LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Modeli i shëmtuar që duhet rrëzuar më 14 maj

20 Mars 2023, 12:42, Opinione Gjergji Koja
Modeli i shëmtuar që duhet rrëzuar më 14 maj
Foto ilustruese

Pas 55 ditësh qytetarët shqiptarë me të drejtë vote do të duhet të zgjedhin kryebashkiakët dhe anëtarët e Këshillave Bashkiakë, në një palë zgjedhje që më shumë se me karakter administrativ, janë një lloj referendumi.

Tirana, Elbasani, Durrrësi, Korça, Shkodra, Vlora apo Fieri pritet të jenë fushëbetejat e 14 majit edhe për faktin se këto bashki përbëjnë pothuajse 2/3 e peshës elektorale në nivel kombëtar, por kryeqendra e betejës elektorale është Tirana, ku përballen mes tyre Erion Veliaj dhe Belind Këlliçi.

Në kushte normale në zgjedhjet e 14 majit, votuesit duhej të peshonin jo thjesht atë se çfarë përfaqësojnë kandidatët, por atë se çfarë do të ofronin ata, për t'i bërë bashkitë qendra ku mund të jetoje normalisht, duke trajtuar qytetarët me dinjitet dhe administratorët lokalë të garantonin shërbimet ndaj qytetarëve.

Me pak fjalë kandidatët përmes programeve të qarta duhet të ofronin modelin e qeverisjes vendore dhe çdo votues të zgjidhte përmes një procesi të pangarkuar alternativën që mendonte se do t'i përmirësonte jetesën.

Por duket se 14 maji do të jetë një votë politike, pro ose kundër modelit të deritanishëm që nis me Edi Ramën dhe zgjatet poshtë me kryebashkiakët që në varësi të bashkive që kanë në drejtim shtojnë ose minimizojnë dozat negative në raport me qytetarin.

Tirana, edhe për shkak se është kryeqendra e vendit, ku ndërthuren interesat politike dhe ekonomike, ndoshta ofron edhe modelin më të shëmtuar, me dozat më të larta të negativitetit. Në kryeqytet është ndërtuar një model fasadë, ku në pamje të parë gjithçka duket se ecën normalisht, ndërsa po të rrëzosh pak suvanë, kupton se ngjyrat nuk ekzistojnë.

Një model i krijuar prej vitesh, ku secili prej tyre që ka pasur fatin të jetë kryebashkiak, e ka kthyer Tiranën në një qytet ku vihet në diskutim nëse mund të jetë ose jo i jetueshëm. Modelit të fasadës i është shtuar edhe ai i falsitetit, duke krijuar në tërësi një model “fake” që as më shumë dhe as më pak, me arrogancë ose me fytyrë ëngjëllore, shkel me këmbë dinjitetin e çdokujt.

Ndaj sot në Tiranë ka një shumicë që zgjohet e ngryset duke menduar se si do të përballojë jetesën minimale, nëse dita e ardhshme do e gjejë në një njëjtën banesë, në të njëjtin vend pune, apo nëse çerdhja, kopshti, shkolla e fëmijës do të jenë në të njëjtin vend. Me pak fjalë ky lloj modeli i aplikuar dhe instaluar as më shumë e as më pak mban në ankth dhe pasiguri këtë shumicë.

Ky është një model që nuk garanton zhvillim, që nuk jep siguri, por ka provuar se i jep superpushtet atij që e aplikon. Këtë ka bërë Edi Rama në nvel kombëtar, këtë ka bërë Erjon Veliaj në Tiranë. Të dy sot duket se janë në një garë, se kush prej tyre po aplikon modelin me ngarkesën më negative dhe kush grumbullon më shumë pushtet.

Është një garë e heshtur ku hera-herës shfaqet në sipërfaqe, ku jepen mesazhe të koduara ose përmes batutave, ndërsa palët duket se kanë ngritur kurthe ndaj njëri-tjetrit pavarësisht se ndodhen në të njëjtën llogore.

Veliaj në 14 maj do të synojë mandatin e 3-të, po aq sa Edi Rama qëndroi në krye të Bashkisë së Tiranës, ndërsa ka ndërtuar modelin e tij, një miksim mes atij të Kryeministrit, duke i shtuar atë të Mjaftit dhe G 99-ës, të cilat i drejtoi përpara se t'i çelej drita jeshile për të “zaptuar” territor të Partisë Socialiste.

Ndaj herë pas here në publik shfaqet një model politikani që pothuajse shtrihet barkas ndaj më të pushtetshmëve dhe në raport me qytetarin është arrogant, i fortë, i dhunshëm, cinik, tallës. Këto janë sjellje që Veliaj i ka demostruar në 8 vitet e drejtimit të Tiranës, duke qëndruar pas teorisë së drejtimit me “dorë të hekurt” për shumicën dhe një “shtrihu barkas” kundrejt atyre që ai mendon se i garantojnë pushtetin. Shembujt janë të shumtë, mjafton që një ditë të vetme t'i kushtoni vëmendje pikërisht sjelljes dhe atyre që janë zgjatime të tij.

Nëse do të marrim për bazë shprehjen e dhënë nga ish-ministri Sandër Lleshaj se polici është fytyra e tij, pra si do të sillet polici në rrugë, ajo është sjellja e ministrit në raport me qytetarin, mjafton për të kuptuar se nga buron mllefi, arroganca, dhuna, shkelja me këmbë e dinjitetit, kur ju qëllon të përballeni me atë inspektorin apo policin, që ka si epror Veliajn apo të emëruarit e tij.

Ndaj ju ndodh që kur shtroni pllakat në banesë apo kur meremetoni çatitë, në derën e shtëpisë ju troket gjysma e policisë dhe inspektorëve, ndërsa kur shfaqen kate të tëra pa leje në mes të Tiranës, Veliaj nuk i sheh.

Por herë pas here nuk ngurron të publikojë foto se si polici bashkiak ka gjobitur një automjet luksoz për parkim të paligjshëm dhe këtë e bën thjesht e vetëm për të treguar se në qytetin që ai drejton nuk ka të “fortë” të tjerë përveç tij. Në fakt ky është një detaj nga modeli "fake" që ai e ka ndërtuar me shumë kujdes, sikundër detaje të tjera janë ato kur shihni kryebashkiakun që u shërben të moshuarve në qendrat sociale i veshur si kamarier apo si kuzhinier.

Madje nuk duhet të çuditeni sikur deri në 14 maj ta shikoni t'ju trokasë në dyert e shtëpive, me fytyrë engjëllore, i shoqëruar me një tabor njerëzish që mund t'ju sjellin edhe pako ushqimesh e veshmbathjesh, t'ju afrojnë madje edhe një vend pune e plot të tjera si këto.

Mos harroni, kjo është lëmosha që po ua ofrojnë për të mbajtur në këmbë atë modelin që do t'ju shkelë sërish për 4 vjet.

14 maji është mundësia për të ndëshkuar, për të rrëzuar një model, ndoshta më të shëmtuarin që ka pasur politika shqiptare në 32 vite./CNA.al

19:47 Opinione Ermal Mulosmani

Komedia e zezë e PD-së

Lëvizja e fundit të grupit të Alibeajt, që fton përfaq...

15:48 Opinione Ardi Stefa

Mësuesit mjeranë!

Mjeranë? Po vërtet mjeranë! Pa personalitet, pa dinji...

Lajmet e fundit nga