LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Akuzat ndaj tij dhe FRPD/ Këlliçi padit në gjykatë Evi Kokalarin

17 Qershor 2022, 18:45, Politikë CNA
Akuzat ndaj tij dhe FRPD/ Këlliçi padit në gjykatë Evi
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi

Prej disa javësh, aktivistja Evi Kokalari ka hedhur një sërë akuzash ndaj deputetit dhe anëtarit të Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.

Tre ditë pasi deklaroi se do të analizonte faktet dhe akuzat, Këlliçi ka vendosur të ndjekë në rrugë ligjore çështjen me zonjën Kokalari.

Ai duket se ka arritur në konkluzionin se mënyra më e mirë për t’ju përgjigjur akuzave është nëpërmjet gjykatës.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, deputeti deklaron se tashmë Kokalari ka barrën të faktojë në gjykatë çdo të thënë të saj kundrejt tij dhe FRPD-së.

Akuzat ndaj tij dhe FRPD/ Këlliçi padit në gjykatë Evi
Padia në gjykatë

“Prej shumë ditësh, publikisht, jam sulmuar nga Zj. Evis Kokalari, me gjuhë më linçuese se ajo e kundërshtarëve tanë politikë. Janë hedhur drejt meje akuza të shumta nga më absurdet, të cilat qëndrojnë në gojën e Zj. Kokalari dhe në faqen e saj në rrjetin social Facebook.

Duke njohur së brendshmi situatën politike në Partinë Demokratike dhe rrugëtimin tonë të vështirë për të dalë nga përplasjet e muajve të fundit, kam qëndruar i heshtur për t'i dhënë hapësirën Zj. Kokalari t'i japë zë të gjithë mllefit, xhelozisë dhe urrejtjes për të rinjtë në Partinë Demokratike.

Ky sulm nuk është i beftë. Gatitej që nga koha kur në Foltoret e nismuara nga Doktor Berisha, përpos Zj. Kokalari, u pozicionuan të rinjtë e FRPD; mes tyre edhe unë.

Kam zgjedhur të mos i përgjigjem me "dazibao" akuzave dhe me komente Facebooku, prandaj sot, në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kam depozituar një padi kundër personit në fjalë, për shpifjet, fyerjet dhe mesazhet telefonike të shpëndara prej saj.

Shi me baltë nuk ka! Ka shi që dheun e bën baltë, dhe Zj. Kokalari e ka bërë baltë ndaj personit tim dhe FRPD që unë drejtoj, duke e cilësuar "klan" brenda PD.

Maloren e politikës, unë Belind Këlliçi, e kam ngjitur sëbashku me të rinjtë e FRPD, në shumë fushata derë më derë, qindra e qindra protesta kundër qeverisë, dhe do të vazhdoj me ta krah për krahu si ditën e parë.

Këto akuza nuk më japin aspak dhimbjen e dhunës së ushtruar ndaj nesh komisariateve të policisë e nuk janë gas lotsjellës që të lotoj prej tyre, mirëpo i kam përjetuar të gjitha me jo pak mërzi, por gjithnjë brenda pritshmërive politike.

Zj. Kokalari iu desh kohë për të më goditur me disa prej akuzave dhe shpifjeve të përdorura nga socialistët kundrejt meje. Nuk është rastësi që këto etiketime janë hedhur në qarkullim fillimisht nga Erion Veliaj përpara dhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Kryebashkiakun unë e luftoj politikisht para dhe pas Foltores, ndërkohë që akuzuesja ime i është publikisht mirënjohëse për gadishmërinë ndaj fondacionit të saj!

Zj. Kokalari kërkon të jetë etaloni i konservatorizmit në Partinë Demokratike. Kjo është e drejta e saj.

Unë kërkoj një Parti Demokratike për të gjithë, ku anëtarët të shprehen lirshëm, pa u druajtur se do të kalojnë në sitën e zonjës. Po këto janë opinione politike, të cilat ne mund t'i zgjidhim pa përdorur gjuhën e urrejtjes ndaj mendimit ndryshe dhe pa ndërmarrë fushata linçuese ndaj njëri-tjetrit, sepse demokratët janë lodhur nga sherrnaja.

Tashmë Zj. Kokalari ka barrën të faktojë në gjykatë çdo të thënë të saj kundrejt Belind Këlliçit dhe FRPD. Bujrum të vijë dhe të faktojë qoftë dhe një akuzë të vetme!

Për të gjitha akuzat, fyerjet, mesazhet telefonike dhe nxitjen për fyerje dhe linçim ndaj meje dhe FRPD, në vigjilje të Ditës Botërore Kundër Gjuhës së Urrejtjes, sot e padita Zj. Kokalari dhe i kërkova gjykatës dëmshpërblim.

Paratë e dëmshpërblimit do t'i shpenzoj kokërr më kokërr si donacion për të rinjtë e FRPD, nëpërmjet një moduli trajnues dhe edukues për gjuhën e urrejtjes, fake neës dhe linçimin publik.

Rrjetet e mia sociale janë të hapura për komunikim me cilindo prej jush. Unë nuk i limitoj komentet në faqen time në Facebook. Uroj që kjo të mos shihet si shumë liberale!

Unë do t'i përmbahem gjithnjë etikës së komunikimit dhe nuk do të diskutoj për mungesën e koherencës së askujt, pavarësisht se Zj. Kokalari mund të tentojë të përdorë në gjykatë luhatjet e saj të shpeshta publike për të mohuar të pamohueshmen e shkruar.

Faleminderit të gjithëve për durimin dhe mbështetjen e pakursyer tashmë prej vitesh ndaj meje!

Gjithmonë mirënjohës ndaj të rinjve të FRPD dhe Partisë Demokratike”, shkruan Këlliçi./ B.A. -CNA.al

10:20 Politikë

Misioni i Salianjit

I qartë, tashmë e dukshme, e zbuluar për gjithëkënd, s...

Lajmet e fundit nga