjeshtëria në punimin e enëve prej balte janë rikthyer në vëmendje nëpërmjet një panairi të veçantë që po zhvillohet në qytetin e Korçës. Ky aktivitet përkon me festimet e Pashkës ortodokse, një nga ngjarjet më të rëndësishme për komunitetin lokal, dhe i jep një atmosferë të veçantë qytetit.

Festimet e Pashkës në Korçë/ Tradita dhe artizanati

"Panairi i Pranverës" është vendosur në sheshin para Katedrales dhe është zbukuruar enkas për festën, duke krijuar një hapësirë të ngrohtë dhe tradicionale për qytetarët dhe vizitorët. Artizanë nga Korça dhe rrethinat ekspozojnë punime të ndryshme në baltë, objekte zbukurimi, qirinj dhe elementë të tjerë simbolikë që lidhen me festën.

Zonjat korçare tregojnë se në këto ditë përjetojnë gëzim të madh, ndërsa e enjtja dhe e premtja janë ditët më të ngarkuara, kur besimtarët marrin qirinjtë e Pashkës dhe enë të punuara me dorë, si pjesë e traditës dhe besimit të tyre. Këto objekte jo vetëm që kanë një kuptim fetar, por mbartin edhe vlera kulturore që i japin vazhdimësi trashëgimisë së qytetit.

Festimet e Pashkës në Korçë/ Tradita dhe artizanati

"Ne i kemi jetuar prej vitesh këto festa sepse jam e viteve të mëvonshme dhe i prisnim me shumë gëzim. Që kur vinte e hëna e Pashkës dilnim çdo ditë dhe shkonim te Shën Gjergji, ndiznim qirinj siç ishim të vegjël dhe rrinim të gjithë poshtë e me qirinj ndezur shkonim në shtëpi. Të hënë, të martë, të mërkurë, të enjte dhe në vazhdim. Ky ishte një gëzim dhe me gjithë mend, tani që po i përjetojmë përsëri, na sjellin kujtime shumë të bukura. Dita e mërkurë është Dita e Murosjes, kjo është e veçantë. Kur ishim të vegjël nuk ua dinim kuptimin shumë gjërave, por sot si të rritur, na mbush me shpresë. Balta është ajo që ka krijuar Zoti, njeriun prej balte që krijoi Evën dhe Adamin. Për Pashkë pres me gëzim fëmijët e mi me gjithë të mirat, gatimi është kryesori dhe blerja e qirinjve. Zgjedhim më të bukurat, më të mirat për fëmijët që t'ua përshtatim atyre. Për vezët blejmë bojën dhe gëzimi është që përveç ngjyrës së kuqe, të kemi dhe ngjyra të tjera",-tha një qytetare.

Festimet e Pashkës në Korçë/ Tradita dhe artizanati

"Gëzuar Pashkët të gjithë shqiptarëve, t'ia kalojmë bukur. Vijmë këtu të marrim ndonjë qiri, bojë të kuqe, me këto gotat për të vënë vezën e kuqe. Ditën e enjte ose të premte është tradita që e blejmë baltën",-urojnë qytetarët.

Një çift bashkëshortësh tregojnë më shumë mbi festën e Pashkës, si një nga festat më të mëdha që festojnë në qytetin e Korçës.

Festimet e Pashkës në Korçë/ Tradita dhe artizanati

"Pashkën e festojmë se është një festë e madhe kristiane. Bëjmë vezë të kuqe, bëjmë mish të pjekur në hell, bëjmë edhe bukë të mira si çyreku të lyer sipër me vezë. Në çyrek vendosin dhe një vezë në të. Kjo festë është familjare, nuk është se dalin njerëzit e të shkojnë nëpër vizita. Nga Panairi është mirë të marrësh diçka e ta çosh në shtëpi për të mirën e shtëpisë. Një gjë prej balte, si një këpuckë që i thoshim ne qëmoti, se sjell mbarësi. Korça gjithë jetën ka qenë që edhe myslimanët shkojnë në kishë, edhe të krishterët shkojnë në xhami, këtë ta dini",-tha qytetarja.

"Siç e tha gruaja, e festojmë së bashku të gjithë, se ne kemi qenë 30 vite në Greqi dhe e kemi festuar gjithnjë bashkë me grekët. Gëzuar e mbarësi të kemi",-tha qytetari.

Festimet e Pashkës në Korçë/ Tradita dhe artizanati

Pjesë e panairit është bërë edhe një artizan nga Tirana, i cili ka sjellë në stendën e tij një sërë punimesh, kryesisht në dru. Ai thotë se vjen në Korçë për herë të parë si pjesëmarrës në panair dhe organizimi për të është shumë i mirë.

Festimet e Pashkës në Korçë/ Tradita dhe artizanati

"Shes punimet e drurit, të gjitha janë me material druri edhe guri më sipër. Shumë kohë, merr shumë kohë një punim. Gustot janë të ndryshme, më tepër janë të kërkuara logot e sportit. Unë vij nga Tirana, jam për herë të parë në këtë panair në Korçë. Hera e parë shumë mirë duket, organizimi është shumë mirë, tani të shohim deri në fund”,-tha artizani.

Festimet e Pashkës në Korçë/ Tradita dhe artizanati

Panairi është një mundësi për të promovuar më tej artizanatin lokal, duke mbështetur mjeshtrit që ende ruajnë dhe kultivojnë këtë pjesë të rëndësishme të identitetit korçar./CNA





Lajmet e fundit nga