web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Kadare ndër vargje”/ Nxënësit nderojnë me krijime 90-vjetorin e shkrimtarit të madh

28 Janar 2026, 13:29, Qyteti im CNA

"Kadare ndër vargje”/ Nxënësit nderojnë me

Në Galerinë e Artit Digjital në Korçë u zhvillua aktiviteti kulturor “Kadare ndër vargje”, organizuar me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Aktiviteti, i organizuar nga shkolla “Sevasti Qiriazi”, solli një qasje bashkëkohore ndaj letërsisë shqipe, duke ndërthurur artin digjital, teknologjinë dhe krijimtarinë e nxënësve. Pjesë e tij ishin nxënës të shkollës, të cilët përmes projekteve të ndryshme artistike sollën figura, vargje dhe interpretime të veprës së Kadaresë.

Në qendër të vëmendjes ishte krijimtaria e 13-vjeçarit nga Korça, Deon Gjoka, i cili realizoi një dokumentar kushtuar Ismail Kadaresë, një avatar digjital që “flet” me publikun, si dhe një këngë të frymëzuar nga veprat e shkrimtarit.

“Unë sot kam bërë dokumentarin për Ismail Kadarenë, avatarin e tij që flet dhe gjithashtu kam bërë edhe një këngë. Ishte pak e vështirë sepse ishte pak e ndërlikuar, por besoj se të gjitha janë me vështirësi. Më parë e njihja pak, sepse kisha dëgjuar për të, por nuk e njihja thellësisht. Tani që punova me veprat e tij, e njoh më mirë. Fëmijët sot besoj se lexojnë, por jo aq sa lexonin më parë, sepse tani kanë dalë edhe telefonat dhe mendoj që duhet të lexojnë më shumë”,-tha nxënësi.

Përmes këtij aktiviteti, nxënësit u njohën më nga afër me figurën e Kadaresë, jo vetëm si autor i programeve mësimore, por si një figurë që ka përfaqësuar identitetin kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Mësuesit theksojnë se aktivitete të tilla janë të domosdoshme për t’i bërë fëmijët më të lidhur me librin dhe letërsinë.

“Fëmijët nuk e njohin Kadarenë veçse nëpër librat që janë në tekstet shkollore, por duke organizuar aktivitete të tilla, mendoj se më shumë se kurrë duhet t’u japim mesazhin që ata ta njohin Kadarenë si një gjeni të letrave shqipe. Ishte shkrimtari më i madh i letërsisë shqipe, që na futi në hartën artistike dhe shpirtërore të Europës. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve, fëmijët bëhen më të ndjeshëm, më empatikë dhe aktivitete të tilla duhet të organizohen edhe më shumë”,-tha mësuesja e gjuhës shqipe, Albana Panolli.

Organizatorët e aktivitetit vlerësojnë se përdorimi i teknologjisë dhe artit digjital në shërbim të letërsisë është një mënyrë efektive për të afruar brezin e ri me librin dhe për të nxitur kreativitetin. Nxënësit patën mundësinë të shprehen lirshëm, të interpretojnë veprën e Kadaresë sipas këndvështrimit të tyre dhe ta sjellin atë më afër realitetit të sotëm.

“Kadare ndër vargje” u kthye kështu në një aktivitet edukues dhe kulturor, që jo vetëm nderon figurën e shkrimtarit të madh, por edhe dëshmon se vepra e Ismail Kadaresë vijon të frymëzojë brezat e rinj, duke mbetur aktuale dhe e gjallë edhe në kohët moderne./CNA





Lajmet e fundit nga