LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Agim Xhafka/ Tregimet e së dielës, unaza e fejesës

7 Maj 2023, 09:02, Opinione CNA
Nga Agim Xhafka/ Tregimet e së dielës, unaza e fejesës
Agim Xhafka

Nadia iu përgjigj tëk-fëk pyetjeve të para të mbesës:

-Ke kaluar jetë të lumtur me gjyshin?

-Parajsë fare!

-Mendon se me dikë tjetër do ishe më e gëzuar?

-Kurrë!

-Mban mend se si të propozoi dhe çfarë unaze të dha gjyshi? Me gurë diamanti, prej floriri apo prej argjendi?

Ja, te kjo pyetje Nadia ngeci. E urdhëroi trurin të shkonte mbrapsht, 50 vite më parë. Në atë tetor të 1973 kur Nazimi, gjyshi i kësaj mbese të bukur që i bën pyetje gjyshe Nadias, erdhi me leje nga ushtria. Ishte e shtunë, moti ditën qe i ngrohtë, por darkave freskohej. E ata sa ra nata u takuan. Po shiheshin pas tre muajsh që Nazimi kishte ikur ushtar. I kishte marrë aq shumë malli sa po dridheshin të dy e nuk po e kuptonin. U vinte nga emocioni, nga adrenalina, nga dashuria apo nga e ftohta që sa kishte zbritur te lagjja e tyre. Shiheshin sy ndër sy dhe nisën të zbrazin ngazëllimin me pyetje të shkurtra.

-Si po ia kalon në ushtri?

-Mirë, po ti në shkollë?

Se Nadia akoma vazhdonte gjimnazin.

-Normal.

-Kemi një komandant të mirë, - foli kot më kot Nazimi.

Nadia qeshi dhe iu kundërpërgjigj.

-Mësuesja e kimisë më do shumë.

Pas ca çastesh u hodhën te tema e tyre.

-Sa të mbaroj ushtrinë a do martohemi? - e pyeti Nazimi.

-Ti e di, - i tha ajo.

-Kur të kthehem do vij te shtëpia jote e do flas me babain tënd.

Nadia qeshi. Se këtë skenar e kishin “shkruar” bashkë dhe dinin çdo fjalë që thuhej nga njëri e tjetri.

-Për unazën shtyje ca, mos u nxito! - i tha Nadia.

Sa kujtoi këtë fjali Nadia u kthye te biseda me mbesën.

-Ti më pyete për unazën ca minuta më parë? - i tha asaj.

-Po, - foli mbesa e po priste përgjigjen e gjyshes.

-Gjyshi yt Nazimi më vuri në gisht një unazë as prej diamanti, as prej floriri, as prej argjendi.

-Po prej çfarë?

-Unazë prej pasioni. Dhe çfarë pasioni, më shumë se 24 karat, - i tha gjyshja.

Heshti një çast dhe nisi të shpjegohej.

-Gjyshi përveç që ishte ushtar, pra nuk merrte rrogë ato vite, kuptohej që gjendjen në familjen e tij e kishte hollë nga ana financiare. Se ishin shtatë fëmijë, nënën e kishte të paralizuar. Punonin veç dy vëllezërit e rritur. Por në punëra të rëndomta, me pak të ardhura.

Ndaj sa herë flitej për unazë Nazimi ndihej në vështirësi. Më shihte me dhimbje e trishtim. Por unë e kuptoja dhe e kaloja me shaka këtë episod. Ka plot çifte në botë që nuk shkëmbejnë unaza kur martohen, i thoja herë pas here. Qeshte dhe ai, por e kuptoja që kjo pjesë nuk i kalonte pa lënë vragë. E ja, pas ushtrie vërtet ai erdhi te shtëpia bashkë me atin e tij dhe tre vëllezërit e katër motrat.

Një batalion zbarkoi te hyrja jonë një dhomë e një kuzhinë. Mori kaq hare apartamenti sa dukej sikur qeshte dhe dyshemeja, edhe dritaret pa le llambat që tundeshin e shkundeshin majë tavanit. Gjyshi më solli një tufë me trëndafila të kuq që i kishte marrë te baçja e Nusretit. Atëherë nuk shiteshin lule nëpër dyqane. Ajo buqetë sikur më skuqi dhe mua faqet e zbehta që kisha nga shqetësimi për fejesën.

Pas ca pytjeve të rëndomta babai im tha se pranon që unë të fejohem me Nazimin. Madje shtoi se është fat për të dy që gjejnë i miri të mirën. Pas këtyre fjalëve Nazimit goja vesh më vesh. Iu shtriq fytyra si maçoku i Aspasisë që banonte një kat poshtë nesh. U ngrit, përqafoi babain në fillim, pastaj nënën time dhe në fund mua. Më shtrëngoi fort budallai, dukej që ishte i lumtur e ndërkohë më la diçka te dora.

-Është unaza, por vendose kur të iki unë, kështu është zakoni, - më rrejti.

E shtrëngova fort atë gjë të rrumbullakët dhe zemra gati po më dilte nga vendi. Derisa ikën krushqit m’u duk një shekull. Sa mbylla derën hapa kutinë. Brenda një unazë ngjyrë gri. Por kuptohej, nuk qe flori. As argjend se nuk shkëlqente fare. Qe gri, por e hirnosur. E futa në gisht, rrinte fiks.

Për çudi në mes ishte e hapur, sikur qe palosur metali dhe s’qe ngjitur mes vedi. Kaq lekë do ketë pasur, mendova. Ama m’u bë shumë e dashur sa më dukej që sa herë e shihja ajo ndërronte ngjyrë. Herë bëhej si flori, herë si diamant, herë si argjend. E mbajta te gishti, nuk e hoqa as kur fjeta atë natë. Të nesërmen, sa do e pyesja Nazimin se ku i gjeti lekët për unazën, ai ma shpjegoi vetë.

-Atë unazë e kam bërë me këto duar, asnjë lekë nuk ka kushtuar. Doja të të blija jo unazë, por tërë botën, ama nuk kisha me se. Ndaj vura mbi një gur në oborr lugën e ushtrisë. Ti e di që unë atë e mbaja këtu te xhepi.

U kujtova. Ishte bisht aq i hollë, që i delte nga jashtë xhepit të përparëm të xhaketës sa një herë e mora për stilolaps. Ashtu m’u duk. Është luga e ushtrisë, më sqaroi Atëherë Nazimi.

-Me çekiç këputa lugën, e largova nga bishti. Më pas e përthyeva dhe te hekuri atje, - tregoi kangjellat e dritares, - e rrumbullakosa. E bëra unazë. Ja këtë që ke te dora.

Ai më shihte me dhimbje, unë e shihja me adhurim e dashuri. Ajo unazë qe krijim i tij, i dalë nga zemra e tij, punuar nga shpirti i tij. Nuk qe punim mjeshtrash, ama brenda qe mbarsur me pasion më të madh se ato te dyqanet e qendrës.

Kaluan vite. Kaq herë më bleu plot unaza Nazimi, por unë në gisht mbajta veç bishtin e lugës. Ajo unazë u bë hajmali e familjes sonë. Na shkoi mbarë çdo gjë. Kryesorja, kurrë, po kurrë as u grindëm e as bëmë shamata me gjyshin, si çift d.m.th. Jetuam në një oqean me valë, me erëra, me dallgë, por nuk jetuam asnjë stuhi. Në paqe e dashuri gjithë këto vite e vite. Në një harmoni plot ngjyra që besojmë se lindi e u mëkua nga ajo luga e bekuar e ushtarit Nazim.

11:36 Opinione Hysni Gurra

Belindi si Trump

Shumëkush kur sheh titullin që kam përdorur do thotë çfarë...

20:15 Opinione Lutfi Dervishi

Fushatë koreografike

Kërcen kryeministri. Kërcen shefi i grupit parlamentar...

21:22 Opinione Ardi Stefa

Fisheku në pajë…

Një malësor vendosi që të martohej, pasi i kishte ardh...

Lajmet e fundit nga