web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Thupra që sfidon kohën/ 50 vite mjeshtëri në duart e Avni Kallos

3 Dhjetor 2025, 11:57, Qyteti im CNA


Në një kohë kur zanatet e vjetra po zbehen përballë ritmit të shpejtë të modernitetit, në Korçë vazhdon të jetojë një prej traditave më të vjetra të zonës, thurja e thuprës. Në një punishte të thjeshtë, mes aromës së drurit të lagur dhe mjeteve që tregojnë vite pune, Avni Kallo prej më shumë se gjysmë shekulli i ka qëndruar besnik këtij zanati.

Ai është një nga mjeshtrit e fundit që e ushtron ende me po të njëjtën dashuri si ditën që e nisi, duke e kthyer thuprën në shporta, sepetka, mobilie dhe objekte artizanale që sot kërkohen në tregje brenda dhe jashtë vendit. Për Avniun, thupra nuk është thjesht material pune, por pjesë e historisë dhe identitetit të familjes së tij. Ai ka vazhduar ta mbajë gjallë, duke punuar çdo ditë dhe duke ruajtur një pjesë të kulturës së zonës së Korçës që sot rrezikon të humbasë përgjithmonë.

Në një intervistë për CNA, Avniu tregon se materiali kryesor që ai përdor është purteka, e njohur ndryshe si thupër. Dikur kjo mbillej, ndërsa sot gjendet kryesisht pranë lumenjve. Për disa prej produkteve përdoret një lloj purteke italiane, më e butë dhe më e përshtatshme për punim. Ndërsa për karriget, tavolinat dhe abazhurët nevojitet bambu, e cila nuk gjendet vendshëm dhe sigurohet me vështirësi. Thupra përdoret për shporta, sepetka, thurrje shishesh dhe artikuj të tjerë artizanalë.

“Ne i themi thupër ose purtekë. Ne këtë e mbillnim më parë, kurse tani ka në lumenj. Është një purtekë italiane që këtu nuk ka dhe ne e mbjellim, është më e butë dhe më e mirë. Kurse bambu me të cilin bëhen karriget këtu nuk ka. Me thuprat prodhohen shportat, thurje të shisheve, sepetka, kurse për karrige, tavolina, abazhurë duhet të përdorim bambu. Është më e butë, e zbusim në ujë dhe mban 2 orë pa u tharë”, tha Kallo.

Në Korçë kanë mbetur shumë pak mjeshtra të këtij zanati, vetëm 3 deri në 4 persona. Avniu tregon se interesimi i të rinjve ekziston, por tradita është drejt shuarjes dhe ka nevojë për mbështetje. Ai vetë është i gatshëm t’ua mësojë të rinjve, pasi beson se ky zanat mund të sigurojë të ardhura të qëndrueshme për këdo që e mëson dhe e ushtron me pasion.

"Jo, nuk ka shumë si puna ime, janë 3-4 veta. Sa vjen e po humbet kjo traditë. Nëse qeveria më mbështet me ndonjë projekt, unë do t’ua mësoj nxënësve. Të rinjtë janë të interesuar sepse ky zanat nuk të lë pa bukë. Për mua ky zanat është një pasion dhe një traditë që e kam trashëguar nga prindërit. Në atë kohë ai brez, kur ishte pa punë, bënte tregti me kuaj e gomarë dhe shkonin në lumë, prisnin purteka dhe bënin shporta e dilnin në fshat për t’i shitur", tregoi ai.

Tradita e punimit të thuprës në familjen e tij është trashëguar prej dy brezash, fillimisht nga babai e më pas nga vetë Avniu. Ai e ka vazhduar sepse e ka pëlqyer që i vogël dhe beson se një i ri mund të zotërojë teknikën brenda disa muajsh, duke u bërë shumë shpejt i aftë në këtë profesion.

"Në familjen time kanë qenë dy breza që e punonin thuprën. Ka qenë babai dhe më pas unë, vëllezërit e tjerë jo. Unë e kisha qejf dhe e vazhdova këtë traditë. Nuk është fare e vështirë nëse e mëson. Një i ri, nëse e mëson, brenda 7-8 muajve bëhet më i mirë se unë. Thonë se nxënësi bëhet më i mirë se mësuesi", u shpreh Kallo.

Dy vite më parë, me mbështetjen e UNDP-së, Avniu realizoi një projekt trajnimi në Bilisht, ku morën pjesë 15 persona dhe vetëm disa prej tyre arritën ta mësonin zanatin siç duhet. Kërkesat për produktet e tij vijnë nga tregjet e Greqisë, Maqedonisë dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kryesisht kërkohen karrige dhe tavolina që përdoren në ambiente të brendshme dhe të jashtme. Megjithatë, sigurimi i lëndës së parë është bërë një sfidë e madhe dhe shpesh kërkon një proces përgatitjeje që zgjat deri në një vit.

"Kisha një projekt dy vite më parë, me mbështetjen e UNDP-së në Bilisht. Atje kishin shumë dëshirë për ta mësuar, morën pjesë 15 vetë, por vetëm 4 arritën ta zotëronin siç duhej. Kërkesat për produktet e thuprës vijnë nga Greqia, Maqedonia ku unë kam shitur më shumë, gjithashtu edhe në Elbasan. Maqedonia porosit më shumë karrige dhe tavolina, të cilat i përdorin në sallone, ballkone dhe nëpër oborre të shtëpive. Kërkesë ka gjithmonë, por lënda sigurohet me shumë vështirësi. Më parë unë e blija lëndën, ndërsa tani ka dy vite që nuk po e blej. Merr një proces tjetër prej një viti që të kujdesem për lëndën dhe ta bëj gati për përdorim. Do t’i bësh cungimin, do ta presësh me sëpatë", tha ai.

Mesazhi i Avniut është i qartë, ky zanat duhet ruajtur dhe mësuar nga të rinjtë. Ai thotë se edhe në ditët kur nuk ka punë të tjera, prodhimi i disa shportave apo sepetkave mund të sigurojë të ardhura ditore dhe të ndihmojë familjet. Për këtë arsye, ai i fton të rinjtë e papunë të afrohen dhe të mësojnë këtë traditë, të cilën ai është i gatshëm ta ndajë me kënaqësi.

"Mesazhi im është që këtë zanat ta mësojnë edhe të rinjtë, sepse nuk të lë pa bukë. Edhe pa punë të jesh, nëse bën 2-3 sepetka nga 500-1000 lekë (të reja) e nxore ditën e punës. Ka shumë nevojë që të ruhet tradita, sepse me kalimin e kohës po humbet. Të rinjtë që janë të papunë i ftoj të vijnë dhe t’ua mësoj me qejf”, tregoi Kallo.

Krahas vështirësive, Avni Kallo vazhdon të punojë çdo ditë me bindjen se ky zanat nuk duhet të humbasë. Ai beson se thupra mund të kthehet në një mundësi punësimi për shumë të rinj, nëse tradita ruhet dhe mbështetet siç duhet.

Për të, çdo shportë, çdo sepetkë apo çdo mobilie e thurur me dorë është jo vetëm produkt pune, por një pjesë e historisë së familjes dhe e identitetit të Korçës. Dhe derisa të ketë duar që duan të mësojnë, ai është i gatshëm t’ua përcjellë këtë trashëgimi brezave që vijnë, me shpresën se tradita e thuprës do të vazhdojë të jetojë edhe për shumë vite. /CNA





Lajmet e fundit nga