web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Republika e Korçës, 109 vite histori/ Qyteti nderon figurën e Themistokli Gërmenjit

10 Dhjetor 2025, 13:38, Qyteti im CNA

Republika e Korçës, 109 vite histori/ Qyteti nderon figurën e

Sot bë Korçë u zhvilluan aktivitete të shumta për të përkujtuar 109-vjetorin e shpalljes së Republikës Vetëqeverisëse të Korçës, një moment historik që shënoi një kapitull të rëndësishëm në procesin e shtetformimit shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore.

Republika e Korçës, 109 vite histori/ Qyteti nderon figurën e

Në këtë ditë përkujtimore, institucionet vendore, historianë, studiues, qytetarë dhe nxënës të shkollave u bashkuan në ceremonitë solemne dhe aktivitetet kulturore të dedikuara figurës së Themistokli Gërmenjit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Në fjalën e tij për mediat, kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, Petrika Tollkuçi, nënvizoi rëndësinë e kësaj date për identitetin historik të zonës dhe për memorien kolektive të shqiptarëve.

"Sot është një ditë e veçantë për gjithë Qarkun e Korçës, sepse përkon me 109-vjetorin e shpalljes së Republikës Vetëqeverisëse të Korçës nga Themistokli Gërmenji e shumë të tjerë, më 10 dhjetor 1916. Është ditë e veçantë, pasi në një moment rreziku, korçarët dhe shqiptarët kanë ditur të mblidhen së bashku dhe të ruajnë integritetin e tyre territorial. Në kuadër të kësaj dite ne kemi organizuar disa aktivitete. Në aktivitetin e parë kemi shpërndarë 17 certifikata mirënjohjeje për shumë artistë, këngëtarë, valltarë nga Qarku i Korçës. Më pas vazhduam me ceremoninë solemne në nderim të figurës së Themistokli Gërmenjit pranë varrit të tij monumental. Gjithashtu kemi organizuar ekspozitë me historianin Niko Kotherja dhe një tjetër ekspozitore, Lirika Pojani, me kostume historike dhe tradicionale të zonës sonë. Sot kemi improvizuar edhe ngritjen e flamurit për herë të parë në qytetin e Korçës",-tha Tollkuçi.

Republika e Korçës, 109 vite histori/ Qyteti nderon figurën e

Ceremonitë zyrtare u zhvilluan pranë varrit monumental të Themistokli Gërmenjit, ku u vendosën kurora dhe u mbajt një minutë heshtje në nderim të tij. Të rinj dhe veteranë morën pjesë në homazhe, ndërsa historianë dhe përfaqësues të institucioneve folën për rolin e Gërmenjit si një prej figurave kyçe të lëvizjes patriotike në juglindje të vendit.

Një nga pikat më të rëndësishme të ditës ishte çelja e ekspozitës së posaçme historike, e realizuar nga historiani Niko Kotherja, e cila përmbledh dokumente të rralla, urdhëresa origjinale, kartëmonedha dhe pulla postare të periudhës 1916–1918. Ekspozita hedh dritë mbi administrimin e territoreve të Korçës gjatë kohës kur qyteti u shpall Republikë Vetëqeverisëse nën mbikëqyrjen e misionit francez.

"Është e rëndësishme që shpallja e Republikës së Korçës të jetë një ngjarje që të kujtohet çdo vit. Vijmë në 109-vjetorin e saj dhe në këtë ditë të rëndësishme historike, po prezantojmë një ekspozitë me shumë materiale origjinale për të treguar një rrugëtim shqiptaro-francez të Korçës në mes të Luftës së Parë Botërore, nga dhjetori 1916 deri në shkurt të vitit 1918. Në ekspozitë janë elementë duke filluar nga urdhrat e parë të dalë nga Këshilli Administrativ i Korçës, te kartëmonedhat të cilat kanë qenë në tri seri të përdorura në Korçë. Kemi po ashtu pulla postare që janë emetuar në atë kohë me rastin e hapjes së zyrës postare. Është një kontribut i jashtëzakonshëm jo vetëm i Themistokli Gërmenjit, por edhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët kanë qenë pjesë e kësaj fryme të formësimit të një qeverie shqiptare. Sot po bëjmë jo vetëm një homazh për figurën e Themistokli Gërmenjit dhe bashkëpunëtorëve të tij që u sakrifikuan me jetën e tyre, por edhe për ata që mbetën më vonë veteranë, përfshirë këtu edhe stërgjyshin tim, që ishte sekretar i Themistokli Gërmenjit për funksionimin e qeverisë shqiptare. Një pjesë e mirë e dokumenteve që janë sot në ekspozitë janë pjesë e arkivit të tij personal dhe kanë qenë furnizim për studiues, historianë dhe botime në Shqipëri",-tha Kotherja.

 Republika e Korçës, 109 vite histori/ Qyteti nderon figurën e

Materialet e ekspozuara reflektojnë jetën institucionale në Korçë gjatë viteve të konfliktit botëror, duke treguar përpjekjet e intelektualëve dhe patriotëve vendas për organizimin e administratës, ruajtjen e rendit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Vizitorët patën mundësinë të shohin dokumente që rrallëherë ekspozohen për publikun, duke përfshirë edhe pjesë nga arkivi familjar i Kotherjes.

Në të njëjtën ditë u rihap edhe një ekspozitë e dytë me kostume historike dhe tradicionale të zonës, e kuruar nga Lirika Pojani, e cila solli për publikun elementë të trashëgimisë kulturore korçare. Dy ekspozitat u ndoqën nga mjaft qytetarë, studiues dhe të rinj të interesuar për historinë e qytetit, ndërsa aktivitetet e organizuara nga institucionet vendore synojnë të kthejnë këtë datë në një traditë të përvitshme, për të ruajtur gjallë kujtesën e një periudhe të rëndësishme për Korçën dhe Shqipërinë./CNA





Lajmet e fundit nga