LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga “lëpirjet” ndaj Veliajt te sulmet dhe lobimet/ Evi Kokalari, si “kamikaze” kundër PD-së

8 Qershor 2022, 10:14, Politikë CNA

Nga “lëpirjet” ndaj Veliajt te sulmet dhe lobimet/ Evi

Aktivistja Evi Kokalari, e cila jeton në SHBA, erdhi në Shqipëri dhe u përfshi në lëvizjet që po ndodhnin në PD, në kohën që kjo forcë politike ishte e përçarë më shumë se kurrë dhe ish-kryeministri Berisha kishte filluar “Foltoren” me demokratët.

Kokalari, ndoshta e mbetur pa punë në SHBA, me sa duket kërkonte të kapte poste drejtuese në PD, dhe filloi të vetë trumbetohej në media, si një konservatore e madhe, sikur ajo ishte shpëtimi i Partisë Demokratike, e të tjera si këto.

Por, pas mori “shuplakë” turinjve nga demokratët dhe pa që nuk mundi të kapte asnjë post drejtues, filloi një sulm të paprecedentë ndaj të rinjve të FRPD-së, dhe kreut të këtij forumi, Belind Këlliçi.

Kokalari, e cila është askushi në PD, kërkoi të imponohej, duke përdorur edhe fraza të tipit “nuk dua të dëgjoj më”, “unë jam konservatore”, “do të shpëtoj demokracinë në PD”, e të tjera broçkulla si këto, që vetëm mendja “brilante” e Evi Kokalarit mund të nxirrte.

Por, duket se dardha e ka bishtin prapa, dhe ashtu sikurse ka raportuar CNA.al, sulmet e Kokalarit janë thjeshtë dhe vetëm për interesa personale. Për të mos folur dhe për sulmin ndaj një biznesmeni në Tiranë, për të cilin më pas heshti.

Por, ajo që ra në sy është fakti se Kokalari me një gjuhë arrogante filloi sulmet dhe presionet ndaj të rinjve të FRPD-së, ndërkohë që nga ana tjetër shitej si një konservatore e madhe, a thua se fati i PD-së dhe Shqipërisë është në dorën e saj.

Sulmet ndaj FRPD-së dhe Belind Këlliçit nuk janë sulme personale, por është sulm ndaj një strukture.

Është sulm ndaj Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj. Dhe gjithë sulmi vinte për një arsye. Pse ka 30 dhe jo 21 anëtarë të FRPD-së në Këshillin Kombëtar të PD-së.

Këta 9 të rinj më shumë, nga mbi 100 anëtarë që ka Këshilli Kombëtar i PD-së, këta qenkan problemi i Evi Kokalarit. Sa e neveritshme mund të jetë e gjithë kjo, kur PD-ja ka nevojë për të rinj dhe asgjë më tepër.

Momenti tregon se ajo po sulmon dhe turpësisht po godet “palcën” e PD-së, që janë të rinjtë, FRPD-ja. Me gjoja terma konservatorësh, kur askush nuk e kupton, askush nuk e di çfarë përfaqëson, nga vjen, dhe shumë shpejt pritet të ketë reagime të ashpra ndaj saj. Pikërisht nga republikanët amerikanë, në emër të të cilëve flet zonja Kokalari, e cila në fakt nuk përfaqëson askënd.

Ndërkohë, ka edhe një tjetër detaj. Evi Kokalari akuzon Këlliçin dhe FRPD-në për lobime, dhe nga ana tjetër vetë publikisht pranon se ka lobuar.

Më pafytyrësinë më të madhe, në një postim të datës 2 maj 2022, Kokalari e pranon lobimin, por thotë se duhet të kishin lobuar më shumë. Dhe kjo tregon se ka pasur një qëllim për të në Këshillin Kombëtar të PD-së, emrat që donte ajo.

Por, Kokalari thotë “bëni çfarë them unë, jo çfarë bëj unë”. Pasi ndërkohë që vetë pranon që ka lobuar, nga ana tjetër thotë se është kundër lobimeve. 

Nga ana tjetër, CNA ka publikuar faktet që tregojnë me zë dhe figurë, se si Kokalarit i lëshonte "goja lëng" kur fliste për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Gjë e cila në fakt ngre dyshime se edhe sulmi ndaj Këlliçit, vjen pikërisht për interesa të kryebashkiakut Veliaj. 

Kjo për një fakt shumë të thjeshtë. Këlliçi është parë si një alternativë që mund të garojë përballë Veliajt, për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Dhe këtu futet Kokalari, e cila duket se po përdoret si një “kamikaze” kundër demokratëve, kundër çdo alternative të re, që mund të jetë shpresë për ndryshim në PD dhe për të ardhmen e saj.

Dhe përtej asaj që tentoi të trumbetojë, faktet po tregojnë se Kokalari dhe instrumentet e saj i kanë shërbyer një përçarjeje të Partisë Demokratike./CNA.al

 

Lajmet e fundit nga