LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ilir Këllezi, "krenaria" e atletikës

28 Korrik 2022, 21:09, Qyteti im CNA
Ilir Këllezi, "krenaria" e atletikës
Ilir Këllezi

Ilir Këllezi është talenti korçar që ka nderuar këtë qytet në shumë kompeticione kombëtare, ndërkombëtare dhe botërore, në të cilat ai ka marrë pjesë përgjatë viteve të karrierës së tij. Sot Iliri është 33 vjeç, por nuk resht së vrapuari çdo ditë. Stadiumi është pista e tij e vrapimit, vendi ku ai gjen çlodhjen psikologjike edhe pse fiton atë fizike. Por, kjo gjë nuk e ndal në pasionin e atletikës, pasion të cilin e ka patur që në fëmijëri.

Ilir Këllezi, "krenaria" e atletikës

“Sportin e atletikës e kam filluar në moshën 14-vjeçare dhe prej atij viti nuk jam ndarë prej këtij sporti. Ka startuar e gjitha në një aktivitet që zhvillohej me shkollat e qytetit të Korçës. Më parë kam luajtur futboll, sportin e kisha pjesë të jetës, ndërsa në aktivitetin që përmenda pak më sipër, kam fituar vendin e parë. Trajneri im aktual, Juxhin Çili, më afroi pranë vetes. Normalisht ai më testoi dhe rezultoi që kisha të dhëna të mira. Që prej asaj kohe, atletika është pjesë e pandarë e jetës sime.”

Ilir Këllezi, "krenaria" e atletikës

Në shumë kompeticione që Këllezi ka marrë pjesë, ai ka treguar rezultate shumë të mira për një të ri korçar, duke fituar 120 medalje ndërkombëtare si edhe 55 kupa. Një sërë aktivitetesh plot lodhje e sakrifica, por në fund me fitore. Ai tregon për CNA.al disa nga më kryesoret, që e kanë bërë Ilirin të ndihet krenar për këto arritje.

“Realisht kam marrë pjesë në shumë gara ndërkombëtare të rëndësishme, por disa nga më kryesoret janë: 10 Europiane dhe 10 Botërore Mountain Running, Lojërat Olimpike Mesdhetare 2013 në Turqi, Lojërat Olimpike Europiane 2015 në Azerbaixhan, Lojërat Olimpike Universitare 2011 në Kinë, etj. Për sa i përket medaljeve, kam fituar medalje argjendi në Armeni, medalje ari në Greqi e Maqedoni, medalje bronxi në Maratonën e Selanikut me pjesëmarrje 3000 personash, po ashtu edhe në Maratonën Ballkanike. Për 14 vjet rrjesht kam dalë kampion kombëtar në kros 10 km, si edhe kampion ndërkombëtar i Maratonës së Tiranës në vitin 2010, 2012, 2016 dhe 2022.”

Ilir Këllezi, "krenaria" e atletikës

Sporti për Ilirin veçse një pasion, është një formë për të të mbajtur çdo herë aktiv dhe të jep energji shumë pozitive kur rezultatet e qëllimeve që i vendos vetes, bëhen realitet. Atletika është sport tepër i vështirë, do stërvitje shumë strikte, ndërsa për të rinjtë sipas Këllezit, duket se ata janë larguar shumë nga ky lloj sporti.

“Unë konkretisht stërvitem 2 herë në ditë, dy orë në mëngjes dhe 3 orë mbasdite. Gjithmonë kjo varet nga disiplina me të cilën do garoj, duke përshtatur edhe stërvitjen më pas. Atletika është një sport i bukur, por dhe shumë i vështirë që patjetër do një mbështetje perveçse të bashkisë së qytetit dhe klubit shumë sportësh 'Skënderbeu' që gjej rastin t’i falënderoj. Jashtë shtetit sponsorat i ndihmojnë shumë atletët cilësorë për rezultate më të larta, gjë që për fat të keq këtu nuk ndodh”, tregon me keqardhje Iliri.

Ilir Këllezi, "krenaria" e atletikës

33-vjeçari ka një apel për të rinjtë korçarë dhe jo vetëm.

“Nga eksperienca ime shumëvjeçare në sport, mesazhi që jap për të rinjtë është që të merren sa më shumë me aktivitet fizik, kuptohet sipas dëshirës dhe sportit që preferojnë, si edhe të qëndrojnë larg veseve dhe larg internetit pa kufi, por t’i bëjnë një të mirë të vlefshme shëndetit të tyre.”/ CNA.al

 

Lajmet e fundit nga