LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shtëpia Muze e Sterjo Spasses/ Atraksioni turistik që duhet vizituar në Pustec

9 Gusht 2022, 18:05, Qyteti im CNA
Shtëpia Muze e Sterjo Spasses/ Atraksioni turistik që duhet vizituar
Foto ilustruese

Kthimi në muze i shtëpisë së Sterjo Spasses është një vlerë e shtuar për fshatin Gollomboç, por edhe për të gjithë bashkinë e Pustecit. Shtëpia e shkrimtarit është pajisur me objekte, të cilat janë përdorur prej tij apo edhe me dorëshkrime dhe dokumente.  Sterjo Spasse është një nga shkrimtarët shqiptarë më të rëndësishëm, me prejardhje maqedonase, në letërsinë shqiptare bashkëkohore nga fundi i shekullit të 20-të dhe autor i shumë romaneve dhe tregimeve. Ai ka luftuar për përdorimin e një gjuhe të përbashkët të vetme letrare në tekstet shkollore, në gazeta dhe në revista, për një abetare të unifikuar, duke qenë misionar i progresit, sidomos nëpër fshatra.

Sterjo Spasse lindi në Gollomboç, në 16 shtator të vitit 1914 dhe u nda nga jeta në Tiranë në 12 shtator të vitit 1989. Shkrimtari Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Veprimtaria letrare e tij është e shumëllojshme dukë përfshirë punime pedagogjike, tekste shkollore, përkthime, artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane etj. Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar.

Shtëpia Muze e Sterjo Spasses/ Atraksioni turistik që duhet vizituar

Të gjitha këto vlera janë kthyer në Gollombocc të Pustecit, aty ku mund të vizitohet shtëpia muze e këtij shkrimtari të madh. Gjergji Koki, drejtuesi i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, ka treguar rëndësinë e madhe dhe se cfarë gjendet brenda këtij muzeu.

“Shtëpia muze është duke u kthyer në një destinacion ku prej muajit Prill e deri më tani, janë me mijëra vizitorë të cilët kanë patur interes për t’u njohur me brendinë e shtëpisë por për të parë edhe ato që janë elementi më i rëndësishëm, dorëshkrimet e disa romaneve të cilat i japin vlerën e shtuar këtij objekti. Është një lloj muzeu tematik që ka interes për ata që e njohin krijimtarinë dhe veprën e Sterjo Spasses, kryesisht interesi është nga turistët që vijnë nga trevat shqiptare dhe maqedonas të cilët kanë njohuri më të mëdha për Sterjon. Në brendësi të muzeut janë edhe sendet personale të tij, të cilat tregojnë të gjithë rrugëtimin e punës që ai ka krijuar në tërësi, por e theksoj pjesa e dorëshkrimeve është elementi kyc. Një dorëshkrim shumë interesant është ai i shkruar në Leningrad në vitin 1976, një roman me emërtimin “Dashuria” të cilin Spasse nuk e ka publikuar asnjëherë, për shkak të rregjimit komunist. Mendoj se është gjë shumë e mirë që të shikohen nga afër të gjitha këto që përmenda. Javën e kaluar, në një aktivitet të zhvilluar në ambjentet e jashtme të muzeut, ku pjesëmarrës ishin dhe shumë ambasadorë, përshtypjet kanë qënë ndër më të mirat, të gjithë kanë mbetur të impresionuar me punën e kryer në këtë muze pasi përvec objekteve të kultit që ka bashkia e Pustecit, muzeu i Sterjo Spasses është i pari muze zyrtar që krijohet në këtë zonë.” – tregon Koki.

Shtëpia Muze e Sterjo Spasses/ Atraksioni turistik që duhet vizituar

Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Botoi katër përmbledhje tregimesh: “Kuror rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane: “Nga jeta në jetë – Pse!?” më 1935 – që mbahet si kryevepra e tij, “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë iqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983).

Shtëpia Muze e Sterjo Spasses/ Atraksioni turistik që duhet vizituar

Ai është një ndër shkrimtarët më të vlerësuar me çmime, para dhe pas vdekjes. Është nderuar me çmime të para kombëtare për romanet “Afërdita përsëri në fshat”, “Buzë liqenit”, “Zgjimi”, vëllimin me tregime “Të fala nga fshati” etj. Ka marrë Çmimin e Republikës i shkallës II për romanin “Ata nuk ishin vetëm” -1954. Urdhërin “Naim Frashëri” i artë (Pas vdekjes). Titullin “Nderi i Komunës” –Liqenas. Titullin “Nderi i qarkut”– Korçë, e shumë të tjera./CNA.al

 

 

Lajmet e fundit nga