web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Këlliçi denoncon sërish Jet Bank: Mungesë transparence që nga dita e parë, arsye serioze për hetime

22 Korrik 2026, 17:27, Politikë CNA

Këlliçi denoncon sërish Jet Bank: Mungesë transparence

Deputeti demokrat dhe nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, ringriti sot çështjen e ‘Jet Bank’.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Këlliçi thekson se kjo bankë digjitale nuk mund të kërkojë besimin e qytetarëve, ndërkohë që refuzon transparencën minimale që nga dita e parë e shfaqjes në publik.

Sipas demokratit, ka një sërë pikëpyetjesh lidhur me këtë bankë private, ndërsa qytetarëve u serviren deklarata të përgjithshme, heshtje dhe censurë e plotë.

Po ashtu, Këlliçi thekson se prej kohësh ekzistojnë arsye serioze për kërkuar hetim dhe sqarim publik lidhur me mënyrën e konceptimit dhe administrimit të 'Jet Bank' në Shqipëri.

Postimi i plotë:

Jet Bank nuk mund të kërkojë besimin e qytetarëve, ndërkohë që refuzon transparencën minimale!

Pas skandaleve të njëpasnjëshme me rrjedhjen e të dhënave personale, çdo përpjekje për t’i dhënë një banke private me zero eksperiencë, akses në regjistrat shtetërorë, duhet të shoqërohet me transparencë absolute. Por pikërisht transparenca është ajo që mungon, që nga dita e parë e shfaqjes publike të emrit Jet Bank!

Pyetjet janë të thjeshta:

Kush e autorizoi këtë proces? Cilat regjistra do të aksesohen? Çfarë të dhënash do të merren? Kush i kontrollon këto procedura? Kush mban përgjegjësi në rast abuzimi?

Në vend të përgjigjeve, qytetarëve u serviren deklarata të përgjithshme, heshtje dhe censurë e plotë.

Edhe më shqetësues është fakti se emri i Jet Bank, sëbashku me Jet Tech, është i lidhur drejtpërdrejtë me Durana Tech Park, një projekt që PD e ka denoncuar prej kohësh për mungesë transparence dhe për dyshime serioze mbi mënyrën e konceptimit dhe administrimit të tij. Këto janë arsye më shumë që kërkojnë hetim dhe sqarim publik, jo fshehtësi.

Shqiptarët nuk janë “produkt” dhe të dhënat e tyre personale nuk janë plaçkë për t’u ndarë mes qeverisë, interesave private dhe grupeve kriminale, si ai i AKSH-it.

Në një shtet ku të dhënat personale kanë rrjedhur vazhdimisht, ku janë publikuar pagat, patentat e çdo e të dhënat sensitive të qytetarëve, besimi nuk fitohet me propagandë, por me transparencë, përgjegjësi dhe garanci të forta ligjore!

Deri atëherë, çdo zgjerim i aksesit në regjistrat shtetërorë ngre shqetësime serioze dhe legjitime për çdo qytetar.

Historia kriminale e AKSH-it dhe grupit të strukturuar kriminal i cili menaxhonte këtë ‘kopsht privat të Ramës’, është ende shumë e freskët.

Jet Bank nuk mund të vijojë t'i shmanget përgjegjësisë publike për transparencë dhe garanci absolute për kursimet e qytetarëve shqiptarë./CNA

 

 

 





Lajmet e fundit nga