LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Dilema e vjetër/ Duhet të martohemi për dashuri apo për para?

26 Gusht 2023, 08:36, Lifestyle CNA

Dilema e vjetër/ Duhet të martohemi për dashuri apo për

Kur bëni zgjedhjen e partnerit apo partneres tuaj me të cilin do të ndërtoni një familje, dashuria dhe paratë luajnë një rol të rëndësishëm. Ndonëse mund të mos na pëlqejë që ta pranojmë, shpeshherë na tërheqin njerëzit e pasur, duke shpresuar që të shijojmë përfitimet e pasurisë së tyre. Megjithatë, ofrimi i pagesës direkte për romancë apo seks do të ishte ofendues dhe vulgar për shumë njerëz. A duhet që zgjedhjet romantike të përfshijnë edhe konsideratat financiare?

Çfarë thonë gratë për paratë dhe dashurinë?

Dilema e vjetër/ Duhet të martohemi për dashuri apo për

Këto janë disa nga dëshmitë e rastësishme (kryesisht në Reddit) nga gratë, mbi paratë dhe dashurinë:

“Kam njohur një grua që ishte e martuar me pjesëtarin e njërës prej familjeve më të pasura në botë. Një ditë, gjatë një udhëtimi me avion, ajo u ul pranë një djali krejtësisht të zakonshëm, që kishte një punë krejtësisht të zakonshme, i cili ishte i qetë dhe i sjellshëm. Ata ranë në dashuri. Ajo e la burrin e saj të pasur, u martua me atë djalë të zakonshëm dhe janë ende të dashuruar pas shumë vitesh bashkë”.

“Asgjë në jetë nuk është falas. Të martohesh me një burrë vetëm për para, do të thotë se je blerë dhe shitur. Ai do të presë një nivel të caktuar të performancës nga blerja e tij e re (dhe jo vetëm seks) ose ju një ditë do të dëboheni nga shtëpia”.

“Të them të drejtën nuk e kam problem të blihem dhe të shitem. Martesa është në vetvete një transaksion. Unë nuk pres prej saj një Mercedes, apo diçka të tillë. Martesa do të ketë ende probleme, me apo pa para, kështu që pse jo?”

“Nëse nuk keni një marrëdhënie ku ka dashuri, paratë nuk do ta lehtësojnë stresin që e shoqëron çdo martesë”.

“S’ka asgjë të keqe të martohesh me një burrë të pasur. Por martohuni për dashuri, nder, respekt dhe pajtueshmëri karakteresh”.

“Paratë nuk do ta bëjnë të gëzueshme jetën tuaj. Ato do ta bëjnë të rehatshme, derisa të dëshironi akoma më shumë. Por nuk do të jetë asnjëherë mjaftueshëm. Prandaj gjeni më mirë dikë që ju sjell një gëzim të vërtetë në jetën tuaj. Paratë janë një bonus”.

Çfarë thonë studimet?

Dilema e vjetër/ Duhet të martohemi për dashuri apo për

Studime të ndryshme tregojnë se paratë luajnë një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e partnerit apo partneres. Në një sondazh, rreth 56 për qind e amerikanëve thanë se do të preferonin një partner që ofronte siguri financiare, në vend të një lidhje të orientuar vetëm nga ndjenja e dashurisë (44 për qind).

Po ashtu në një anketë tjetër, 75 për qind e grave thanë se nuk do të martoheshin me një burrë të pa punë. Ironikisht, 91 për qind e femrave beqare thanë se do të martoheshin për dashuri në vend të parave. Një shpjegim i mundshëm për këto rezultate në dukje kontradiktore, është se shumica e grave i kushtojnë një vlerë më të madhe dashurisë sesa parasë, përveç rastit kur mjetet financiare janë nën një prag të caktuar.

Dhe një burrë i pa punë, është nën pragun e pranueshëm financiar të imagjinuar nga shumica e grave. Perceptimet e idealizuara të marrëdhënieve romantike, i japin një vlerë shumë më të madhe dashurisë sesa parave. Por kur përballen me realitetin, shumica e njerëzve janë gati të bëjnë kompromise.

Kjo shpjegon edhe arsyen pse një sondazh zbuloi se Gjenerata Z (e lindur midis viteve 1996- 2010), është grupi i vetëm që zgjedh dashurinë mbi paratë (54 për qind). Në një moshë të re, kur konsideratat realiste nuk janë ende të fuqishme, më e spikatur është ideologjia. Por në konfliktin mes dashurisë dhe jetës, dashuria nuk fiton gjithmonë. Ndaj, duhet një kombinim i ekuilibruar midis të dyjave.

Blogeri Mark Travers sugjeron 3 mënyra të mbështetura nga shkenca për të kombinuar dashurinë dhe paranë:

1. Luani lojën e gjatë

Dilema e vjetër/ Duhet të martohemi për dashuri apo për

Kur përballeni me një zgjedhje midis një partneri afatgjatë që ka aftësinë t’ju ofrojë përfitime financiare dhe një partneri që është i gatshëm të përfitojë nga ju (përmes bujarisë, bashkëpunimit, besueshmërisë etj.), duhet të favorizoni këtë të fundit, duke mos injoruar plotësisht të parin. Ngrohtësia, në krahasim me kompetencën, ka një vlerë më të madhe në një periudhë afatgjatë.

2. Dashuria është investimi i vërtetë

Të bashkosh forcat me partnerin për të arritur një qëllim të caktuar, mund të jetë një vendim i zgjuar dhe në fund shpërblyes. Megjithatë, partneri nuk duhet të jetë mjet për suksesin tuaj, por ai me të cilin ndani suksesin e përbashkët.

3. Lumturia jep përfitimet e saj

Është e mençur të jesh në një marrëdhënie ku të dy partnerët janë para së gjithash të lumtur me njëri-tjetrin dhe i japin emocione pozitive njëri-tjetrit, pasi ato pozitive janë të lidhura fort me krijimin e pasurisë.

Pra në fund mund të themi se megjithëse stabiliteti financiar është i lidhur me mirëqenien emocionale, martesa vetëm për pasuri mund të çojë në pakënaqësi apo shqetësime emocionale. Një thënie hebreje thotë:“Kur dashuria varet nga diçka, dhe ajo mbaron një ditë, edhe dashuria mbaron bashkë me të. Por nëse dashuria nuk varet nga diçka e tillë, atëherë nuk do të mbarojë kurrë”. 

Shënim:Aaron Ben-Zeév, ish-drejtues i Universitetit të Haifës në Izrael sot profesor i filozofisë./ Pershtatur nga CNA

 

Lajmet e fundit nga