web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rasti "Ajola Xoxa"/ Pse SPAK dhe GJKKO nuk janë “represivë”

22 Korrik 2026, 11:54, Editorial CNA
Rasti "Ajola Xoxa"/ Pse SPAK dhe GJKKO nuk janë
Ajola Xoxa, SPAK

Për ata që vazhdojnë të përsërisin se SPAK-u dhe GJKKO-ja janë “represivë” dhe se nuk marrin kurrë parasysh rrethanat njerëzore, ia vlen të kujtohen disa fakte.

Një 34-vjeçare u arrestua sot në Rinas për të vuajtur një dënim prej vetëm 2 muajsh burg për dhunë në familje. Ajo kishte me vete tre fëmijë të mitur. Një foshnjë vetëm 7-muajshe dhe dy fëmijë të tjerë 2 dhe 4 vjeç. Sipas informacioneve, gruaja kërkoi që fëmijët të qëndronin me të, sepse nuk kishte kujt t’ua linte. Megjithatë, dënimi u ekzekutua.

Ndërkohë, në çështjen e Ajola Xoxës ndodhi e kundërta. Fillimisht nuk u vendos arresti në burg, duke u marrë në konsideratë edhe fakti që ishte nënë e një fëmije 5-vjeçar. Më pas, pas shtatzënisë së dytë, masa e sigurimit iu hoq tërësisht.

Kontrasti është i dukshëm.

Në njërin rast, një nënë me tre fëmijë shumë të vegjël, përfshirë një foshnjë 7-muajshe, u dërgua për të vuajtur dënimin. Në tjetrin, rrethanat familjare u konsideruan të mjaftueshme fillimisht për të shmangur arrestin në burg dhe më pas edhe për heqjen e plotë të masës së sigurimit.

Ndoshta Ajola Xoxa është trajtuar kështu sepse është Ajola Xoxa. Ndoshta kjo nënë tjetër po përballet me një trajtim më të ashpër sepse është një qytetare e zakonshme. Ndoshta.

Por pikërisht këtu lind pyetja që duhet të shqetësojë çdo qytetar.

A po zbatohet ligji njësoj për të gjithë?

Ligji nuk duhet të ketë emra. Nuk duhet të jetë më i butë për ata që kanë pushtet, ndikim apo ekspozim publik dhe më i ashpër për ata që nuk i njeh askush. Barazia para ligjit nuk është slogan, por parim kushtetues.

Dhe paradoksi bëhet edhe më i madh kur kujton se çështja penale ndaj Ajola Xoxës dhe Erion Veliajt vazhdon prej rreth një viti të mos hyjë ende në gjykim, për shkak të shtyrjeve dhe pengesave procedurale të përsëritura, të krijuara pikërisht nga Ajola Xoxa dhe bashkëshorti i saj Erion Veliaj.

Ndërsa një nënë tjetër shoqërohet menjëherë për të vuajtur një dënim 2-mujor për një vepër penale pa asnjë interes publik, në rastin e kryebashkiakut të Tiranës ndodh pikërisht e kundërta.

Një proces me interes të lartë publik vazhdon të mos nisë ende. Pra, në ndryshim nga kjo nënë e re që sonte do të rrijë pa gjumë në një ambient burgu, Ajola Xoxa dhe Erion Veliajn po e bëjnë të pamundur gjykimin dhe marrjen e një vendimi nga gjykata. Kjo është ajo që ushqen perceptimin e standardeve të ndryshme dhe që minon besimin e publikut te drejtësia./ CNA





Lajmet e fundit nga