web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pro eutanazisë në Shqipëri

22 Korrik 2026, 17:21, Opinione Ardi Stefa

Pro eutanazisë në Shqipëri

Jam pro eutanazisë dhe miratimit të një ligji për eutanazinë në Shqipëri.

E them këtë duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se prek një nga temat më të ndjeshme të qytetërimit njerëzor, aty ku përplasen morali, filozofia, feja, e drejta dhe shkenca. E them këtë duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se do të ketë edhe shumë reagime, të cilat më tepër se thelbësore, do të jenë fyese, sidomos nga ata që jo vetëm përtojnë të lexojnë, por as marrin mundimin të kuptojnë, por guxojnë gjithmonë të komentojnë.

Nuk e konsideroj këtë një përgjigje të lehtë për një pyetje të vështirë. Përkundrazi. Pikërisht sepse është kaq e vështirë, mendoj se askush nuk ka të drejtë ta monopolizojë të vërtetën.

Argumentet kundër janë të njohura. Traditat fetare e konsiderojnë jetën një dhuratë hyjnore që njeriu nuk mund ta marrë me dorën e vet. Morali frikësohen se legalizimi i eutanazisë mund të relativizojë vlerën e jetës njerëzore. Mjekësia është ndërtuar mbi parimin për të shpëtuar jetë, jo për t'i dhënë fund asaj. Të gjitha këto janë dilema serioze dhe meritojnë respekt.

Sa herë u shpjegoj studentëve të mi “Mitin e Sizifit” të Albert Kamysë u theksoj se ai e përshkruan njeriun si një qenie që përballet me absurdin, që kërkon kuptim në një univers që nuk është i detyruar t’i japë përgjigje. Megjithatë, Kamy, edhe pse e fillon esenë e famshme me shprehjen: "Ekziston vetëm një problem filozofik vërtet serioz: vetëvrasja.", nuk e glorifikon vetëvrasjen. Përkundrazi, ai argumenton se përgjigjja ndaj absurdit është revolta, vazhdimi i jetës pavarësisht mungesës së kuptimit të garantuar.

Kamy e vendoste njeriun dhe dinjitetin e tij në qendër të etikës. Ai ishte kundër çdo ideologjie që sakrifikonte individin në emër të një parimi abstrakt. Në këtë frymë, edhe jeta nuk duhet të shndërrohet në një parim abstrakt që harron njeriun konkret. Të mbrosh jetën biologjike me çdo kusht, duke injoruar vuajtjen e pakthyeshme, rrezikon ta kthejë moralin në dogmë dhe dhembshurinë në formalitet.

Por çfarë ndodh kur absurdi nuk është më vetëm filozofik, por bëhet fizik? Kur ekzistenca nuk është më sfidë, por një agoni e pandërprerë, pa shpresë shërimi dhe pa mundësi për të jetuar me dinjitet? A është revolta të vazhdosh të vuash me çdo kusht, apo të kërkosh të drejtën për të mos e zgjatur pafund atë vuajtje?

Pra, a është jeta një vlerë absolute edhe kur është shndërruar në vuajtje të pambarimtë? A mund ta detyrojmë një njeri të jetojë vetëm sepse ne, të tjerët, kemi frikë nga ideja e vdekjes, nga turpi se çfarë do të thonë të tjerët, nga disa stereotipe të kultivuara ndër vite?
Mendoj se dinjiteti nuk përfundon kur fillon sëmundja. Përkundrazi, pikërisht në çastet e fundit dinjiteti bëhet më i rëndësishëm. Një njeri që është plotësisht i vetëdijshëm, që vuan pa mundësi rikuperimi dhe që kërkon me këmbëngulje t'i japë fund agonisë së tij, nuk zgjedh vdekjen përballë jetës. Ai zgjedh fundin e vuajtjes kur jeta biologjike nuk është më jetë në kuptimin njerëzor të fjalës. Vlera morale nuk qëndron te zgjatja mekanike e ekzistencës, por te kapërcimi i vuajtjes dhe i egoizmit.

Dhe përpara se ta etiketojmë si kulturë e vdekjes duhet të kuptojmë se është një kulturë e pavarësisë dhe vendimit për të zgjedhur vetë fundin. Një shoqëri që i njeh individit të drejtën të zgjedhë si jeton, duhet të jetë e gatshme të diskutojë edhe të drejtën se si në rrethana të jashtëzakonshme të largohet nga jeta, natyrisht me garanci të forta ligjore. Pa diskutim që ekziston edhe rreziku i abuzimit, i keqpërdorimit të ligjit. Por zgjidhja nuk është ndalimi absolut.

Përndryshe, do të duhej të ndalonim kirurgjinë sepse ndonjëherë ndodhin gabime ose drejtësinë sepse ndonjëherë dënohen të pafajshëm. Përgjigjja është kontrolli, transparenca dhe kritere të rrepta.

Dhe të kuptuarit se mbi trupin dhe mendjen e vet, individi është sovran.

Dhe të ndërgjegjësuarit se njeriu duhet trajtuar gjithmonë si qëllim në vetvete dhe kurrë thjesht si mjet. Për disa, kjo e përjashton eutanazinë; për të tjerë, pikërisht respekti për pavarësinë e individit e mbështet atë. Debati mbetet i hapur, dhe kjo është shenjë e një shoqërie të lirë.

Edhe teologjia ngre kundërshtime të forta. Por shteti modern nuk është shtet teologjik. Ai nuk mund t'i imponojë çdo qytetari një bindje fetare si normë universale. Besimtari që e konsideron eutanazinë të papranueshme ka çdo të drejtë të mos e zgjedhë kurrë. Por ai nuk duhet t'ia mohojë këtë mundësi dikujt tjetër që mendon ndryshe.

Të jesh pro eutanazisë nuk do të thotë të jesh kundër jetës. Do të thotë të pranosh se ka raste të jashtëzakonshme ku respekti për lirinë dhe dinjitetin e individit është forma më e lartë e humanizmit. Nuk është zgjedhje e vdekjes mbi jetën, por zgjedhje e dinjitetit mbi agoninë.

Ndoshta përgjigjja më e ndershme nuk është as te siguria e dogmave dhe as te frika nga vdekja. Është te dhembshuria. Sepse një shoqëri vërtet humane nuk matet vetëm me sa gjatë arrin të zgjasë jetën, por edhe me mënyrën se si respekton njeriun në çastet e tij më të vështira.

Askush nuk e dëshiron vdekjen e njerëzve të dashur apo edhe të vetën. Sa se për çfarë kemi më shumë respekt; jetën biologjike apo dinjitetin e njeriut. Për mua, dinjiteti është pjesë e pandashme e jetës. Dhe ndonjëherë, kur jeta nuk është më asgjë tjetër veçse një zgjatje artificiale e dhimbjes, akti më i arsyeshëm dhe më i dhembshur nuk është ta mbash dikë të lidhur pas dhimbjes, por t’i njohësh të drejtën të largohet prej saj. Të lejosh një largim të qetë, të vetëdijshëm dhe të lirë nuk është humbje e humanizmit.
Mund të jetë, forma e tij më e lartë.





Lajmet e fundit nga